SPORT

Vangjeli: Fajin e kemi vetëm ne lojtarët. Por rivalët tanë nuk janë të aftë…

08:50 - 03.04.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Kristi Vangjeli ka zbërthyer krizën që ka përfshirë Skënderbeun dhe që tashmë sheh kampionët e 6 sezoneve të fundit 5 pikë larg kreut. Në “Gol pas Goli’, pas ndeshjes, Vangjeli ka shfajësuar trajnerët e korçarëve për këtë krizë, duke pranuar se lojtarët nuk kishin qenë në lartësinë e duhur, ndonëse pohoi se edhe në merkato nuk ishte bërë gjë për të zëvendësuar largimet cilësore.

Për humbjen

“Kemi pësuar gol në rastin e parë në zonën tonë dhe të humbësh një ndeshje kur ekipi kundërshtar zbret 2 herë në portë në 95 minuta, domethënë që nuk ke asgjë për të thënë. Jemi të mërzitur dhe të zhgënjyer nga rezultati”.

Për fajtorët e rënies së Skënderbeut

“E sigurt se ne lojtarët e kemi çuar ekipin në këtë situatë. Kjo vlen që nga faza e parë e deri më tani. Problemi i madh kemi qenë ne, as trajneri e as kush tjetër. Ne duhet ta kthejmë ekipin në këto javë që kanë mbetur në luftën për titullin kampion”.

Për problemet e skuadrës

“Nuk do të thosha që mbrojtja ka bërë punën e saj, një ekip kampion është që nga portieri e deri te sulmuesi. Ne jemi grup i mirë bashkë, grupi është forca e ekipit. Ajo që kemi pas probleme është që në 60 për qind të ndeshjeve kemi shënuar vetëm një gol, nuk kemi shënuar shumë.

Në fazën e parë dhe të dytë nuk kishim besimin e duhur si ekip, nuk kishim qarkullimin e topit që ka qenë forca më e madhe e skuadrës. Po ta shohim më thellë, kemi humbur shumë lojtarë dhe nuk kanë ardhur përforcimet e duhura. Edhe kjo është diçka negative.

Por në këtë moment nuk ndryshojmë dot asgjë, grupi aktual besoj se ka fuqinë dhe e ka treguar. Besoj se vazhdimësinë duhet ta tregojë nga i pari deri te i fundit në ekip”.

Për vështirësinë në luftën për titull

“Është më e vështirë se janë dy ekipe, nuk është një, ndaj është më e vështirë. Por besoj se janë 9 javë dhe do të përballemi me të dy dhe ata me njëri-tjetrin. Kemi një kalendar më të vështirë se kundërshtarët se luajmë më shumë në transfertë dhe ndaj ekipeve të mira.

Ne duhet të jemi me këmbë në tokë dhe të tregojmë forcën në fushë, ta tregojmë çdo javë. Nëse do luajmë kështu edhe të mos fitojmë, vetëm të vazhdojë kjo lojë. Por besoj se kështu do të vijë edhe goli, edhe rezultati”.

Për momentin kur Skënderbeu doli nga rruga e zakonshme

“Për Skënderbeun dhe atë që ka treguar gjithë këto vite, është e patolerueshme që të regjistrojë tre barazime radhazi, ajo na ka lënë mbrapa, nuk besoj se janë ndeshjet direkte. Nëse do vëmë gjithë forcën tonë në këto ndeshje të mbetura, besoj se i kemi të gjitha mundësitë të tregojmë të gjithë agresivitetin që kishte ekipi sot dhe të kthejmë këtë -5 që kemi nga ekipet para”.

Për shanset e titullit

“Nuk është në dorën tonë, por është në dorën e kundërshtarëve. Por besoj se nuk kanë aftësitë e duhura që të bëjnë atë që mund të bëjmë ne”.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.