EKONOMI

Profesorët, kundër ministrisë për rritjen e pagave: E turpshme!

10:07 - 01.04.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play





Ola Mitre

 

Profesorët e Universitetit të Tiranës kundërshtojnë masën e rritjes së pagesës për orët shtesë. Pas miratimit të Vendimit të Këshillit të Ministrave, sipas zëvendësdekanes për anën mësimore kërkimore të Departamentit të Historisë dhe Gjeografisë, Prof. Dr Aljula Jubani, variantet e miratuara janë të turpshme. Përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”, Jubani tha se: “Në media po qarkullojnë disa variante të një VKM-je në lidhje me pagat e pedagogëve. Secili variant është më i turpshëm se tjetri dhe asnjëri nuk ka lidhje me projektvendimet e konsultuara paraprakisht në rrugë zyrtare. Urojmë të mos jenë të vërteta!”. Ndërkaq, e kontaktuar nga “Gazeta Shqiptare”, zv.dekania tha se për një koment më të plotë do t’i duhet të konsultojë shkresën zyrtare, që ende nuk u ka shkuar universitet. “Ne nuk na ka ardhur asgjë zyrtarisht. Paraprakisht ne na janë përcjellë projekt-VKM-të, të cilat i kemi konsultuar dhe i kemi rikthyer me sugjerimet tona. Të paktën këto variante që kam parë unë, asnjëri nuk ka lidhje me atë që na kanë sjellë ne. Për ne do të jetë zyrtare kur të na përcillet me shkresë në universitet. Por, gjithsesi këto nuk kanë lidhje fare me VKM-të që kanë ardhur për mendim, janë krejt ndryshe”, – u shpreh Jubani. Edhe ish-shefja e Departamentit të Letërsisë, aktualisht pedagoge Prof. Dhurata Shehri reagoi në rrjetin social “Facebook”, duke ironizuar rritjen e bërë nga qeveria. “Sot qarkulloi në media një Vendim i Këshillit të Ministrave që rrit pagesën e orëve të mundshme shtesë me 120 lekë të reja. A thua ky vendim po mbulon faktin që shtesën e pagave të pedagogëve, të shpallur prej muajsh, shteti vetëm e shpall po nuk e jep realisht dhe buxhetin për universitetet nuk e ka llogaritur me pagat e reja të shpallura? Gjithsesi duhet pritur e hëna, ditë rrogash, dy ditë pas një prillit!”, – shkruajti Shehri. Po ashtu, në një postim të dytë, pedagogia e njohur, teksa vijoi komentin e saj shkruaji: “Ndjesë profesorëve të asociuar për pasaktësinë, atyre u është rritur ora me 111 lekë”.
Vendimet e qeverisë
Në mbledhjen e kësaj të mërkure, qeveria miratoi 2 vendime në lidhje me personelin e universiteteve. Në njërin prej tyre përcaktohej niveli i ri i pagave për nëpunësit e institucioneve publike të arsimit të lartë si dhe pagesat për orët e kryera mbi normën e përcaktuar. Sipas këtij vendimi, kur pedagogët janë në kategorinë “Profesor”, përfitojnë 1 320 lekë për çdo orë 60-minutëshe; kur janë në kategorinë “Profesor i Asociuar”, përfitojnë 1 210 lekë për çdo orë 60-minutëshe, ndërsa kur janë në kategorinë “Docent”, përfitojnë 1 100 lekë për çdo orë 60-minutëshe. Po ashtu përcaktohej se pedagogët që janë “Lektor i parë”, përfitojnë 880 lekë për çdo orë 60-minutëshe, ndërsa kur janë “Lektor”, përfitojnë 660 lekë për çdo orë 60-minutëshe”. Ndërkaq, vendimi i dytë parashikonte vendosjen e statusit dhe trajtimin e veçantë të personelit akademik. Ndër të tjera, në këtë vendim parashikohej se koha normale e punës së personelit akademik nuk mund të jetë më shumë se 1.536 orë në vit. Ndërkohë që leja vjetore do të jetë jo më pak se 40 ditë pune (56 ditë kalendarike) dhe nëse kjo leje nuk konsumohet nga personeli akademik, si pasojë e nevojës së institucionit jepet shpërblimi në të holla. Por, ajo që vlen të theksohet është fakti se në faqen zyrtare të Kryeministrisë është ‘zhdukur’ vendimi i dytë. “Gazeta Shqiptare” kërkoi të klikonte sërish këtë vendim, por nga një kërkim në kategorinë ku publikohen VKM-të, ai nuk shfaqej më, ndonëse ditën e miratimit u publikua bashkë me vendimet e tjera.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.