BLUETOOTH

Bluetooth – Nostalgji/ Pasioni për duhanin e dredhur

16:00 - 31.03.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Në lajmet tona të “show-bizz”-it, në rubrikën “nostalgji” mund të gjeni fotografi, lajme apo intervista të veçanta, të publikuara gjatë viteve në suplementin “Bluetooth” të “Gazetës Shqiptare”. Sot po ju sjellim, Ata që dinë ta dredhin … duhanin





Ata që dinë ta dredhin … duhanin
Sokol Olldashi premtoi se do ta linte duhanin pas zgjedhjeve. Në fakt, sapo i është rikthyer vesit të tij të vjetër: duhanit të dredhur. Të cilin, Besnik Mustafaj nuk e ka hequr nga duart që në 1990-ën, kur do të zbulonte për herë të parë shijen e duhanit holandez dhe kënaqësinë e dredhjes me nge të tij. Ashtu si dhe Maks Velo që prej kohëve të burgut.

Vetëm pak ditë para zgjedhjeve, bashkëshortja e Sokol Olldashit kishte pranuar në një intervistë, se i vetmi ves i Kolit ishte cigarja, të cilën ai kishte premtuar se do ta linte me mbarimin e fushatës. Mund të quhej ky një premtim më shumë elektoral, që pretendohej të ndikonte tek njerëzit që bëhen pro atyre burrave që nuk kanë asnjë ves, qoftë edhe kur bëhet fjalë për një ves të tillë, siç është cigarja.
Vetëm pak ditë pas përfundimit të fushatës, Sokol Olldashi është parë para pallatit të tij (përballë Ambasadës Amerikane), duke dredhur me nge cigaren e tij të radhës. Pra nuk e ka mbajtur dot premtimin. Dhe as që ka pse ta mbajë. Në këto kohë, kur ai ka mbetur pa asnjë lloj angazhimi, cigarja është për të tashmë miku më i mirë që mund t’i bëjë shoqëri në çdo moment. Por të paktën tani pas fushatës, i është kthyer sërish duhanit të dredhur, duke shpresuar se kështu do ta reduktojë të paktën numrin e cigareve në ditë.

***
Pas kësaj shprese do të kapej dhe Besnik Mustafaj, por shpejt do të kuptonte se cigarja e dredhur s’ishte gjë tjetër veçse një mashtrim i vetes. Por megjithatë, që prej 1990-ës kur do të zbulonte lezetin e duhanit të dredhur, nuk do të hiqte më dorë prej tij. “Cigaren e paketës nuk e shijoj dot më”. E të mendosh që e ka pirë atë lloj duhani për vite e vite me rradhë, që kur ishte nxënës në vitin e dytë tek “Gjuhët e Huaja”. Jo pse e dëshironte vetë këtë gjë, por sepse ia imponuan ata që ishin më të rritur. “Duke qenë se isha nxënës shumë i mirë, më vendosën në konvikt në të vetmen dhomë të madhe që gjendej. Kështu u gjenda me maturantë në dhomë, të cilët e kishin nisur me kohë duhanin. Ata nuk kishin para, ndërsa unë fitoja jo pak në ato kohë me botimet e mia. Lekë, ata nuk më merrnin dot, ndaj që të përfitonin prej paketave të mia, ma mësuan edhe mua duhanin”. Të cilin do të tentonte ta linte në vitin 1983, ama vetëm për pesë muaj. E nisi sërish për të mos e lënë më. “Kur isha mësues në Tropjë, në 1981- 1982 nisa ta pija me llullë edhe pse nuk isha më shumë se 23 vjeç. Po më shijonte shumë ashtu, por oficeri i sigurimit të zonës ma ndaloi si shfaqje të huaj”. Mustafaj kujton se detyrimisht do t’i kthehej përsëri paketave, derisa do të zbulonte duhanin holandez DRUM. E në gjithë këto vite vazhdon të pijë vetëm këtë lloj duhani. Kudo që ndodhet, në takime zyrtare ose jo, Besnik Mustafajin zor se mund ta gjesh pa qesen e duhanit të tij në tryezë.
***
Maks Velon, gjithashtu zor se mund ta gjesh me paketë cigare në xhep a në çantë. Nëse i kërkon një duhan atij, ai të nxjerr kutinë e duhanit “Red Bull Gold Blend”, letrat ‘Libella” dhe filtrat që i mban në një qese më vete. Jo gjithmonë ka pirë këtë lloj duhani, por gjithsesi njerëzit që e njohin, kështu e mbajnë mend duke dredhur me nge cigare. Një ritual ky që i ka mbetur që nga kohët e burgut, ku do të mësonte shihen e duhanit të grirë. “Para se të shkoja në Spaç, pija vetëm cigaren “Partizani”, por atje më ofruan duhanin e grirë që ishte më i lirë por dhe më i mirë. E veç kësaj, dredhja e duhanit na dukej si një kënaqësi për të vrarë kohën”. Vazhdon të ketë edhe sot e kësaj dite këtë kanaqësi. Tani me duhan shumë më të zgjedhur sigurisht. Ama vazhdon të mos pijë më shumë se gjashtë ose shtatë cigare në ditë, tamam si në ato kohët e burgut.

Ky shkrim u botua më 3 Mars 2007


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.