Kryesore

Detaje te reja/ ‘Pse më sheh’, sherri mes ‘anglezëve’ që sapo ishin kthyer në Elbasan

11:03 - 08.04.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Ngjarja në një restorant në periferi të qytetit të Elbasanit ku u plagosen 2 vete me arme, mund të kishte përfunduar në një tragjedi më të rëndë.

Dy grupet e të rinjve që po drekonin veçmas, fillimisht kanë debatuar dhe i janë hakërryer njëri-tjetrit me fjalë e më pas kanë dalë për t’u sqaruar në ambientet e jashtme të restorantit, në zonën e parkimit, ku nisën dhe të shtënat e armëve.

Mësohet se dy kushërinjtë, K. Gjini dhe A. Gjini, kanë qenë bashkë me një mikun e tyre duke drekuar. Në të njëjtin lokal drekonin edhe një grup tjetër personash, mes tyre edhe H. Çopja.

Dëshmitarë të ngjarjes kanë deklaruar në polici se mes dy grupeve ka nisur një debat verbal me fjalë në distancë nga tavolina në tavolinë.

Më pas, dy kushërinjtë, të cilët prej vitesh janë rezidentë në Angli, kanë dalë jashtë dhe të dyja grupet kanë nisur të konfliktohen me njëri-tjetrin me grushte, si edhe me mjete të forta, raporton një e përditshme.

Nga hetimet e Policisë mësohet se shkak për nisjen e konfliktit kanë qenë pikërisht dy kushërinjtë Gjini, të cilët rreth një muaj më parë janë kthyer nga Anglia për të kaluar pushimet në Shqipëri.

Këta të fundit, sipas dëshmive, janë sjellë me superioritet karshi grupit tjetër, duke ngritur zërin dhe ekspozuar paratë e vëna në emigracion e makinat.

Kjo ka “xhelozuar” grupin e ulur në tavolinën pranë tyre, ku fillimisht ka nisur debati në formën “pse më sheh” e më pas gjithçka përfundoi me grushte e armë.

Pasi kanë dalë jashtë restorantit, grupi i H. Çopjes kanë nxjerrë të parët armët dhe më pas edhe grupi i A. Gjinit, ku kanë nisur të qëllojnë në drejtim të njëri-tjetrit. Konkretisht janë plagosur me armë zjarri shtetasi K. Gjini, si dhe H. Çopja.

I plagosur me mjete të forta ka mbetur edhe A. Gjini. Sipas mjekëve, gjendja e tyre shëndetësore është jashtë rrezikut për jetën. Policia, e ndodhur në vendin e ngjarjes, brenda pak minutave ngriti pikat e kontrollit dhe më pas ka konstatuar se në konflikt ishin përfshirë 4-5 persona.

Në vendin e ngjarjes janë sekuestruar më shumë se 20 gëzhoja arme të tipit pistoletë. Mësohet se Çopja ka marrë një plumb në shpatull, ndërsa K. Gjini, sipas mjekëve, ka një plumb shumë pranë kokës, por ndodhet jashtë rrezikut për jetë

  

 

Ngjarja 

Pas sulmit me armë zjarri që ndodhi këtë mesditë në një lokal në qytetin e Elbasanit, si pasojë e të cilit mbetën tre të plagosur, policia ka vënë në pranga katër persona.

Të arrestuarit janë tre vellezërit Alfred  Gjini, Emiljano dhe Klevis Gjini, si edhe një person i katërt Hajdar Bako. Ndërkohë policia ka shpallur në kërkim edhe një person të pestë, të quajtur Franc Corpja (Gegerly).

Lokali ku ndodhi ngjarja është një ndër më të njohurit në qytetin e Elbasanit dhe nuk rezulton të ketë pasur probleme më parë.

Sipas policisë sherri ka filluar me sende të forta dhe më pas ka përfunduar deri te gjuajta me armë.  Po kështu raportohet se 2 prej të plagosurve janë plagosur me armë zjarri ndërsa 1 tjetër me mjete të forta. Mësohet se konflikti ka nisur midis shtetasve Alfred Gjini dhe Hajdar Çopja.

 

 Njoftimi i policisë

 

Arrestohen në flagrancë katër shtetas për ngjarjen e ndodhur në sheshparkimin e një lokali në fshatin Katund i Ri

Sekuestrohet një krëhër pistolete me 6 copë fishekë, 17 gëzhoja dhe 3 automjete

Vijon puna për kapjen e personave të tjerë tëpërfshirë në këtë ngjarje

Specialistët për Krimet e Rënda në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve:

– Hajdar Bako (Çopja) (Hysa), 33 vjeç, banues në Elbasan

–  Alfred Gjini,  38 vjeç banues në Elbasan

–  Klevis Gjini, 26 vjeç banues në Elbasan

–  Emiljano Gjini, 22 vjeç banues në Rrogozhinë

Arrestimi i tyre u bë pasi në  shesh parkimin e mjeteve në një lokal në fshatin Katund i Ri,   gjatë një konflikti për motive të dobëta i cili ka nisur  me sende të forta  dhe më pas me armë zjarri. Në konflikt dyshohen të jenë përfshirë shtetasit  Hajdar Bako  dhe F.G, 25 vjeç njëra palë dhe në palën tjetër janë përfshirë shtetasit  Alfred Gjini, Klevis Gjini dhe Emiljano Gjini.

Si pasojë e konfliktit me sende të forta e më pas me armë zjarri janë plagosur dy shtetas me armë zjarri dhe 2 shtetas të dëmtuar me sende të forta konkretisht:

Hajdar Bako është plagosur me armë zjarri në krahun e djathtë

Klevis Gjini,  është plagosur me armë zjarri në këmbën e djathtë.

Dëmtime të tjera fizike me mjete të forta në kokë  kanë marrë shtetasit Alfred Gjini  dhe  Emiljano Gjini.

Grupi hetimor, në vendngjarje  ka gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale:

Një krëhër pistolete model 56 mm me 6 copë fishekë model 56 mm

17 gëzhoja, nga të cilat 16 gëzhoja janë model 54 mm dhe një gëzhojë të kalibrit 9 mm

Tre automjete me targa AA 688 DC, AA 528 MC dhe AA 448 KT.

Vijon puna për kapjen e shtetasit  F.G, 25 vjeç banues në Elbasan i cili dyshohet të jetë përfshirë në këtë ngjarje.

Grupi hetimor në bashkëpunim me Prokurorinë e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan vijojnë hetimet për sqarimin e  plotë të rrethanave të ngjarjes dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan për veprime të mëtejshme për veprën penale “Vrasje me dashje e kryer në bashkëpunim” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit” parashikuar nga nenet 76, 25 dhe 278 të Kodit Penal.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.