AKTUALITET

Droga në Ankona/ Policia Kufitare: Dogana në Durrës s’bëri skanimin e kamionit

20:40 - 31.03.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Prokurorët e Krimeve të Rënda kanë zbarkuar dje në portin e Durrësit për zbardhur përgjegjësit e kalimit të sasisë prej 2.2 tonë kanabis nga ky port në Ankona të Italisë, ku dhe u sekuestrua dy ditë më parë. Burime nga Policia Kufitare dhe dogana e Durrësit bënë me dije për Gsh.al se është ngritur një grup hetimor në lidhje me këtë ngjarje. Mësohet se hetuesit e çështjes kanë marrë në shqyrtim të gjithë praktikën doganore dhe atë të Policisë Kufitare që është kryer për kamionin e nisur nga porti i Durrësit me destinacion Ankonën, i ngarkuar me materiale gipsi.

Prokuroria e Krimeve të Rënda ka sekuestruar të gjithë dokumentacionin dhe po merr në pyetje doganierë e inspektorë policie që lejuan kalimin e kamionit. Burime nga grupi hetimor pohuan se kamioni është zhdoganuar, ka kryer të gjitha procedurat doganore në Doganën e Tiranës duke kaluar tranzit nga Durrësi për Ankona. Kamioni është në pronësi të një kompanie me seli në Vaqarr. Mjeti është plumbosur në doganën e Tiranës. Kur ka mbërritur në portin e Durrësit, subjekti ka rezultuar pa risk, që do të thotë se kamioni nuk i është nënshtruar procedurës së skanimit nga dogana. Kjo, sepse subjektet që rezultojnë me risk ose me të kuqe, i nënshtrohen skanimit, në të kundërt jo. Kamioni është futur në ambientet e Policisë Kufitare, ku iu nënshtrrua kontrollit të efektivëve.

Kontrolli i është bërë në pjesën e jashtme të rimorkios dhe në pjesën e poshtme. Policia Kufitare dekloaroi se e kanë kryer kontrollin për aq sa ua lejon ligji. “Se çfarë ngarkese ka brenda kamioni, është detyrë e doganës, e cila është autoriteti përkatës që duhet të kontrollonte të gjithë mallin që do të kalonte,” thanë burime nga Policia Kufitare. Në videon që kanë publikuar mediat italiane duket momenti kur autoritetet e vendit fqinj, në portin e Ankonës sekuestruan 2.2 ton kanabis që ishte nisur me kamion drejt Italisë nga porti i Durrësit. Sipas medias italiane, në pranga janë vendosur 3 persona, por nuk është bërë i ditur identiteti i tyre. Aksioni është bërë nga doganat italiane dhe Guardia di Financa. Nëse do të arrinte të shitej në treg, droga kapte vlerën rreth 20 milion eurove.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.