POLITIKË

Mesazhi i Idrizit: Rama e Basha të ulen në një tavolinë, t`i japin zgjidhje krizës

10:12 - 31.03.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Shpëtim Idrizi, Kryetari i Partisë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet ka bërë deklaratë të fortë nga Librazhdi, qyteti i radhës që kishte zgjedhur për t’u takuar me strukturat dhe simpatizantët.

Nga ky qytet, Idrizi, partia e të cilit është në marrëveshje politike me PS-në, ndau mendimin se nevojitet që Rama dhe Basha të ulen në një tryezë dhe t’i japin zgjidhje krizës. Ai shprehu gatishmërinë e PDIU-së për t’u bashkuar dhe përfunduar reformën në drejtësi

“Ne kërkojmë sot publikisht që të ulet në një tavolinë Rama me Bashën, që ti japin zgjidhje dhe të bëjnë një pakt të madh kombëtar, të cilin ja kemi detyrim qytetarëve të Shqipërisë”. Me këtë thirrje ju drejtua Shpëtim Idrizi nga Librazhdi politikës shqiptare, në takimin me simpatizantët dhe përkrahësit e PDIU-së atje. Në takimin e organizuar merrte pjesë deputeti i Qarkut Elbasan, Aqif Rakipi, kryetari i PDIU-së në Librazhd Josif Lasko dhe kryetarja e Forumit të Gruas Librazhd, Fatbardha Alimeta.

Gjatë fjalës së tij, Shpëtim Idrizi shprehu kryesisht shqetësimet mbi krizën politike që ka mbërthyer vendin. Ndër të tjera ai tha:

“Problemet e politikës nuk janë hallet e qytetarëve. Shumë e vështirë është sot që të ulen politikanët shqiptarë bashkë, por po ulen kosovarët me serbët, nderkohë që po bëhen gati partitë politike maqedonase kundër shqiptarëve dhe ne si shqiptarë nuk ulemi dot bashkë me njëri-tjetrin. Ne kemi ftuar dhe po i ftojmë përsëri që të ulet Rama me Bashën dhe të bëjnë një pakt të madh kombëtar që ti hapin rrugën zhvillimit të Shqipërisë. Jo më konfliktualitetit! Të bëhemi bashkë për të jetësuar integrimin europian të shqiptarëve. Të bëhemi bashkë për të bërë të mundur përfundimin e reformës në drejtësi, si një ndër reformat më të rëndësishme, e cila do shëndoshë institucionet e Shqipërisë”.

Kryetari i PDIU-së gjithashtu propozoi që për të shmangur fenomenin e blerjes së votës, të ketë prokurorë specialë pranë KQZ-së.

“Kam dëgjuar gjatë gjithë kësaj kohe që flitet për vjedhjen e votës dhe padyshim këto janë fenomene që kanë ndodhur. Kanë ndodhur nga ato parti që sot po

ankohen çdo ditë. Çdonjëri nga ju ka një pyetje. Pse blerja e votës qënka e dënushme nga ligji vetëm kur u vidhet qytetarëve? Po kur dy partitë e mëdha na vjedhin neve partive të vogla votat, pse nuk është vjedhje kjo dhe tjetërsim i interesit qytetar? Prandaj ne propozojmë që një grup prokurorësh specialë të jetë pranë KQZ-së, në mënyrë që të veprohet urgjentisht në raste të blerjes apo transferimit të votave. Ne nuk pranojmë dot si parti e interesit kombëtar dhe interesit qytetar, që sot shqiptarët të blihen me 5 mijë lekë apo me një thes miell. Nuk pranojmë që sot të blihet dinjiteti i shqiptarëve”, – u shpreh z.Idrizi.

Përsa i përket reformës zgjedhore kryetari i PDIU-së theksoi se duhet të ketë një zonë zgjedhore dhe koalicionet të bëhen pas zgjedhjeve.

“Po dëgjojmë gjatë gjithë kësaj kohe ngujimin për reformën zgjedhore. Ne kemi detyrim që ti japim qytetarëve të Shqipërisë një sistem zgjedhor ku vota e tyre të jetë e barabartë, e drejtë dhe transparante. Kemi dëgjuar gjatë gjithë kësaj kohe që forcat politike kanë bërë një Kod Zgjedhor dhe ata administrojnë votat e të gjithë qytetarëve. Nuk mund të vazhdojmë më me parimin “Stalinist” ku populli voton dhe dy partitë e mëdha numërojnë. Pse forcat poltike shqiptare të mos dalin të vetme në zgjedhje!? Çdo forcë politike të dalë përballë popullit, të marrë votat e saj dhe pastaj të bëjmë koalicionet. Të mos jemi të detyruar nga ky Kod Zgjedhor të vishemi të gjithë me bluzën e koalicioneve, ku diferencat midis nesh janë të mëdha. A e di ndonjëri prej jush përse Shqipëria është ndarë në 12 zona zgjedhore? Ne e dimë shumë mirë padrejtësinë politike që na ndau në 5 shtete. Prandaj ne propozojmë që partitë politike të hynë më vete në zgjedhje, të ketë një zonë zgjedhore dhe të kemi një propocional kombëtar. Pse duhet që vetëm partitë e mëdha të kenë numërues dhe kjo krijon tension. Ti depolitizojmë edhe komisionet edhe numëruesit. Në pamundësi për ta bërë këtë gjë, le të shtojmë numëruesit, të jenë prezent të gjitha partitë parlamentare dhe të numërojnë votat e qytetarëve”,- tha Shpëtim Idrizi para strukturave dhe simpatizantëve në Librazhd.

