EKONOMI

Firmoset marrëveshja e pensioneve me Luksemburgun, ja çfarë përmban

19:08 - 01.04.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




 

Ola MITRE

 

Firmoset marrëveshja administrative midis qeverisë shqiptare dhe qeverisë së Dukatit të Madh të Luksemburgut. Nënshkrimi është bërë nga zëvendësministrja e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Vjollca Braho dhe ministri i Punës dhe Sigurimeve Shoqërore të Luksemburgut, Romain Schneider. Ndërkaq, GSH.al zbardh disa nga pikat më kryesore të saj, të cilat përcaktojnë se si do të funksionojë njohja e kontributeve të emigrantëve shqiptarë, në mënyrë që të mos humbasin asnjë kontribut të derdhur. Më konkretisht, marrëveshja “Për mbrojtjen shoqërore” përfshin njohjen e kontributeve të sigurimeve shoqërore e shëndetësore të vlefshme për pensionet e pleqërisë, të invaliditetit dhe familjare, të derdhur nga shtetasit shqiptarë që punojnë në këtë shtet dhe anasjelltas. Po ashtu, ajo do të zbatohet edhe për degët e tjera të sigurimit të detyrueshëm e më konkretisht për: Sigurimi i sëmundjes, barrëlindjes, sigurimi i aksidenteve në punë dhe sëmundjeve profesionale, sigurimi i të punësuarve, përfitimet e papunësisë dhe përfitimet familjare. Sipas të dhënave të Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, kjo marrëveshje do të realizojë mbështetjen në aspektin e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore të mbi 1300 emigrantëve shqiptarë që jetojnë e punojnë në Luksemburg.

PENSIONET

Marrëveshja parashikon bashkimin e periudhave të sigurimit, çka do të thotë se, institucioni kompetent i Shqipërisë ose Luksemburgut (në varësi të rastit) merr parasysh periudhat e sigurimit, të plotësuara sipas legjislacionit të shtetit tjetër kontraktues, me kusht që këto periudha të mos mbivendosen. Ndërkohë që, nëse legjislacioni i njërit prej shteteve kushtëzon të drejtën për përfitime me plotësimin e periudhave të sigurimit në një profesion, në një punë ose në një punësim të veçantë, institucioni kompetent i shtetit kontraktues njeh periudhat e sigurimit të plotësuara sipas legjislacionit të shtetit tjetër kontraktues për të njëjtin profesion, punë ose punësim të veçantë. Po ashtu, nëse një person nuk ka të drejtë për përfitime në bazë të periudhave të sigurimit të plotësuara sipas legjislacioneve të të dyja shteteve kontraktuese, e drejta e përfitimit në fjalë, caktohet nga bashkimi i këtyre periudhave me periudhat e plotësuara sipas legjislacionit të shtetit të tretë me të cilin të dyja shtetet kontraktuese kanë marrëveshje të mbrojtjes shoqërore. Përshembull, nëse Luksemburgu ka një marrëveshje me Greqinë në fushën e sigurimeve, kjo do të thotë se shtetasit shqiptarë që kanë kontribuar në këtë shtet, por tashmë punojnë e jetojnë në Luksemburg, përfitojnë prej saj. Sa i takon përllogaritjes së pensionit, marrëveshja saktëson se nëse një person ka të drejtë për një pension sipas legjislacionit të një shteti kontraktues, pa pasur nevojën për të zbatuar bashkimin e periudhave të sigurimit, institucioni kompetent do të llogarisë, në përputhje me legjislacionin që ai zbaton, pensionin që i korrespondon periudhave të përgjithshme të sigurimit, të konsideruara të tilla sipas këtij legjislacioni. Ky institucion do të llogarisë pensionin dhe do të marrë në konsideratë shumën më të madhe. Ndërkohë që, nëse një person ka të drejtë për një pension, që përfitohet vetëm me bashkimin e periudhave të sigurimit, ato do të përllogariten me një formulë të veçantë, e cila ndodhet në tabelën bashkëngjitur shkrimit. Ajo që vlen të theksohe është fakti se masa e pensionit do të përcaktohet në bazë të periudhave të siguruara sipas legjislacionit të Luksemburgut për shtesait shqiptarë që punojnë atje. Ndërkohë që, kur totali i periudhave të sigurimit, të realizuara në të dyja shtetet kontraktuese është më i madh se maksimumi i periudhës së kërkuar për pension të plotë, sipas legjislacionit të secilit shtet kontraktues, institucioni kompetent merr në konsideratë – këtë maksimum në vend të totalit të periudhave të realizuara në të dyja shtetet kontraktuese.

 

Disa nga pikat kryesore të marrëveshjes “Për Mbrojtjen Shoqërore”

Neni 2

Fusha e zbatimit

  1. Kjo Marrëveshje zbatohet për legjislacionin që ka të bëjë me:
  2. Në Republikën e Shqipërisë:

1) Skemën e sigurimeve të detyrueshme shoqërore për pensionet e pleqërisë, të invaliditetit dhe familjare për personat e punësuar dhe të vetëpunësuar, si dhe për punëdhënësit;

2) Sigurimin vullnetar të kujdesit shëndetësor në zbatim të nenit 8 të kësaj Marrëveshjeje.

  1. Në Dukatin e Madh të Luksemburgut:

1) Sigurimin për pensionet në rast pleqërie, invaliditetin dhe familjare;

2) Pikën 1, të nenit 2, të Kodit të Mbrojtjes Sociale në zbatim të nenit 8 të kësaj Marrëveshjeje.

