EKONOMI

Anketimi i parë, 74% e studentëve: U penalizuam nga ndryshimi i kritereve

08:15 - 08.04.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Ola MITRE

 

Rreth 74% e studentëve të vitit të parë, në universitetet publike e private, thonë se ‘janë penalizuar nga ndryshimi i papritur i kritereve të pranimit, vitin e kaluar'”. Të dhënat i përkasin anketimit me rreth 400 studentë, të realizuar nga lëvizja “Për Universitetin”, i cili kishte në fokus perceptimin e tyre rreth përzgjedhjes së fituesve në universitete. Sipas kësaj organizate, “Ishte ndryshimi i papritur i kritereve dhe përdorimi i formulës së re (raundet dhe post-raundet e shumta) nga MAS-i, që krijoi një situatë kaotike dhe pasigurie te studentët. Kështu, me këtë pyetësor synojmë të hetojmë ndikimin që pati ndryshimi i kritereve dhe i mënyrës së regjistrimit te studentët”. Sa i takon metodës së përdorur, për ta paraqitur këtë gjendje, nuk është ajo e analizës së drejtpërdrejtë të formulës apo kritereve në vetvete, por vëzhgimi dhe analizimi i pasojave dhe ndikimit që formula dhe kriteret e reja kanë pasur te studentët. “Pyetja direkte e vetë studentëve është mënyra më e përshtatshme për të pasur një panoramë sa më të gjerë dhe sa më të qartë të gjendjes së përgjithshme të krijuar nga formula dhe kriteret e regjistrimit në universitete. Pasojat e këtij procesi jemi përpjekur t’i matim me anë të një pyetësori, i cili përmban si pyetje sasiore ashtu dhe cilësore, gërshetimi i të cilave na ndihmon që problemin ta rrokim në tërësinë e tij, si në aspektin formal, të matshëm në mënyrë sasiore, ashtu edhe në atë subjektiv”, thuhet në publikimin e bërë nga organizatorët e këtij anketimi.

Anketimi

Numri total i studentëve të intervistuar është 385. Mes tyre, 91 intervista janë të plotësuara online, në mënyrë elektronike, duke arritur edhe studentë nga universitete të qyteteve të ndryshme. Kështu, 16.4% e të intervistuarve janë studentë nga universitetet “Fan Noli” i Korçës, “Luigj Gurakuqi” i Shkodrës, “Aleksandër Xhuvani” i Elbasanit, “Aleksandër Moisiu” i Durrësit dhe “Ismail Qemali” i Vlorës. Pjesa tjetër janë nga Universitetit i Tiranës, Universiteti Mjekësor i Tiranës, Universiteti Politeknik i Tiranës, Universiteti Bujqësor i Tiranës, dhe nga universitetet e ndryshme private. Pas përpunimit të të dhënave, rezultoi se sipas 86% të studentëve, ndryshimi i kritereve është i padrejtë, ndërkohë që për 72% të tyre kriteret nuk janë vendosur në mënyrë të drejtë. “Arsyeja kryesore se përse ish-maturantët i vlerësojnë negativisht, si ndryshimin e kritereve, ashtu edhe futjen e kritereve të reja, buron nga fakti se i tërë mundi, e tërë përgatitja dhe thellimi disavjeçar në njohuritë e tyre në lëndë të caktuara, që me sistemin e mëparshëm përbënin kriter kryesor për t’u regjistruar në degën e preferuar, nuk janë marrë pothuajse aspak në konsideratë nga senatet e universiteteve gjatë caktimit të kritereve të reja. Megjithatë, në thelb, ky penalizim vjen si pasojë e shpalljes me vonesë të kritereve nga ana e universiteteve. Diçka e tillë ua ka pamundësuar maturantëve t’i përshtatnin pozitivisht studimet e tyre në përputhje me kriteret e reja”, thuhet në studim. Ndërkohë që, për të kuptuar më qartë ndikimin që përcaktimi i kritereve ka pasur në zgjedhjet e studentëve, ata u pyetën nëse janë penalizuar ose jo nga mospërfshirja në kritere e lëndëve me zgjedhje. Rreth 73.9% e studentëve janë përgjigjur se janë penalizuar, kurse shifra e të papenalizuarve arrin në 20.8%. Mospërfshirja e këtyre lëndëve në kritere duket se ka pasur një ndikim të madh edhe në fitimin e degës së preferuar, pasi nga të dhënat rezulton se rreth 64% e tyre nuk e kanë fituar preferencën e parë. Ndërkohë që, 70% e atyre që janë penalizuar nga mospërfshirja në kritere e lëndëve me zgjedhje, përgjigjen që e kanë fituar degën e tyre vetëm pas raundit të parë. Në total, studentët iu përgjigjën 16 pyetjeve, ndërkohë që sipas lëvizjes “Për Universitetin”, “ky proces regjistrimi nuk dëshmon thjesht paaftësinë e qeverisë, por edhe frymën favorizuese e klienteliste që ka ndjekur qeveria me disa universitete private, që ka nisur që prej ngjizjes të ligjit të arsimit të lartë në vitet 2014-2015, e gjitha në kurriz të studentëve dhe universiteteve publike.” “Vërejmë gjithashtu, se i tërë procesi, që nga formula e aplikuar e deri te kriteret, ka qenë i stisur në të atillë mënyrë që jo vetëm të cenohej merita e preferenca, por nga kaosi, pasiguria dhe frika, studentët të regjistroheshin në universitetet private pa dëshirën e tyre”, shton kjo organizatë, duke theksuar se këto janë pasojat e skemës së regjistrimit të studentëve.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.