Ndërsa krizës politike në vend pas kërkesës së opozitës për qeveri teknike, kryetari i Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet propozoi që të ketë një dakortësi të të gjitha palëve, në mënyrë që të mos ketë dyshime për garancinë në zgjedhjen e ardhshme. Z.Idrizi theksoi gjithashtu që edhe Presidenti i Republikës të zgjidhet nga populli.

“Për sa i përket garantimit të zgjedhjeve unë jam i bindur se opozita ka të drejtë kur kërkon garanci më të mëdha. Absolutisht para zgjedhjeve ne nuk mund të kemi dot një qeveri teknike. Po qe nevoja, le të zgjedhim një Drejtor Policie, ku të gjitha palët të jenë dakort. Jemi plotësisht dakort që të ndryshojmë Kodin Zgjedhor edhe për financimin e partive. Le të bëhet financimi i partive politike tërësisht nga

buxheti i shtetit dhe të shpenzojmë shumë herë më pak nga ajo që harxhohet sot. Le të zgjedhi populli edhe Presidentin e Republikës, si garant i institucioneve të Shqipërisë. Me këtë dua t’ju them se kriza është artificiale. Konfliktualiteti politik në Shqipëri mbahet për të fshehur paaftësinë e politikës shqiptare, për t’ju dhënë qytetarëve atë që u kemi detyrim, zhvillim, punë ekonomi, prosperitet, dinjitet etj”, – tha Shpëtim Idrizi.

Kreu i PDIU-së në fjalën e tij në Librazhd u ndal edhe tek çështja çame duke thënë se: “Çështja e shqiptarëve të Çamërisë është çështje e të gjithë shqiptarve, ndaj është edhe më afër se kurrë drejt rrugës së zgjidhjes. Çamëria plotëson hartën identitare të kombit shqipëtar. Ju e dini shumë mirë se çfarë ndodhte para disa viteve, ku nëse përmendej çështja çame, iknin politikanët shqiptar me vrap. Ne e kemi mbrojtur dhe do ta mbrojmë interesin kombëtar, çështjen e shqiptarëve të Çamërisë, sepse ne kemi veç një Atdhe”.

Ndërsa deputeti i Qarkut të Elbasanit, Aqifi Rakipi tha para anëtarëve të PDIU-së në Librazhd se kjo forcë politike do ti qëndrojë pranë qytetarëve.

“Jeni mashtuar 27 vjet nga politika shqiptare, si majtas ashtu edhe djathtas. Sot ka ardhur dita jonë që ti japim një mësim politikës, duke i thënë se ekzistojmë edhe ne. Kur them edhe ne, e kam fjalën për ju që jeni këtu në sallë dhe për të gjithë shqiptarët. Ne forcëm tonë po e tregojmë dita ditës edhe falë mbështetjes që kemi nga qytetarët shqiptarë. Ne kemi kauza, të cilat do ti mbrojmë sa të kemi frymën gjallë. Partia jonë është parti kombëtare, ku ka vend për të gjithë shqiptarët. Ne jemi një parti që e mban fjalën. Politika shqiptare ëhstë bërë bërë mollë sherri. Njëherë hyn njëra palë në çadër, pastaj pala tjetër. Por ato i bëjnë të gjitha për interesat e tyre”, -u shpreh Aqif Rakipi.

Kryetari i PDIU-së së degës Librazhd, Josif Lasko tha se: “PDIU në Librazhd është një parti e madhe që po rritet çdo ditë. Të rinj dhe të rejat po i bashkohen PDIU-së si partia e fjalës së mbajtur dhe që u qëndron pranë njerëzve”.

Kryetarja e Forumit të Gruas në Librazhd, Fatbardha Alimeta u shpreh se: “Sot gratë në Librazhd po i bashkohen PDIU-së, pasi kanë gjetur në këtë parti mbështetjen dhe ku respektohet barazinë gjinore.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.