POLITIKË

Dritan Ylli komenton koalicionin me PS: Ja si bëhet Ilir Meta kryeministër

20:04 - 30.03.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




I ftuar në rubrikën “Opinion” në “News24”, anëtari i Kryesisë së LSI-së, Dritan Ylli ka komentuar koalicionin e LSI-së me PS-në. Ylli është shprehur se për aq kohë sa LSI është në koalicion, tregon angazhim për të mbështetur reformat në interes të qytetarëve.

I pyetur lidhur me tezën se Meta do të jetë kryeministër pas 18 qershor, Dritan Ylli ka thënë se LSI i ka të gjitha mundësitë t’i jap shqiptarëve një lider të pjekur, si Ilir Meta.

Gjatë ditëve të fundit ka patur përplasje LSI për zgjedhjet në Kavajë. Si e komentoni?

Fjala betejë apo përplasje duhet shmangur, pas jemi në një kohë pas 27 viteve pluralizëm, dhe kemi dalë nga ajo llogore ku mund të përdoren këto fjalë. Tani jemi në një qeverisje demokratike. Çdo e vërtetë që thuhet, çdo realitet që evidentohet, LSI në përputhje me angazhimet e saj, dhe në përputhje me votëbesimin që merr nga qytetarët, dhe me atë aleancë që ka krijuar në bazë të këtij besimi me qytetarët, kërkon t’i thotë të vërtetat, t’i evidentojnë problematikat. Dhe kështu zgjidhja vjen më e saktë.

Ato që i dëgjojnë këto kritika të LSI për disa çështje, lind pyetja, në këtë mënyrë nuk bie dakord më me këtë lloj aleance. A do përsëritet më kjo kontratë?

Për aq kohë që ne jemi në koalicion do të ketë angazhim për të mbështetur reformat dhe nismat qytetare në funksion të përmirësimet të jetës së qytetarëve, për mundësi më të mëdha për të rinjtë. Ato të vërteta që thuhen nuk duhet të shikohen si një sens për të përçarë qeverinë, që është thënë sot nga zëra të ndryshëm edhe nga PS. Duhet parë gjithnjë një koalicion apo angazhim në bashkëqeverisje për të drejtuar vendin siç duhet. A ka ndonjë reformë që LSI i ka dalë kundër? Nuk besoj se ka. Por kur ka shqetësime të shprehura nga qytetarët, LSI e ka thënë fjalën e saj. Kur ne kemi parë e kemi pritur maturantët me lot në sy, LSI u shqetësua dhe ngriti zërin e saj, për të parë vijimësinë e reformës në mënyrë që të rikuperoheshin këto problematika.

Zyrtarët e LSI flasin për një angazhim konkret të kësaj force politike në terren për të bërë Metën kryeministër. A është kjo një këshillë që ju është dhënë?

Në radhë të parë LSI kërkon të votëbesohet përpara qytetarëve shqiptarë për punën e mirë që ka bërë, për derën e hapur për të gjithë shqiptarët, ndaj ne në këtë fushatë hyjmë me moton “Një shans për të gjithë, një shans për rininë”. Synojmë që rinia të sjellë një Shqipëri ndryshe. LSI i ka krijuar hapësirë të rinjve në nivele të ndryshëm të qeverisjes, dhe në Parlament. Ne sot shikojmë një situatë shumë optimiste, që LSI të jetë forcë fituese.

Forcë fituese në raport me PS?

Do të thotë që LSI të jetë forcë e parë. Në disa zona LSI është forcë e parë, si në Pukë, Fushë-Arrëz, Malësi të Madhe, në disa zona në Tiranë, dhe në të gjithë vendin. Pra LSI është një forcë që ka njohur vetëm rritje nga fillimi saj. Kjo rritje nuk ka ardhur në mënyrë artificiale pasi qytetarët i kanë dhënë besimin një force që iu është përgjigjur atyre çdo ditë. Një forcë fituese ka edhe lideri e saj për kryeministër. Për më tepër ne si LSI kemi mundësinë t’u japim shqiptarëve një lider të pjekur, si Ilir Meta, një lider, serioz, të mençur dhe të vendosur për të çuar përpara fatet e vendit. Është një faktor për konsensus. Meta është një politikan shumë i përgjegjshëm sot për vendin, dhe vendi ka nevojë për të. Edhe kur ka qenë kryeministër para disa vitesh ka krijuar optimizëm tek qytetarët për punët e mira që ka bërë.

Që të bëhet Ilir Meta kryeministër duhen patjetër votat. Për të arritur këtë qëllim si duhet të veprojë në zgjedhjet e 18 qershorit, duhet të dalë e vetme, apo edhe duke qëndruar brenda koalicionit…

Mos prisni nga unë një vendim që iu përket strukturave. Unë mendimin tim do ta shpreh atë ditë që të diskutohet. Para se të vijë kjo ditë, ne duhet të zgjidhim këtë ngërç institucional që është krijuar, këtë ngasje të forcave politike. Edhe Basha që sot ka ngritur çadrën dhe kërkon zgjedhje demokratike ka qenë shumë i avashtë për të ecur me reformën zgjedhore. Sot në këtë moment, jemi kur rrezikojmë një situatë që mund ta çojë vendin në rrugë pa krye. Sot duhet të futeshim në një fushatë zgjedhore, të ofronim alternativat qeverisëse dhe ne sot rrezikojmë të hyjmë në zgjedhje pa ballafaqim të këtyre alternativave. Zgjedhjet duhet të jenë zgjidhje dhe ne sot rrezikojmë tua heqim këtë mundësi qytetarëve. Ndaj LSI ka qenë gjithmonë për dialog.

 

 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.