Tech

Filmat/ Piro Milkani: “Opinioni” tendencë keqdashëse, pse e refuzova Fevziun

11:35 - 29.03.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Në një intervistë për “Gazetën Shqiptare”, pak ditë më parë regjisori i njohur argumentoi pse ishte kundër ndalimit të filmave të soc-realizmit, sipas propozimit të poetit Agron Tufa. “Çdokush e ka pultin në dorë”, tha mes të tjerash Milkani.

Dje, ai u ftua në emisionin “Opinion” të Blendi Fevziut për të marrë pjesë në panelin e debatit.

“Jam i qetë kur gjeta një justifikim për të mos shkuar atje duke thënë se ato që do t’i them aty i kam dërguar tashmë në Gazetën Shqiptare. E pranoj haptas se nuk e pëlqej mënyrën se si moderatori drejton emisionin”, shkruan sot Piro Milkani në një artikull në gazetën Dita.

Në këtë shkrim, regjisori i njohur flet edhe për shijen jo të mirë që i la debati në televizion. Sipas tij, mënyra se si ishte ndërtuar ai “Opinion” vërehej një tendencë keqdashëse ndaj 240 filmave të kohës së diktaturës.

KOMENTI I PIRO MILKANIT

“Shije të hidhur ka lënë sidomos emisioni “Opinion”, i drejtuar nga Blendi Fevziu. Jam i qetë kur gjeta një justifikim për të mos shkuar atje duke thënë se ato që do t’i them aty i kam dërguar tashmë në Gazetën Shqiptare. E pranoj haptas se nuk e pëlqej mënyrën se si moderatori drejton emisionin që ka të përbashket me Bruno Vespën e madh vetëm gjestikulacionin, por dihet tashme zotësia e tij për ta futur bisedën në hullinë që i intereson atij.

Në materialet filmike ilustrative që ndërhyhet herë pas here në emision, edhe më naivi e kupton se kishte një tendencë keqdashëse ndaj 240 filmave artistikë të realizuara në gjysmë shekulli. Pafundësisht vendin kryesor e zinte një sekuencë nga filmi “Furtuna” që një partizan i vogël qëllon me llastik ushtarët italianë, për të vazhduar deri në mërzi me sekuencën e një filmi ku nena i thotë të birit: “Dhe ta duash Partinë bir!”.

Nuk është rastësi por rregull që pjesëmarrësit, gjashtë gjithsej, flasin njëkohësisht duke krijuar një kakofoni të mërzitshme së cilës për më shumë i shtohet ndërhyrja e Fevziut. Me vinte keq që në këtë duel fjalësh as i miri Mentor Kikia e as Reiz Çiço nuk ia dilnin dot përballë Jonila Godoles, poshtë se cilës shkruhej “Pedagoge në UT”, as përballë sociologut Ergys Mertiri apo E. Kaprit.

Në këtë rrëmujë mezi dalloje se Godole kërkonte që këto filma plehra duhet të zhdukeshin nga ekranet e TV-ve një orë e më parë, ndërsa Mertiri argumentonte se kineastët lavdërojnë njëri tjetrin dhe u duket vetja sikur kushedi ç’kanë bërë. Për ta bërë më të besueshme, Kapri këshillon të merret shembull Çekia, ku vetë kineastët kanë kërkuar që të hiqen nga qarkullimi filmat e tyre të pavlerë. Po nuk mbaron me kaq. Për t’i ndaluar këto filma duhet marrë shembull nga vendet e lindjes. Ja për shembull Rumania, në filmat e kohës së komunizmit vendos një shenjë, një si yll të kuq, që spektatori ta kuptojë se kujt epoke i përkasin- thotë Godolja. Dhe përbetohet se e paska parë me sytë e saj këtë gjë kur ishte në Rumani.

Edhe pse bota e kinemasë nuk është kaq e madhe sa mund të mendojë Godolja, edhe pse jemi të ndjeshëm se çfarë ndodh në botën e filmit dhe dimë shumë për njëri-tjetrin, e vura në dyshim vetveten dhe në atë moment thashë me vete: Paskan rrëshqit rumunët! U vënë shenja filmave komunistë si dikur nazistët u vinin hebrejve yllin e Davidit. Me këtë na vuri në lojë e në provë. I shkruam Drejtorit të Arkivit shtetëror të filmit rumun Marian Tuttuit nëse janë të vërteta këto broçkulla. Tuttui nuk vonoi 24 orë dhe u përgjigj se nuk ka asnjë censurim e asnjë shenjë”.

 

Për të marrë lajmet e fundit të “Gazeta Shqiptare”, ndiq faqen tonë në Facebook.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.