KULTURË

Fatos Lubonja, rrëfimi për letërsinë: Lëre ç’thonë, burgu të shkatërron, nuk të forcon

13:00 - 07.04.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




 

Fatmira NIKOLLI

 

Fatos Lubonja ka qenë i ftuar të mërkurën në serinë e takimeve “Letërsia e qyteti”, të Beti Njumës e Alda Bardhylit. Nisma e mbështetur nga Ministria e Kulturës, që në thelb ka ballafaqimin me të shkuarën e letërsinë, solli në vëmendje këtë herë veprat e Fatos Lubonjës, ish-i burgosur në diktaturë.

Ai kujtoi se ka qenë pasadoleshenca kur në vend që të merrej me Marksin e Engelsin, sipas porosive të kohës, i ra në dorë nga daja një libër i Niçes, ku edhe mësoi tri mënyrat e të parit të historisë sipas tij.

Lubonja pohoi se gjurmë tek ai kanë lënë autorët e mëdhenj dhe se përmes tyre filloi ta shihte letërsinë ndryshe. Duke kujtuar se pati filluar të botonte në “Zërin e Rinisë”, vërejti se ndryshimi i madh në jetën e tij, erdhi së pari, kur arriti të njohë realitetin. “Pashë që klasa punëtore nuk ishte ajo që na thoshin. Ne e imagjinonim ndryshe, aq sa na dukej vetja të vegjël para klasës punëtore. Kur pashë se si ishin ata në të vërtetë, aq të vuajtur, fillova të vuaja dhe fillova të mbaj ditarë. Ata ditarë më futën në burg, se ata u gjetën”.

I pyetur për letërsinë në vitet e burgut, Lubonja tha se nuk do që ta ndajë letërsinë nga jeta e tij.

“Dëshira për letërsinë ka qenë e rëndësishme për të mbijetuar në burg. Burgu të shkatërron, ndryshe nga ideja romantike që ekziston se të forcon. Ka një filozofi jete në fund fare, që më ka drejtuar në burg për të mbijetuar. Francezët kanë një fjalë, destine- gjithë seria e ngjarjeve që ndodhin në jetë. Për ta ndarë destinin me destinacionin, ka ngjarje që lidhen me vullnetin tënd, e të tjera që janë kundër tij. Duhet që fatin tënd, destinin tënd, ta bësh destinacionin tënd. Që lindja në Shqipëri ishte destini im, e që ta bëja këtë destinacionin tim, do të thotë t’i jap kuptim. Destini im qe burgu, e duke shkruar për të, e bëra destinacionin tim- letërsia që ka ardhur më vonë ka qenë destini i bërë destinacion”.

DITARI I BURGUT

I pyetur nga Njuma e Bardhyli, Lubonja foli edhe për ditarët e burgut. “Në atë kohë unë kam qenë në burgun e Burrelit. Kisha mundësi që të shkruaja. Jeta me librat ishte jeta jonë, sepse nuk kishim jetë reale. Aty kam shkruar ‘Ploja e mbrame’ pasi kisha lexuar ‘Edipi Mbret’. Mendova të mbaja ditar sepse po ndodhnin ngjarjet që përgatitën rënien e regjimit. Kam vënë letrat me familjen, përjetimet, çfarë ndodhte”. Sa i takon veprës “Ploja mbrame” që doli nga burgu e shkruar në fletë cigaresh, Lubonja, kujtoi se ishte traditë në burg që librat kopjoheshin me shkrim dore. “Unë atje lexova ‘Edipin mbret’. Dhe referuar subjektit të saj, komunistët në vend që të bënin atë që bëri Edipi- bënë të kundërtën. Komunistët e kuptuan që ishte gabim, por në vend që ta pranonin se janë shkaktarët e asaj që ndodhte e të çirrnin sytë, bënë gjithçka për të mbajtur diktaturën. Ndaj unë mora dramën ku Edipi i vret të tërë derisa mbetet vetëm. Shpesh ai që vjen si shpëtimtar bëhet shkaktar. Veprën e kopjova në letra cigareje që u futën në kurrizin e një fjalori dhe u ngjitën. Kështu u ruajtën”, – tha Lubonja.