  1. Pavarësisht nga parashikimet në pikën 1 më sipër, dispozitat e pjesës II të kësaj Marrëveshjeje zbatohen:
  2. Në Republikën e Shqipërisë, për degët e tjera të sigurimit të detyrueshëm, si më poshtëshënuar:

1) Barrëlindje;

2) Sëmundjet;

3) Aksidentet në punë dhe sëmundjet profe-sionale;

4) Papunësinë;

5) Sigurimin e detyrueshëm të kujdesit shëndetësor.

  1. Në Dukatin e Madh të Luksemburgut:

1) Sigurimi i sëmundjes – barrëlindjes;

2) Sigurimi i aksidenteve në punë dhe sëmundjeve profesionale;

3) Sigurimi i të punësuarve;

4) Përfitimet e papunësisë;

5) Përfitimet familjare.

Neni 14

Rregulla të veçanta të bashkimit të periudhave

  1. Nëse legjislacioni i një shteti kontraktues kushtëzon të drejtën për përfitime me plotësimin e periudhave të sigurimit në një profesion, në një punë ose në një punësim të veçantë, i cili rregullohet me dispozita të veçanta, institucioni kompetent i këtij shteti kontraktues njeh periudhat e sigurimit të plotësuara sipas legjislacionit të shtetit tjetër kontraktues për të njëjtin profesion, punë ose punësim të veçantë që rregullohen me dispozita të veçanta.
  2. Nëse një person nuk ka të drejtë për përfitime në bazë të periudhave të sigurimit të plotësuara sipas legjislacioneve të të dyja shteteve kontraktuese, të bashkuara sipas nenit 6, e drejta e përfitimit në fjalë, caktohet na bashkimi i këtyre periudhave me periudhat e plotësuara sipas legjislacionit të shtetit të tretë me të cilin të dyja shtetet kontraktuese kanë marrëveshje të mbrojtjes shoqërore dy- ose shumëpalëshe që parashikon rregulla të bashkimit të periudhave të sigurimit.

Neni 15

Periudha e sigurimit më pak se një vit

Kur periudhat e sigurimit të kryera sipas legjislacionit të një shteti kontraktues nuk plotësojnë një vit, asnjë përfitim nuk jepet sipas këtij legjislacioni, vetëm nëse legjislacioni parashikon shprehimisht të drejtën për përfitim. Megjithatë këto periudha merren parasysh nga shteti tjetër kontraktues për zbatimin e nenit 6, si dhe për zbatimin e nenit 17, pika 2, me përjashtim të shkronjës “c” të kësaj pike.

Neni 16

Veçoritë e legjislacionit të Luksemburgut (vitet e përkujdesjes për beben)

Kur llogaritet pensioni, neni 6 i kësaj Marrëveshjeje zbatohet duke njohur periudhat e kujdesit për fëmijën të parashikuara nga legjislacioni i Luksemburgut, me kusht që ky person periudhat e fundit të sigurimit para lindjes ose birësimit të fëmijës, t’i ketë plotësuar sipas legjislacionit të Luksemburgut.

Neni 17

Llogaritja e pensioneve

  1. Nëse një person ka të drejtë për një pension sipas legjislacionit të një shteti kontraktues, pa pasur nevojën për të zbatuar nenet 6 dhe 14 të kësaj Marrëveshjeje, institucioni kompetent do të llogarisë, në përputhje me legjislacionin që ai zbaton, pensionin që i korrespondon periudhave të përgjithshme të sigurimit, të konsideruara të tilla sipas këtij legjislacioni. Ky institucion do të llogarisë pensionin sipas pikës 2 të këtij neni dhe do të marrë në konsideratë shumën më të madhe.
  2. Nëse një person ka të drejtë për një pension, që përfitohet vetëm me bashkimin e periudhave të sigurimit, sipas neneve 6 dhe 14, do të zbatohen rregullat e mëposhtme:
  3. a) institucioni kompetent llogarit shumën teorike të pensionit për të cilin aplikuesi do të ketë të drejtë, nëse të gjitha periudhat e sigurimit të përmbushura sipas legjislacioneve të të dyja shteteve kontraktuese të ishin plotësuar vetëm sipas legjislacionit të tij;
  4. b) për të caktuar shumën teorike të përmendur në pikën “a”, llogaritja bazohet te periudhat e sigurimit të kryera sipas legjislacionit të zbatuar nga institucioni kompetent;
  5. c) mbi bazën e shumës teorike, institucioni kompetent do të përcaktojë shumën efektive të pensionit që i takon personit në raport me periudhat e sigurimit të plotësuara sipas legjislacionit të tij, krahasuar me periudhat totale të sigurimit të plotësuara sipas legjislacioneve të të dyja shteteve kontraktuese.
  6. Kur totali i periudhave të sigurimit, të realizuara në të dyja shtetet kontraktuese është më i madh se maksimumi i periudhës së kërkuar për pension të plotë, sipas legjislacionit të secilit shtet kontraktues, institucioni kompetent merr në konsideratë – për llogaritjen e pensionit këtë maksimum në vend të totalit të periudhave të realizuara në të dyja shtetet kontraktuese. Kjo metodë llogaritjeje nuk do të detyrojë institucionet të ofrojnë një pension më të madh se pensioni i plotë që ofrohet sipas legjislacionit të zbatuar.
  7. Nëse një person ka të drejtë për një pension në bazë të dispozitave të pikës 2, të nenit 14, periudhat e sigurimit të realizuara sipas legjislacionit të shtetit të tretë do të merren parasysh për zbatimin e pikës 2.

 

 

 

 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.