AKTUALITET

Ekstradohet Manjola, vajza që plagosi me thikë pas shpine të dashurin  dhe që vidhte me uniformë policie…

10:11 - 09.04.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 




Një 23-vjeçare e dënuar me 1 vit e gjashtë muaj burg për plagosjen e ish të dashurit të saj është ekstraduar nga Italia për në Shqipëri. Manjola Lushnjani nga Elbasani rezulton e dënuar në mungesë për veprën “plagosje e rëndë me dashje, e kryer në bashkëpunim”, ngjarje e ndodhur rreth tri vite më parë, raporton “Panorama”.

Lushnjani u arrestua në tetor të vitit 2015 në Itali, pasi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar. Ajo u kap në Sardenjë, ku policia italiane gjatë një kontrolli konstatoi se ajo ishte person i shpallur në kërkim ndërkombëtar për veprën penale të plagosjes.

Që nga muaji tetor, Manjola ka qëndruar në qelinë e burgut të Paletës së Italisë dhe vetëm një ditë më parë ajo është ekstraduar në Shqipëri. Pas mbërritjes përmes Aeroportit të Rinasit, 23-vjeçarja është shoqëruar nga Policia e Elbasanit drejt paraburgimit për t’u transferuar më pas në burgun e grave në Tiranë.

Ngjarja ku mbeti i plagosur ish-i dashuri i Lushnjanit ka ndodhur thuajse tre vjet më parë, kur asokohe ajo ishte 20 vjeçe. Manjola Lushnjani, gjatë një sherri për motive xhelozie me ish-të dashurin e saj, Dardan Krasniqi, në prani edhe të vëllait dhe të babait të saj, e ka goditur atë me thikë.

23-vjeçarja e qëlloi me thikë pas shpine në momentin që pas debatit, ish-i dashuri i saj ishte duke u larguar. Plagosja ndodhi në lagjen “Aqif Pasha”, ku edhe banon aktualisht familja e Manjolës.

Pas kësaj, ajo është larguar menjëherë drejt Italisë, ndërsa Policia e Elbasanit e shpalli në kërkim, duke lëshuar dhe një urdhër ndërkombëtar për arrestimin e 23-vjeçares. Nga ana tjetër, në mungesë, Gjykata e shkallës së Parë në Elbasan e dënoi atë me 1 vit e 6 muaj burg në fund të procesit gjyqësor mbi ngjarjen e ndodhur rreth 3 vite më parë.

Emri i 23-vjeçares nuk lakohet për herë të parë në Policinë e Elbasanit, pasi sipas burimeve, edhe kur Manjola ishte në moshën 15-vjeçare, në vitin 2009, në bashkëpunim edhe me dy miq të saj nga Elbasani, u ndalua nga Policia.

Manjola, në atë kohë adoleshente, e veshur me uniformë Policie, bashkë me dy shokët e saj, vodhën banesën e një biznesmeni në qytetin e Elbasanit. Dy miqtë e saj u dënuan me burg, ndërsa Manjola ia hodhi paq për shkak të moshës.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.