Kryesore

Opozita ideon “qeverinë teknike”, para se të nisë dialog me Edi Ramën

22:33 - 05.04.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Në kampin e djathtë po bëhen gati për dialog me Edi Ramën. Ftesat e përsëritura nga shefi i qeverisë e kanë bindur Lulzim Bashën për të negociuar. Në fjalimin që mbajti këtë të martë para kryeministrisë, Basha nuk e përmendi në asnjë moment togjalëshin “qeveri teknike”. Nga ana tjetër edhe Rama në mesazhin e shkurtër që i dërgoi herën e fundit shprehej se ishte gati të fliste “për gjithçka”.

Nga të dy ka një tërheqje të fjalorit të ashpër, që do të acaronte atmosferën dhe do të shtonte nervozizmin e padobishëm në tryezë.

Lulzim Basha mblodhi me urgjencë aleatët e koalicionit të djathtë në selinë blu, gjatë mbrëmjes, për të diskutuar se çfarë qëndrimi duhet mbajtur me Edi Ramën.

Në mbledhje është diskutuar konkretisht për organizimin dhe mandatin e “qeverisë teknike” që kërkon opozita. Burime të pakonfirmuara thanë se është projektuar figura e kryeministrit të këtij ekzekutivi të supozuar tranzitor, për organizimin dhe zhvillimin e zgjedhjeve parlamentare të 18 qershorit.

Basha dhe aleatët kanë rënë dakord që kryeministri i qeverisë teknike të jetë një figurë me profil jo politik. Kjo pritet të parashtrohet edhe në tryezën e pritshme të dialogut mazhorancë-opozitë në ditët në vijim.

Një mundësi e dialogut, është në nivel koalicioni. Pra në tryezë nuk do të ulet vetëm Rama, Basha apo Meta, por edhe aleatë të tjerë të tyre.

Formati i takimit do të jetë në dorë të të dy krahëve, me përfaqësues 3 me 3 ose 5 me 5.

Gjatë paradites, Lulzim Basha ishte i qartë se nuk do të pranonte të bënte asnjë pazar të fshehtë me Ramën, megjithëse i ishin ofruar ato që ai i cilësoi si ‘llokma të pushtetit’.

“Nëse do ketë dialogun politik, që e kemi kërkuar, nuk do kthehet kurrë në një pazar të pisët të disa politikanëve të opozitës me disa të maxhorancës që të vazhdojë komploti politik, vjedhja, korrupsioni. Por të jetë dialogu politik që përmes standardit europian që përmes zgjedhjeve të lira e të ndershme qe jane themeli i gjithckaje do i japë fund fund Republikës së Vjetër, mënyrave të vjetra e gjithçkaje të kalbëzuar në këtë vend që mban peng shpresat, interesin e zhvillimin e shqiptarëve”, tha Basha.

Në kampin tjetër ka pasur takime të vazhdueshme për të ulur sa më shumë tensionet brenda koalicionit qeverisës.

Në mëngjes Rama u takua me Ilir Metëm në zyrën e këtij të fundit, për rreth 1 orë e gjysëm.

Më pas shkoi në kryeministri pranë  bashkëpunëtorëve të ngushtë, Veliaj, Tahiri, Bushati, Peleshi, Xhafaj dhe me kryetarin e grupit të PS, Gramoz Ruçi.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.