SPORT

Çmenduri në “Selman Stërmasi”, Partizani luan 5 orë pas Kosovës  

09:55 - 07.04.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Çmenduritë e futbollit shqiptar nuk kanë të sosur dhe të shtunën do të luhet seria e radhës. Kjo është java e masakrimit të stadiumit të vetëm të kryeqytetit. Përveç ndeshjeve të Partizanit dhe Tiranës, “Selman Stërmasi” duhet të mbajë edhe barrën e disa ndeshjeve të paraeliminatoreve të Kupës së Botës 2019 për femra të Grupit B, ku bën pjesë Kombëtarja jonë, raporton “Panorama Sport”.

Fillimisht ishte përcaktuar se Partizani do të lunte të dielën dhe Tirana të hënë dhe e shtuna ishte në dispozicion të ndeshjes së femrave Greqi-Kosovë. Ndërhyrja e Tiranës ka bërë që “Selman Stërmasi” të jetë pushim të dielën, në mënyrë që fusha e stadiumit të ketë kohë rikuperimi për një ditë, përpara sfidës së tyre me Teutën.

Partizani ka pranuar që ndeshja e tyre të zhvendoset 24 orë më herët, por skandali qëndron se, pesë orë para përballjes së “demave” me Luftëtarin, ka mbaruar ndeshja mes Greqisë dhe Kosovës. U quajt masakrim i “Selman Stërmasi”-t fakti se do të luheshin 5 ndeshje në 5 ditë, por më ekstremja u mësua dje, ku të shtunën do të luhen 2 ndeshje brenda 9 orësh në këtë stadium.

Pra, të shtunën, fusha e stadiumit të vetëm të kryeqytetit pritet që fillimisht të “plugohet” nga femrat e Greqisë e Kosovës dhe, 5 orë më pas, e kanë radhët “demat e kuq” dhe gjirokastritët që ta diskojnë. Ajo që do të ndodhë të shtunën në fushën e stadiumit “Selman Stërmasi” u shkon përshtat proceseve të punës në bujqësi dhe jo të mbarëvajtjes së aktiviteteve sportive.

Mësohet se justifikimi qëndron se femrat nuk e prishin fushën, kështu që është më mirë që terreni të mos përballojë dy ditë rresht ndeshje meshkujsh, siç ishte në program: Partizani-Luftëtari të dielën, si dhe Tirana-Teuta të hënën.

Partizani ka pranuar më mirë të luajë të shtunën në kryeqytet, pas ndeshjes së femrave Greqi-Kosovë, sesa ndeshja me Luftëtarin të zhvendosej jashtë Tiranës. Pakti i këtij absurditeti është arritur me akordin e të dy klubeve të kryeqytetit, si dhe FSHF-së, që është organizatorja dhe përcaktuesja e kalendarit të Kategorisë Superiore.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.