SPORT

Beteja e titullit, Partizani “shkurorëzon” Skënderbeun

08:48 - 03.04.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Jeton SELIMI

Një fitore më aromë titulli për Partizanin. Një hap më tepër drejt objektivit të ëndërruar për 24 vjet. Suksesi 1-0 përballë Skënderbeut i dha besim, madje nga adrenalina e fitores u përfshinë edhe presidenti Demi dhe trajneri Starova, që zakonisht qëndrojnë shumë të balancuar. Rruga drejt titullit u vendos nga një perlë e Idriz Bathës. Një gol që nuk vlen thjesht fitoren dhe 3 pikë, sepse të kuqtë kthehen në krye të renditjes përkrah Kukësit, por mbi të gjitha nxjerrin nga gara rivalët e Skënderbeut. Skuadra ë Starovës triumfoi në përballjen spektakolare në “Selman Stërmasi”, ku në minutat e para vuajti presionin e kundërshtarëve, që fillimisht shpërdoruan një shans të shkëlqyer me Hamdi Salihin. Përveçse një ndeshje e bukur prej futbollit të fortë të luajtur në fushë, që hera-herës u shoqërua me pretendime nga të dyja skuadrat, supersfida prodhoi edhe momente të klasit të lartë, si aksioni dhe goli i realizuar nga Batha. Por, ndërsa Partizani shfrytëzoi mundësinë e vetme të mirë të krijuar në pjesën e parë, Skënderbeu shpërdoroi sërish përpara pushimit ndërmjet pjesëve, me Salihin që gaboi gjithçka në të 44′-tën. Skënderbeu provoi pa sukses të gjente golin edhe me mbrojtësit Jashanica dhe Radas, që ishin të pasaktë në tentativat e tyre, ndërsa në mes Emiljano Vila provoi të mbante të kuqtë në sulm. Me Partizanin që u tërhoq në mbrojtje të rezultatit, dukë u lënë fushën rivalëve, Skënderbeu krijoi mundësitë më të mira për shënim. Në harkun e pak sekondave, Ogunzhimi nuk shfrytëzoi dy raste të mira për shënim, me belgun që gaboi në finalizim. Duke përfituar nga hapësirat e lëna nga korçarët që u hodhën në sulm, Partizani mund të kishte mbyllur sfidën në të 84′-tën, por traversa i prishi festën Çetkoviç. Në anën tjetër, mbrëmja negative e Salihit u konfirmua nga dy raste të tjera të pashfrytëzuara, me bomberin shkodran, që i vetëm me portën nuk arriti ta dërgonte topin në rrjetë.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.