AKTUALITET

Magazina me 12 ton drogë në Përmet, arrestohen dy, një në kërkim, ja si u zbuluan

14:01 - 09.04.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Dy persona janë arrestuar dhe një i tretë është shpallur në kërkim lidhur se sasinë prej 12 ton kanabis të gjetur në Përmet. Gjithashtu, është ndaluar edhe kryeplaku i fshatit Pagri të Përmetit, ku u gjet droga.

Janë zbardhur të tjera detaje nga operacioni antidrogë i koduar “PAGRI”, ku një nga ish-depot e rezervave të shtetit, u gjetën  11650 kilogramë lëndë narkotike Kannabis Sativa.

Kështu janë vënë në pranga Rustem Muçelli, 51 vjeç,  banues  në fshatin Pagri si dhe Eqerem Ali, 60 vjeç,  banues në fshatin Pagri. Ndërkohë, që është bërë ndalimi edhe i kryeplakut të fshatit Pagri, shtetasit:  Koço Zaimaj, 58 vjeç.

Më datë 07.04.2017, Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankensat në Ministrinë e Punëve të Brendshme ka marrë një informacion nga një burim anonim se në një nga  ish-depot e rezervave të shtetit  mbi  fshatin Pagri të rrethit Përmet kishte sasi të konsiderueshme lëndë narkotike.

Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankensat ka njoftuar mbrëmjen e datës 07.04.2017, Drejtorinë e Policisë së Shtetit dhe në lidhje me këtë u hartua menjëherë plani i veprimit për të ndërhyrë në këto ish depo të rezervave të shtetit.

Në zbatim të planit operacional të hartuar nga Drejtoria e Policisë së Shtetit, më datën 08.04.2017,  Drejtoria Kundër Narkotikëve në Policinë e Shtetit, SH.Ç.B.A, Forca e Posaçme Operacionale, Drejtoria Vendore e Policisë Gjirokastër dhe Policia Përmet, organizuan dhe zhvilluan operacionin e koduar “Pagri”.

Si rezultat i operacionit rezultoi se në njërën nga tre depot u gjet e ambalazhuar në thasë plasmasi një sasi prej 11650 kilogramë lëndë narkotike Cannabis Sativa.

Pas konstatimit nga Policia dhe SH.Ç.B.A i lëndës narkotike në njërën prej ish depove, rreth orës 13:00 të datës 08.04.2017 është njoftuar Prokurori i Rrethit Përmet në lidhje me lëndën narkotike të gjetur nga Policia dhe SH.Ç.B.A.

Në përfundim të veprimeve të para të kryera në vendngjarje u  bë ndalimi i shtetasve:

Rustem Muçelli, 51 vjeç,  banues  në fshatin Pagri.

Eqerem Ali, 60 vjeç,  banues në fshatin Pagri.

Si dhe u bë shpallja në kërkim e shtetasit:

Ismail Saliu, 61 vjeç,  banues në fshatin Pagri – Përmet.

Ndalimi i këtyre shtetasve  si dhe shpallja në kërkim e shtetasit tjetër u bë për arsye se këta shtetas  nga provat e grumbulluara  rezulton se i kishin në përdorim  depot për të magazinuar ushqim për bagëtitë e tyre.

Gjithashtu  në vijim të veprimeve  është bërë ndalimi edhe i kryeplakut të fshatit Pagri, shtetasit:  Koço Zaimaj, 58 vjeç, kryeplak i fshatit Pagri. Ndalimi këtij shtetasi u bë pasi ky shtetas është me detyrë kryetar i fshatit Pagri dhe nuk ka kryer detyrat funksionale në lidhje me ngjarjen e mësipërme.

Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Përmet për hetim të mëtejshëm  në ngarkim të shtetasve  Rustem Muçelli,  Ismail Saliu dhe Eqerem Ali, për veprën penale “Prodhim dhe shitje të narkotikeve”, e kryer në bashkëpunim të parashikuar nga neni 283/2  i Kodit Penal.

Si dhe në ngarkim të shtetasit Koço Zaimaj për veprat penale “Shpërdorimi i Detyrës” dhe “Moskallëzimi i krimit” të parashikuara nga neni 248 dhe 300  i Kodit Penal

Po në lidhje me këtë ngjarje, Drejtoria e Standarteve Profesionale në Policinë e Shtetit  dhe SH.Ç.B.A, kanë nisur verifikimet për të parë nëse ka implikim apo shpërdorim detyre të punonjësve të policisë në lidhje me këtë ngjarje.

 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.