Tech

Durrës/ Shpërthejnë në port ujërat e zeza, peshkatarët: Braktisëm anijet nga era

11:10 - 06.04.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Klodian HAXHIAJ

Situatë alarmante në portin e Durrësit. Ujërat e zeza janë shkarkuar brenda akuariumit të portit, duke sjellë ndotje masive të ujit. Nëpërmjet një tubacioni, i cili nuk dihet prej ku e ka pikën e nisjes në det kanë përfunduar shkarkime të shumta me mbetje urbane dhe të ujërave të zeza, duke krijuar ndotje masive brenda basenit ujor. Ishin peshkatarët, të cilët dhanë alarmin për situatën e krijuar mëngjesin e djeshëm.

Një prej peshkatarëve tha se, “shpeshherë ka pasur shkarkime, por kësaj here shkarkimet kanë qenë shumë të larta e të paprecedenta. Madje, peshkatarët pohuan se u është dashur të braktisin anijet për shkak të erës së rëndë dhe ndotjes së ujit të detit. “Nuk e dimë nga vijnë nga qyteti apo nga porti, por këto shkarkime bënë që për tri orë në mëngjes të braktisnim anijet, sepse nuk mund të rrihej nga fekalet që mbushën detin. Është turp i madh të ndodhë kjo”, u shprehën disa peshkatarë.

Pas sinjalizimit për ndotjen masive, Drejtoria e Mjedisit në portin e Durrësit nisi në vendngjarje një grup inspektimi. Kreu i Mjedisit, Eneo Hasa deklaroi për “GSH” se kjo është hera e parë që bëhen shkarkime të ujërave të zeza dhe se nuk dihet se si përfunduan ato brenda në det. “Nuk dihet nëse ujërat e zeza kanë përfunduar si rezultat i një manovre të gabuar nga ndërmarrja e ujësjellës-kanalizimeve apo nëse janë hedhur nga ndonjë anije në kanalizimin e rrjetit të ujërave të bardha e përfunduan në det. Situata do të hetohet për të parë se prej ku nis ky tubacion i shkarkimit të këtyre ujërave në kalatën lindore të portit”, pohoi Hasa. Drejtoria e Mjedisit, sigurimit teknik, epidemiologjik dhe emergjencave mori mostrat e ujit të basenit për të bërë analizimin e shkallës së ndotjes bakteriale.

Ndërkaq, Policia e Sigurisë Portuale dhe përfaqësuesit e ujësjellësit kanë mbërritur në kalatën lindore me kërkesë të Drejtorisë së Mjedisit. Në lidhje me ndotjen në port kanë reaguar edhe drejtues të Ndërmarrjes së Ujësjellës-Kanalizimeve në Durrës. Elton Doda, inxhinier i kësaj ndërmarrjeje mohoi kategorikisht që shkarkimi i ujërave të zeza të jetë bërë nga ndërmarrja e kanalizimeve të qytetit. “Ndonjë anije ose traget mund t’i ketë derdhur në rrjetin e ujërave të bardha dhe kanë përfunduar në akuarium”, pohoi Doda.

Sipas inxhinierit, problemi qëndron në faktin se tubacioni shkarkues nuk dihet se kur është ndërtuar dhe prej ku zë fill, por asnjë prej punonjësve të kanalizimeve nuk ka bërë asnjë manovër për të shkarkuar ujërat e përdorura në rrjetin e kanalizimeve të portit”.

Gazeta Shqiptare


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.