SPORT

Rudi Vata: Kombëtaren e kanë rrethuar “peshkaqenët”

08:25 - 29.03.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Jeton SELIMI

 

Situata e nderë në Kombëtaren kuqezi është fjalë dite tashmë në vendin tonë, ndërsa pikëpyetjet dhe akuzat janë të shumta. Një nga ikonat e futbollit shqiptar, Rudi Vata, në një lidhje telefonike për rubrikën “Sport” në “News 24” ka deklaruar se trajneri De Biazi duhej të ishte larguar menjëherë pas përfundimit të kampionatit europian, pasi Kombëtarja është kthyer në të njëjtën pikë ku e mori trajneri italian 5 vite të shkuara. Sipas Vatës, me largimin e Tramexanit, De Biazi ka humbur kontrollin në përfaqësuese.
Tri humbje radhazi kanë zbehur atmosferën pozitive që ishte në Kombëtare, shanset për një kualifkim në Botëror thuajse se janë zero. Si e keni parë ju ecurinë e Shqipërisë në kualifikueset e Botërorit “Rusi 2018”?
Mbas një arritjeje të tillë siç ishte në Europian, të gjithë mendojnë për progresin, pasi ishte një kombëtare solide duke arritur edhe këto rezultate, por pas kësaj çdokush shpresonte, edhe një tifoz i thjeshtë për një kualifikim në Botëror, pasi edhe oreksi vjen duke ngrënë. Por, siç duket nga rezultatet dhe ecuria e ndeshjeve, Kombëtarja ka bërë një hap mbrapa. Pothuajse ka përfunduar në ato nivele, ku De Biazi e ka gjetur ekipin.
Pas rezultateve negative futbollistët kanë filluar të shfaqin pakënaqësitë e para, Taulant Xhaka është larguar nga grumbullimi, duke lënë pas edhe deklarata të forta. Duket se De Biazi po humbet edhe pikën më të fortë, grupin e skuadrës, çfarë mendoni për situatën e krijuar?
Për mua, De Biazi duhet të largohej mbas Europianit. Mori maksimumin nga ajo kombëtare, misioni i tij me përfaqësuesen përfundoi aty. Qëndroi dhe mori një risk, ndërsa tani për mendimin tim po merr një çmim që nuk e meriton, sepse është De Biazi ai që na bëri ne një ekip kombëtar serioz. Solli frymën e grupit, futi tek lojtarët ndjenjën e madhe për fanellën kuqezi, tani sigurisht që rezultatet jo të mira sjellin disekuilibra të tilla, por nuk është profesionale dhe sidomos mbas një paraqitjeje pozitive në Europian, këto situata tipike shqiptare të kthehen në kampin kuqezi. E di që tekniku po përpiqet t’i zerojë këto probleme, por e shikoj të pafuqishëm, sepse ka humbur krahun e djathtë, Tramexanin. Është dobësuar si në aspektin psikologjik, edhe në aspektin e përgjithshëm të përgatitjes së ndeshjeve. Kombëtarja ka humbur një lider, për momentin nuk kemi një të tillë pas largimit të Lorik Canës, ndoshta ishte në kilometrat e fundit, por të paktën gëzonte respektin e grupit. Ky është edhe një gabim i De Biazit që nuk gjeti dot në kohë një zëvendësues. Liderin që do i jepte komandën e duhur grupit. Kombëtarja shqiptare megjithëse ka Hysajn, i cili është një lojtar i mirë dhe me eksperiencë, që luan edhe në “Champions League”, prapë nuk e gëzon rolin e liderit të plotfuqishëm në ekip.
Ju thatë që Kombëtarja shqiptare nuk ka një lider, por a e ka luksin që për një kapriço të trajnerit apo edhe të lojtarëve, të humbasë shumë futbollistë të rëndësishëm, si Xhaka, Kaçe, Gashi apo Meha?
Nuk e ka luksin sigurisht, por në të kaluarën De Biazi e ka pasur privilegjin për të pasur zgjedhje të mjaftueshme, tani rezultatet po shkojnë kundër tij, është krijuar një rrymë e pakëndshme, shikoj shumë “peshkaqenë” që janë zgjuar dhe janë bërë gati të sulmojnë teknikun nga të gjitha krahët. Gjithsesi, Kombëtarja është e shqiptarëve dhe duhet ta mbrojmë, e jo ta sulmojmë kur është keq. Xhaka është një futbollist profesionist. Si çdo futbollist ka marrë vendimin e tij. Sigurisht ka të drejtën absolute për të kërkuar arsyen se përse nuk luan, por në fund duhet të llogarisë që De Biazi ka për detyrë të marrë vendimet dhe duhet t’i pranojë. Shpresoj që të mos triumfojë fryma e keqe për hatër të ndonjë lojtari. Nuk mendoj se ekipi Kombëtar është një ekip yjesh, që pa një Xhaka apo pa një tjetër lojtar mund të ketë haluçiancione të mëdha, e thamë më parë që kemi qenë një skuadër grupi. Grupi duhet të jetë i fortë dhe duhet konsoliduar. Nuk e di sa kohë do ketë në dispozicion de Biazi, sepse sigurisht që ka përçarje, mangësitë, problemet janë të qarta, por janë pjesë e futbollit dhe prandaj është i bukur, sepse kur vijnë rezultate të mira, gjithmonë ka fjalë të bukura dhe kur vijnë rezultate negative do mbash përgjegjësi dhe do durosh komentet e kritikëve.
Së fundmi ka shpërthyer një pakënaqësi e tifozëve në kampionatin shqiptar kundrejt drejtuesve të FSHF-së, e cila kulmoi mbi të gjitha në ndeshjen kundër Italisë. Si mendoni, a ka ndikim në skuadër kjo krisje e tifozëve me federatën?
Sigurisht që ka ndikim. Në një moment “Tifozët kuqezi” janë më të mirët në botë, marrin vlerësimet maksimale, tani “Tifozat kuqezi” na prishin imazhin. Për mua tifozët kanë të drejtë gjithmonë dhe federata ka nevojë për ta. Nuk ka federatë në botë që mund të jetë e fuqishme pa tifozët. Një Shqipëri pa tifozët është një Shqipëri askushi. Jam i sigurt që federata duhet të menaxhojë me diplomaci tifozët, duhet të krijojë sa më pak pakënaqësi, sepse tifozi është numri 1 i imazhit kombëtar. Futbolli nuk mund të jetojë pa tifozët. Duhet gjetur gjuha e përbashkët, sepse futbollistët pa tifozët nuk janë futbollistë dhe Kombëtarja pa tifozë nuk është Kombëtare.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.