SPORT

Sejdini: Daja, trajner aventuresk dhe filozof. Fiton Partizani

15:42 - 02.04.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 




Faruk Sejdini mendon se titulli do të ndahet mes Partizanit dhe Skënderbeut, edhe pse favorit sheh të kuqtë. Pak muaj më parë “votoi” për Kukësin, por ish-trajneri i mirënjohur i kampionatit shqiptar, që dikur ka drejtuar edhe Skënderbeun, tregoi dje për “Panorama Sport” pse ka ndryshuar mendimin për ekipin që mund të shpallet kampion.

Profesor, është Partizani-Skënderbeu një ndeshje që mund të vendosë për titullin?

Kush fiton në Partizani-Skënderbeu mendoj se bën një hap galopant për titullin. Nuk mendoj se do të jetë një ndeshje që do të vendosë përfundimisht për ekipin që do të jetë kampion, por sigurisht në një masë të madhe rezultati që do të prodhojë, do të ketë ndikim për vazhdimësinë. Unë e pëlqej futbollin që bën Skënderbeu, por besoj që këtë herë Partizani është favorit për të fituar ndeshjen.

Kush mund ta bëjë diferencën në këtë takim?

Diferenca është që Partizani ka më shumë etje për të fituar. Dua ta lë mënjanë anën taktike, pasi në të tilla ndeshje, sado udhëzime që jep trajneri, përsëri do të vendosë ose gabimi i kundërshtarit apo edhe aftësia individuale e ndonjë lojtari që ka kualitet. Në gjykimin tim, e shikoj Partizanin më të avantazhuar, jo vetëm në këtë përballje, por edhe për titullin.

Disa javë më parë keni parë favorit Kukësin, pse keni ndryshuar mendim?

Nuk është se e përjashtoj Kukësin, por më duket sikur është një ekip shumë selektiv. E them këtë, pasi shikoj mënyrën se si luan futboll kjo skuadër. Kukësi e ndërton gjithçka në një pikë referimi, pra te Pejiç.

Nëse ky i fundit “jeton”, atëherë edhe Kukësi është OK. Nëse Pejiç nuk është mirë, atëherë Kukësi fiket. Më duket shumë pak kjo mënyrë loje për një ekip që pretendon për titull. Për këto ndeshje që kanë mbetur, po sikur Pejiç të mungojë, çfarë do të bëjë Kukësi?! Në këtë sens, mendoj se Partizani dhe Skënderbeu kanë më shumë shanse.

Në aspektin e lojës, çfarë prisni nga Partizani dhe Skënderbeu?

Mendoj se do të jetë një ndeshje fragmentare. Në momentet që dikush do të marrë superioritetin e lojës, do të fiket shpejt dhe ekipi rival më pas do të marrë iniciativën. Duke qenë se të dyja ekipet do të kërkojnë të jenë të kujdesshme, edhe loja do të bëhet fragmentare.

Ka një duel edhe në pankina, si e shikoni Starovën dhe Dajën?

Starovën e shikoj më shumë nën presion. Të gjithë trajnerët në përgjithësi kanë stresin e ndeshjes, por Sula e ka pak më të tensionuar situatën. Duke qenë kështu, do të jetë shumë më tepër pragmatist, qoftë në kuptimin e mendimeve apo udhëzimeve.

Ndërsa Daja është më filozof si trajner në letër. Iliri luan edhe me rrezikun e filozofisë, por kjo gjë ose të jep shumë përparësi, ose të dënon. Ndoshta Daja është pak aventuresk, pra një trajner më shumë letrash. Mundet që Skënderbeu të rrezikojë më shumë, por të shohim.

Së fundmi, një parashikim për kryendeshjen?

Mendoj se do të fitojë Partizani. Ndërsa për ndeshjen që do të luhet në Kukës, pres një barazim me gola.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.