POLITIKË

“Qeveri pabesie”/ Spiropali: Kujton se i di të gjitha. Mehmetaj: Drejtësinë nise nga vetja

22:00 - 08.04.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Elisa Spiropali dhe Kejdi Mehmetaj u përfshinë sot në një debat, pas ironisë që Sekretarja për Rininë e PS-së bëri nga Apollonia me “qeverinë e pabesisë”. Nënkryetarja e LSI-së reagoi duke u shprehur se falë besimit të LSI-së do t’i vijë radha edhe asaj të besojë.

Fill pas deklaratës së deputetes, Elisa Spiropali ka replikuar përsëri. Nëpërmjet një statusi, ajo i kujton Mehmetajt aleatin e dikurshëm, PD, duke thënë se janë në krizë të thellë. Më tej Elisa i ka thënë deputetes se pjesë e sukseseve të qeverisë Rama janë edhe ata, edhe pse po flasin “sikur u janë mbytur gjemitë”. Më poshtë, lexoni të gjitha replikat mes vajzave politikane, në rend kronologjik.

Statusi i Kejdi Mehmetajt

Mendim…

“Nuk e kuptoj çfarë e shqetëson kaq shumë Elisa Spiropalin me besimin. Falë besimit dhe përgjegjshmërisë do të mund ti vijë radha edhe Elisës këto zgjedhje. Falë besimit që ne propozojmë dhe dekriminalizimit do dalin nga skena politike ca të tjerë të partisë së saj që nuk i hapnin rrugë.

Megjithatë Elisa, edhe në qoftë se të komplekson besa jonë, dëgjo thirrjen e atyre qindra FRESSHI-stëve në Apolloni që me gjithë çiltërsinë e moshës ju thanë se janë lodhur nga kjo kokëfortësi dhe ky negativitet që shpërndani kot dhe se e duan qeverinë e besim më shumë se kushdo tjetër.”

Ps. Të rinjtë e FRESSH-it do të ishin shumë më të suksesshëm nëse do të përfaqësoheshin nga bashkë moshatarë të tyre. Mos vazhdoni më të përdorni skenat e tyre, hapësirat e tyre, për të shpërndarë mentalitet të vjetër e për të marrë vëmendje të pamerituar.

Statusi i Elisa Spiropalit

“Kejdi, nuk dua të debatoj me ty se kam qenë në moshën tënde kur kujtoja se i dija të gjitha. Po meqë më kishe përmendur freshistat në Apolloni, po të shkruaj thjesht që t’i ta dallosh shprehjen e humorit nga shprehja e besimit! Të rinjtë e Fressh, dhe jo vetëm, në Apolloni e në gjithë Shqipërinë, janë në këtë betejë sepse besojnë tek Edi Rama dhe Partia Socialiste.

Duart e tyre të ngritura nuk ishin nje aprovim për propozimin surrealist të qeverisë së besimit pa besimtarë, po për të shprehur besimin tek qeveria e sotme e Edi Ramës, ku çuditërisht megjithëse jeni edhe ju pjesë e suksesit, po bëhen javë që flisni sikur u jane mbytur gjemitë! Asgjë nuk ka ndodhur Kejdi, thjesht aleatët tuaj të dikurshëm janë në krizë të thellë. Po kjo nuk është as hata e as çudi, sepse opozita nuk është monopol i askujt dhe zgjedhjet nuk janë detyrim paraqitje për askënd.

Asgjë nuk do të ndodhë po ashtu, me apo pa Partine Demokratike në zgjedhje. Zgjedhjet do të bëhen, shqiptarët do të votojnë, Shqipëria do të vazhdojë të qeveriset (uroj) nga aleanca jonë. Por askush nuk duhet të shpresojë dhe të ushqehet me shpresen se në 18 qershor nuk do të vendose populli po çadra e frikës nga drejtësia. Nuk e kemi shpikur ne demokracinë dhe nuk jemi të thirrur ta rishpikim. Na duhet veç të respektojmë rregullat e saj jo tekat e atyre që nuk duan rregull po rrëmujë. Me të mira”.

Statusi i Kejdi Mehmetajt

Elisa, nuk kisha asnjë dyshim që do të gjenit çdo lloj mënyre për të justifikuar situatën e djeshme. Por ja që nuk justifikohet ajo që duket me zë e figurë!

Nuk e prisja, për moshën edhe atë që përfaqëson, të kesh dëshirë ta kthesh vendin pas në kohën kur partia ishte shtet dhe zgjedhjet dilnin 97% në favor të së vetmes parti që kandidonte dhe 3% vota të pavlefshme. Po pse habitem edhe unë, kur e keni me prova se nuk ju pëlqen shumë gara me alternativa.

Unë Elisa nuk e bëj dot atë që bën ti: Të bëj kompromis kundër demokracisë, kundër arsimit dhe pro fenomeneve negative që shohim dita ditës në Shqipëri.

E kuptoj që sipas teje duhet ti bëj vërejtje opozitës, por për çfarë? Vendimet nuk i merr opozita, i merr qeveria. Ah po, po i bëj vërejtje se duhet të ishin më të vendosur në opozitarizmin e tyre, kështu mbase ato të rinjë që ti thua se besojnë te qeveria, s’do kalonin gjithë atë ankth e stres shtatorin e kaluar.

Edhe e fundit, pasi nuk më duket se ja vlen të diskutoj me dikë që për argument përdor moshën: Unë, ti, parlamenti, qytetarët e kemi për detyrë të kontrollojmë punën e qeverisë dhe të sigurohemi që po e bën siç duhet dhe jo të heshtim se ata që qeverisin janë të partive tona respektive.

Nejse, meqënëse Elisa na the që me kalimin e moshës mësove më shumë mbi çfarë thuhet apo jo publikisht, edhe njëherë miqësisht po të ftoj ti lësh moshatarët e mi të flasin vet në takimet e tyre. Të jesh e sigurtë që nuk mblidhen aty me qindra për të dëgjuar si bëni politë me ta, por për të dëgjuar veten e tyre.

Drejtësinë filloje nga vetja, pastaj kërkoje dhe gjykoje te të tjerët.

Suksese!

GSH.al


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.