SPORT

Ylli Çekiçi: Partizani është favorit, Skënderbeu po vuan… Shkëmbin

13:59 - 02.04.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 




Skënderbeu, Partizani dhe Ylli Çekiçi në mes. Ish-sulmuesi i njohur i kampionatit shqiptar në vitet ’90 mbahet mend mirë nga tifozët korçarë, aq më tepër për një supergol në “Qemal Stafa” kundër të kuqve. 45-vjeçari nga Pogradeci e kujton ende me nostalgji atë goditje dënimi.

“I kam shënuar një gol shumë të bukur Partizanit kur kam qenë pjesë e Skënderbeut. Ka qenë një ndeshje e zhvilluar në Tiranë, teksa mbaj mend si kundërshtarë në mbrojtje Nevil Deden dhe Përparim Daiun. Kam nostalgji për Korçën, pasi kanë qenë tre shumë vite të bukura (1998-2000), por të them të drejtën tifoz jam me Partizanin”, thotë fillimisht në një bisedë për “Panorama Sport” ish-sulmuesi pogradecar.

Në prag të kryendeshjes Partizani-Skënderbeu, Çekiçi flet për të dyja skuadrat. Me të kuqtë e lidh sezoni 1993-1994 dhe pikërisht trajneri aktual, Sulejman Starova.

“Te Partizani kam shkuar në verën e vitit 1993, menjëherë pasi ekipi ishte shpallur kampion. Ka qenë një kërkesë e vetë trajnerit të atëhershëm, Sulejman Starova, që unë nuk mund ta refuzoja. E kisha ëndërr të luaja me këtë skuadër, pasi babai im ishte shumë i apasionuar pas Partizanit. Ruaj kujtime të bukura, edhe pse luajta vetëm një vit me fanellën e kuqe”, tregon Ylli Çekiçi.

NDESHJA

Çekiçi mendon se Partizani është më i konsoliduar se Skënderbeu. “Personalisht gjykoj se Partizani këtë sezon është pak më afër titullit në krahasim me Skënderbeun, që e ka arritur atë kulmin e vet gjatë viteve të kaluara. Korçarët nuk janë më ajo skuadra e frikshme. Partizani është më i konsoliduar dhe për ndeshjen e nesërme e shikoj favorit, për vetë gjendjen që po kalojnë dy skuadrat”, thekson ish-bomberi i viteve ’90, që ka provuar të drejtojë si trajner në Kategorinë Superiore skuadrën e vendlindjes, Pogradeci.

Sot Çekiçi do të jetë në stadium, ndërsa flet edhe për momentin “jo” të Skënderbeut dhe njeriun që mund të bëjë diferencën. “Te korçarët ka ndikuar ndërrimi i trajnerëve dhe largimi i disa lojtarëve. Skënderbeu po vuan shumë largimin e Bledi Shkëmbit, pasi tërheqja e tij ka lënë boshllëk të madh. Klubi nuk po e gjen ende atë lojtarin me numrin 10, që luan topin. Kam shumë simpati për sulmuesin e Partizanit, Ekuban. Është një lojtar që mund të luajë kudo në Europë. Sot ai do të bëjë diferencën”, përfundoi ish-sulmuesi i Partizanit dhe Skënderbeut.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.