Kryesore

Rama ulet me Shpëtim Idrizin për 7 pikat e dialogut me opozitën

18:56 - 05.04.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Kur i duhet të marrë një vendim për zgjidhjen e krizës politike dhe institucionale në vend, Edi Rama gjen Shpëtim Idrizin. Kreu i PDIU propozoi një platformë që do të shtrohej në tryezën e dialogut mes krerëve të partive politike dhe që çon drejt një marrëveshjeje mes tyre. Mësohet se Rama qëndroi për rreth një orë me Idrizin dhe prite të dalë me një qëndrim.
Shpëtim Idrizi ka propozuar një platformë me shtatë pika, ku nuk përfshihet opsioni për qeveri teknike apo qeveri besimi.

“Kthimin e Opozitës në Parlament për miratimin e akteve ligjore, që do i hapnin rrugën zbatimit të Reformës në Drejtësi, përparimit të vendit në Integrimin Europian dhe realizimin e disa ndryshimeve në kuadër të legjislacionit zgjedhor dhe masave të tjera, për të siguruar atmosferë të qetë dhe të besueshme, për zgjedhjet e 18 qershorit.

Garantimin e rolit të paanshëm në zgjedhje të Policisë së Shtetit…”, – citon Idrizi.

Në të njëjtën kohë, kreu i PDIU-së fton palët për ndryshimin e sistemit zgjedhor në sistem proporcional me një zonë zgjedhore. Kjo formulë, sipas tij, do t’i jepte mundësi reale garës së forcave politike jashtë koalicioneve.

Kryetari i PDIU-së propozon gjithashtu depolitizimin e anëtarëve të KZAZ-ve, KQV-ve dhe GNV-ve, ose rritjen e numrit të anëtarëve në komisionet e numërimit, me përfaqësues të partive parlamentare.

Idrizi sugjeron krijimin e “një grupi të posaçëm me urdhër administrativ të Prokurorit të Përgjithshëm, krijimin e një ‘task force’ prokurorësh të atashuar pranë KQZ-së, e cila ka për detyrë të hetojë në mënyrë urgjente të gjitha sinjalizimet për blerje vote, kërcënim, intimidim etj. Gjithashtu, edhe dërgimin e çështjeve të lidhura me cenimin e procesit zgjedhor brenda 24 orësh në gjykatë, duke ashpërsuar masat për ‘krimin elektoral’. PDIU-ja kërkon gjithashtu “ngarkimin e një strukture inxhinierike konsensuale që do të përgatisë në mënyrë urgjente një projekt teknik, për variantet e mundshme të realizimit të numërimit elektronik, apo edhe vlerësimin e mundësive të realizimit të votimit elektronik, nëse ai konsiderohet i sigurt dhe i mundshëm në kohë, në një procedurë të miratuar në mënyrë konsensuale nga të gjitha partitë parlamentare”.

Një tjetër pikë e propozuar nga PDIU-ja lidhet edhe me zgjedhjen konsensuale të Presidentit të ri të Republikës, që sipas Idrizit duhet të arrihet përmes thirrjes së tryezës së partive politike parlamentare.

Idrizi fton gjithashtu ndërkombëtarët. Ai nënvizon në propozimin e tij se “për arritjen e kësaj zgjidhjeje do të kërkoja dhe mirëprisja bashkëpunimin e përfaqësive diplomatike të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bashkimit Europian, OSBE-së, dhe vendeve të tjera anëtare të BE-së”.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.