POLITIKË

A po e mbështet LSI-ja propozimin e një takimi Rama-Basha për “qeveri teknike”?

15:00 - 01.04.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




(Takimi i 6 qershorit 2016 i hapi rrugën miratimit të Kushtetutës së re)

Kryetari i PDIU-së, Shpëtim Idrizi deklaroi dje se tensioni politik në vend ka nevojë për një tryezë dialogu mes partive kryesore.

“Ne kërkojmë sot publikisht që të ulet në një tavolinë Rama me Bashën, që t’i japin zgjidhje dhe të bëjnë një pakt të madh kombëtar, të cilin ja kemi detyrim qytetarëve të Shqipërisë”, tha dje Idrizi gjatë takimit të Librazhit.

Vetëm 3 orë pas kësaj deklarate, LSI e mbështeti këtë propozim.

“Duam zgjedhje sipas standardeve per Shqiperine, jo zgjedhje per partine! Propozimet e Shpetim Idrizit perpjekje per kontribut pozitiv. Mbështesim thelbin racional te propozimeve te Idrizit”, u shpreh Luan Rama.

Kjo u pasua nga një tjetër qëndrim në mbrëmje.

“Një proces anormal zgjedhjesh”, e cilësoi dje edhe kreu i LSI-së, Ilir Meta garën pa opozitën.

Kreu i LSI-së e quajti ‘shqetësimin kryesor’ situatën aktuale që mund ta çojë vendin në drejtim të gabuar. “Kjo situatë që po kalon vendi mund të na çojë në drejtim të gabuar. Situata na shqetëson. Të ndihmojmë në një dialog politik që procesi përpara zgjedhjeve të kthehet në normalitet. Është detyrim që t’i shërbejmë dialogut e të tregojmë fleksibilitet”, tha Meta nga Shkodra.

Ideja e një tryeze Rama-Basha nuk është e re.

Më 6 qershor 2016 Rama dhe Basha biseduan në prani të Petrit Vasili, Palokës, Bylykbashit dhe Fatmir Xhafajt në një takim që i hapi rrugën miratimit të “reformës në drejtësi”.

Por, asokohe PD-ja s’kishte kushte. Sot, Lulzim Basha pranon të ulet në tryezën e dialogut vetëm nëse diskutohet qeveria teknike. Javën e kaluar, ambasadorët e BE-së hëngrën 3 dreka të njëpasnjëshme me Bashën dhe kjo temë u shtrua u diskutua në tryezë.

Pas këtyre takimeve intensive, Basha nisi të thotë publikisht “nuk duam qeveri teknike të rreme, sa për sy e faqe”…

Për këtë kërkesë të përsëritur të PD-së, Lëvizja Socialiste për Integrim nuk është shprehur asnjëherë hapur, dhe as PDIU-ja e Shpëtim Idrizit. Pavarësisht se janë pjesë e koalicionit bashkëqeverisës, LSI dhe PDIU nuk e kanë përjashtuar në asnjë moment qeverinë teknike.

Nga ana tjetër, duke pasur parasysh rolin e rëndësishëm të policisë në zgjedhje (sidomos në zonat rurale) ardhja e një tjetër “besniku” të Ramës si Fatmir Xhafaj në krye të ministrisë së Brendshme nuk i ka qetësuar aspak gjakrat në koalicion.

Ajo që është evidente në këto momente është se askush nuk do të shtrembëronte buzët nëse vendi do të kishte një qeveri të riformatuar. E sigurtë është që nga krijimi i një qeverie teknike, do të përfitonin të gjithë përveç Ramës.

Jo thjesht PD-ja e Bashës, por edhe LSI-ja dhe PDIU-ja të cilët do ta shihnin më vulnerabël kontrollin e Ramës mbi garën elektorale dhe do të ndiheshin më të barabartë në menaxhimin e procesit.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.