POLITIKË

Mesila Doda: Ta harrojnë arrogancën me PDIU-në, Rama dhe Basha të gjejnë gjuhën

10:36 - 04.04.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




“Opozita duhet të ketë të gjithë masat e sigurisë që ajo kërkon ndaj Rama dhe Basha duhet të ulen bashkë dhe të gjejnë modalitetet me qëllim që shqiptarët të votojnë të qetë”. Ishte kjo deklarata e Sekretares së Përgjithshme të PDIU-së Mesila Doda, gjatë një takimi në Njësinë Administrative Bubq, në Fushë-Krujë. E shoqëruar edhe nga kryetari i PDIU-së në Durrës, Krenar Lasko, Sekretari Organizativ i PDIU-së, Alfred Deshati dhe kreu i PDIU-së në Krujë, Skënder Gjoni, znj. Doda theksoi se:

“Gjatë këtyre 25 viteve që ne kemi qenë pjesë e politikës shqiptare kemi parë momente dramatike, kemi parë momente edhe më të mira, edhe më të këqija, kemi parë arritje të jashtëzakonshme, si heqja e vizave, por kurrë si asnjëherë më parë nuk ka rastisur si tani. Ende nuk e dimë nëse do shkojmë në zgjedhje dhe me çfarë formule do shkojmë. Kjo për fat të keq është fatura që po i jepet shqiptarëve nga partitë e mëdha, të cilat kanë arritur të bëjnë një sistem që nuk i shërben qytetarit, por këtyre forcave politike dhe në një moment të caktuar arrin të kapin peng njëra-tjetrën, duke krijuar situata dramatike për shqiptarët.

Deputetja Mesila Doda përsëriti thirrjen e PDIU-së për dialog, në mënyrë që Rama dhe Basha të ulen në një tavolinë për një pakt kombëtar.

“PDIU ka këmbëngulur gjatë gjithë kohës që të kemi një proces zgjedhor normal, të qetë, të sigurt dhe me një sistem që është i drejtë dhe e ka të barazvlershme votën për të gjitha partitë politike. Pikërisht për këtë arsye kemi këmbëngulur, e kemi rithënë dhe e themi edhe sot, se mënyra e vetme se si mund të ndërtohet një proces zgjedhor është që të paktën kreu i mazhorancës z.Rama dhe kreu i opozitës z.Basha duhet të ulen bashkë dhe të gjejnë modalitetet me qëllim që shqiptarët të votojnë të qetë, opozita të ketë të gjithë masat e sigurisë që ajo kërkon. Nga ana tjetër shqiptarët të kenë të gjithë sigurinë se për kë po votojnë dhe si do vlerësohet vota e tyre. Këtë e themi pasi gjysëm milioni vota që shkojnë për partitë e vogla prodhojnë 0 deputetë. Për këtë arsye kemi kërkuar ndryshimin e sistemit. Nuk ka asnjë shpjegim se pse kjo formulë që është sot në fuqi, do duhet të na shtrëngojë të gjithëve në koalicione parazgjedhore. Unë mendoj se PDIU, por edhe partitë e tjera duhet të masim forcat tona në terren, si parti më vete. Në kushtet e sotme kjo është e pamundur dhe sot vetëm votat e partive të vogla prodhojnë 9 mandate për njërën forcë politike dhe 7 për forcën tjetër. Për këtë arsye PDIU kërkon një sistem tjetër zgjedhor, një sistem që nuk i shtrëngon forcat politike që të kapin peng njëra-tjetrën, apo që të futen në koalicione dhe të parashikojnë se kush do të jetë fituesi i zgjedhjeve. Kjo është vetëm një pjesë e propozimeve që PDIU ka ofruar në këtë gjendje kaotike ku ka shkuar politika shqiptare. Ne propozojmë një pak kombëtar për reformën zgjedhore, në mënyrë që të ndryshohet sistemi aktual.

Drejtori i Policisë dhe drejtuesit e tjerë të vendosen me konsensus nga partitë politike. Gjithashtu të bëhet zgjedhja e Presidentit me konsensus, sepse nuk kemi asnjë arsye mos ta zgjedhim me konsensus dhe të përfaqësojë një figurë reale të konsolidimit të këtij vendi. Një pakt kombëtar për reformën në drejtësi dhe integrimin. Prandaj Rama dhe Basha duhet të ulen në një tavolinë, le ti japim një fytyrë tjetër politikës shqiptare”, – u shpreh deputetja Mesila Doda.

Gjithashtu znj.Doda dënoi arrogancën e disa prej politikanëve, ndërkohë që theksoi se PDIU ka trimëruar politikën shqiptare.

“Shikoj shumë shpesh një ton arrogance e cila është e pashpjegueshme për mënyrën se si komunikojnë persona të ndryshëm, liderë të ndryshëm dhe forca të ndryshme politike. Me PDIU-në arrogancën mund ta harrojnë. Mund ta kenë me njëri-tjetrin, mund ta kenë mes vartësve të tyre, me kë të duan, por PDIU është një parti, e cila është krenaria e këtij vendi. Sikur mos të ekzistonte PDIU do të duhet ta kishin krijuar 10 herë, 100 herë, vetëm e vetëm që të trimëronte klasën politike shqiptare përballë presioneve herë të grekut, herë të serbit dhe herë të maqedonasit”,- tha sekretarja e Përgjithshme e PDIU-së Mesila Doda.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.