KULTURË

Redon Makashi: Frankos i merrja borxh kitarën për në emisione

08:21 - 04.04.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 




Fatmira NIKOLLI

Frankon e njoh që kur kam qenë fëmijë. Kemi qenë afër. I vëllai i Frankos, Ferdinandi, babai i Rozanës, ka qenë shumë afër me familjen time. Kemi qenë më shumë se të njohur, kishim lidhje e hyrje-dalje familjare. E mbaj mend Frankon që kur këndonte me kitarë. Unë isha fare kalama”.

Këngëtari i njohur Redon Makashi rrëfen një miqësi e një njohje që zë fill me kujtimet e tija të para. Një kitarë dhe një këngëtar i njohur që shpërndante tingujt e saj nëpër dhomë.

Dje, kur tanimë lajmi i shuarjes së Françesk Radit trishtoi botën e muzikës, Redon Makashi, tha për “GSH” se dëshiron ta mbajë mend si atëherë, një këngëtar me kitarë, një këngë e Çelentanos e këngët e tij më të njohura.

“Hynim e dilnim te shtëpitë e njëri-tjetrit. E njoh që herët, kam shumë kujtime me të. Ndaj edhe humbja është më e madhe. Familja ime, edhe më e lidhur me familjen e Frankos sesa unë, me Teftën e jo vetëm”, – tha Makashi për “GSH”.

Ai kujtoi se kanë qenë së bashku në shumë aktivitete dhe se shpesh atij i merrte hua edhe kitarën, në kohën kur nuk kishte vegla muzikore. “Me Frankon kemi qenë shpesh nëpër aktivitete. Unë kam shumë kujtime të bukura me të. Në kohën kur ne nuk kishim vegla muzikore, unë i merrja atij kitarën për të performuar diku në ndonjë emision. Kujtime të hershme”.

BREZI I ARTË

DHE IMAZHI I FUNDIT

Kur e pyet nëse Radi e ka nxitur Makashin të rendë drejt muzikës, ai përgjigjet se, pa dyshim që po. “Më ka nxitur, sigurisht, drejt muzikës. Ka qenë një brez që kanë bërë revolucion në kohën e tyre me muzikën e tyre. Jo vetëm me Festivalin e 11-të. Kanë qenë një brez ku pjesë e tyre ka qenë edhe Franko”, – tha Makashi. Ai kujtoi se “kur humbim njerëz të këtij kalibri, është e dhimbshme. Sepse këta kanë vënë një tullë të madhe në muzikën shqiptare. Është një vend bosh që vetëm Franko dinte ta mbushte”.

Pasi u sëmur, Makashi ka zgjedhur të mos shkojë ta shohë. Jo vetëm se lamtumirat janë të vështira, por se në sytë e tij, ka dashur të ruajë një tjetër imazh.

“Nuk e kam takuar këto ditë që ka qenë sëmurë. Nuk shkova dot në spital. Sigurisht, familja ime shkoi, por unë jo. Nuk doja ta shihja të sëmurë. Dua ta mbaj mend ndryshe. Dua ta kujtoj siç di unë, në skenë e në koncerte. Dua ta kujtoj me kitarë. Nuk do mundja ta shihja të sëmurë. Dua të mendoj se është në shtëpi, se po merret me punët e veta, në koncerte”, – sqaroi Redon Makashi për “GSH”.

ARTISTI NUK VDES

“Kur më lajmëruan në telefon, m’u duk e pabesueshme, e çuditshme. Nuk e di pse, por kisha një shpresë se do e kalonte, me vështirësi, por mendoja se do e kalonte”. Makashi ende nuk e beson se ai ka ikur. Megjithatë, në ditët e fundme të jetës së këngëtarit, së paku, solidariteti nuk mungoi. “U bashkuan të gjithë, politikanë të majtë e të djathtë, e biznesmenë për të investuar e për ta shpëtuar. Kjo më pëlqeu, t’ju them të drejtën. Doktorët nuk ishin gati ta lëviznin, sepse nuk lejohej. Por kisha shpresë. Është e rëndë dhe e pabesueshme”, – thotë Makashi. Ai shton se “gjithmonë dua ta mbaj mend ashtu, kur unë isha fëmijë dhe ai këndonte me kitarë Çelentanon në shtëpinë e Rozit e Ferdinandit”. Në fund, vetë Makashi pranon se këndon disa këngë të tij, si “Biçikleta”. “E kemi kënduar bashkë me Pandi Laçon në emision të tre. Kam kujtime e bashkëpunime.

Ka një gjë me artistët, të duket sikur nuk kanë vdekur”, – thotë për “GSH” Makashi.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.