KULTURË

Gjuha e drunjtë, përgjigjja e një kërkese për informacion

09:28 - 06.04.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




 

Fatmira NIKOLLI

 

Ndonëse në zonën arkeologjike A të kalasë së Tiranës, shpallur e tillë me vendim qeverie, tanimë është miratuar ndërtimi i një pazari; qoftë zëri zyrtar, qoftë llogaridhënia zyrtare nga Ministria e Kulturës ka munguar. Ky zë mungoi edhe në formën e një sqarimi për opinionin publik se pse u pa e nevojshme të ndryshohet rregullorja, pse MK e propozoi ndryshimin, a po respektohet rregullorja e re dhe në ç’kushte po punohet.

Përndryshe, Ministria e Kulturës nuk e ka reklamuar këtë vendim me krenari, siç bën, për shembull kur shpall zona të mbrojtura, qendra historike, kur nis restaurime a më gjerë, çka për hir të së vërtetës nuk kanë munguar, me gjithë kontestimet. Ndërsa hijet e lejeve a vendimeve si ky zënë dritën e restaurimeve që përshëndeten së gjëri, heshtja e moskomunikimi nuk i shuan kritikat, ajo veçse u jep atyre më shumë argument.
“GSH” ka botuar më herët dy lejet e dhëna përkatësisht nga Këshilli Kombëtar i Restaurimeve dhe nga Këshilli Kombëtare i Arkeologjisë – të dyja vendimet merreshin bazuar po në një vendim qeverie, por tanimë një vendim i 20 prillit 2016, i cili duke ndryshuar rregulloren e Zonës Arkeologjike A të kalasë së Tiranës, i hapte rrugë një ndërtimi.

“GSH” ka botuar edhe intervistën e investitores, ndërsa u është drejtuar me pyetje Institutit të Monumenteve të Kulturës dhe Agjencisë së Shërbimit Arkeologjik për të sqaruar situatën, vendimet dhe më gjerë. Pyetjet tona kanë marrë përgjigje nga Agjencia e Shërbimit Arkeologjik, një përgjigje e drunjtë si vijon:
PËRGJIGJJA
E nderuar Znj.Nikolli,
Në mbështetje të ligjit nr.119/2014 “Për të Drejtën e Informimit”, neni 3, pika 2, ju sqarojmë se:
– Në akt-marrëveshjen mes jush e familjes Toptani, për çfarë është rënë dakord?
1. Në vijim të vendimeve, përkatësisht Nr.273, datë 30.08.2013 dhe Nr.91, datë 22.07.2016, të KKA, si dhe në zbatim të pikës 2 të vendimit Nr.91, datë 22.07.2016 të KKA, më datë 12.12.2016, me Nr.1256 prot. është lidhur aktmarrëveshja, objekti i së cilës është: “…rregullimi i marrëdhënieve juridike ndërmjet palëve për mbikëqyrjen arkeologjike nga Agjencia e Shërbimit Arkeologjik të punimeve të zbatimit të projektit ‘Pazari i Tiranës’, i ndodhur në zonën arkeologjike ‘A’ të kalasë së Tiranës”.
– A u bënë sondazhe arkeologjike para nisjes së ndërtimit? Çfarë të dhënash dolën? – Kur janë bërë sondazhet? A mund të kemi një raport?
2. Vendimi Nr.91, datë 22.07.2016 i KKA mbështetet në VKM Nr.303 datë 20.04.2016, e cila përcakton llojin dhe kushtet përkatëse të vendosjes së konstruksioneve. Në vijim aktmarrëveshja dypalëshe, objekti i saj, si dhe detyrimet e palëve respektojnë vendimin e sipërpërmendur.
– Ju po e mbikëqyrni zbatimin e punimeve?
3. Aktmarrëveshja e lidhur në zbatim të pikës 2 të vendimit Nr.91, datë 22.07.2016, përcakton kryerjen e mbikëqyrjes arkeologjike të punimeve nga Agjencia e Shërbimit Arkeologjik, e cila po vijon kryerjen e saj që nga fillimi i punimeve.

GSH.al


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.