LETËRSIA E

REALIZMIT SOCIALIST

Mbasi vërejti se nuk i pëlqen fjala “letërsi burgu”, kujtoi se ka shumë autorë që kanë shkruar për burgun. Ai përmendi Primo Levin që ka shkruar për holokaustin. Sipas tij, letërsia e realizmit socialist që nuk ka treguar atë që ndodhte në atë kohë, ajo nuk tregon as jetën e as emocionet e njerëzve në atë kohë. “Ajo ka munguar, nuk është treguar. Është bërë propagandë. Dhe letërsia e shkruar për atë kohë përmbush përshkrimin e jetës së atëhershme”, – tha Lubonja.

Ai shtoi se në karakteristikat e saj letërsia e realizmit socialist ka bërë realitet virtual. “Edhe historia po ashtu. Është një letërsi që e ka bërë njeriun të mos kuptojë mjerimin e kohës. Po të lexosh atë letërsi, nuk kupton mjerimin në komunizëm. Po të lexosh historinë e lavdisë së popullit shqiptar, po ashtu. Na duhet letërsi e histori e vërtetë. Kjo s’do të thotë se duhet hequr. Letërsia qe e komanduar nga partia. Temat ishin të caktuara, ishte miti i luftës, klasa punëtore, ndërtimi i socializmit”, – tha ai.

LIBRI QË VEÇON

I pyetur për librin që veçon, Lubonja tha se e ka të vështirë ta thotë. “Ka njerëz që thonë se lindën antikomunistë. Megjithatë nuk qe ashtu. Kam lexuar atë kohë edhe Kadarenë, edhe Agollin. Bëheshin në shkolla dhe sigurisht kishin teknikat e tyre, të fusin atë që e quajta dëshirën për t’u bërë letrar. Pastaj kur njoha jetën, mendoj se ajo që më ka zgjuar nga shpëlarja e truve ka qenë njohja e realitetit. Në Laç nuk gjeta klasën punëtore që na ishte thënë se kishim. Nuk ishte ajo që na drejtonte. Kur pashë atë klasë punëtore, mjerane e injorante, pësova shok”.

Ai veçoi më tej autorë të mëdhenj si Shekspiri, Hygoi, Tolstoi, Gëtja, që ishin libra me vlerë për të. “Libri që mbaj si kampion është ‘Don Kishoti’, që atëherë u keqinterpretua. I ishin referuar Don Kishotit si një njeri që donte të kthente kohën mbrapa. Në fakt, ai është njeriu që lufton me realitetin për ta ndryshuar dhe zhgënjehet”, – tha Lubonja.

STOICIZMI

“Unë nuk kam qenë stoik. Jo. Se përderisa mbetëm gjallë jemi përkulur”. Lubonja kujtoi se Shqipëria ka pak njerëz që kanë vdekur për të vërtetën, dhe mes tyre ai përmendi gazetarët Fadil Kokomani dhe Vangjel Lezho. Për ta, ai tha se askush nuk kujtohet. “Ishin gazetarë. Këtu duhet të jetosh me gënjeshtrën. Unë s’pata guxim ta bëja atë letër. Më duket vetja i vogël para tyre. Kjo botë duhet të ketë edhe të çmendur”, – u shpreh ai.

Publicisti tha se diktatura na bëri fëmijë. “Ne shtynim vagonë. Pra bashkëpunonim. Se po të ishim trima, nuk i shtynim. Kulturën me të cilën e matim të kaluarën e kemi të gabuar. Shoqëria jonë i traumatizon njerëzit. Ndërtohet një vete false”.

SHQIPËRIA 2017

Shqipërinë e ditëve tona, Lubonja tha se e sheh në një krizë që vjen nga një sëmundje. “Ata fëmijë që dolën të traumatizuar nga diktatura janë të papërgjegjshëm, se përgjegjësinë e mbante Babai i madh. Këta fëmijë u njohën me idenë se nuk ka shoqëri- ka individë; u lëshuan të marrin gjithçka pa mbajtur përgjegjësi”.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.