POLITIKË

Rama shpall opozitën antikombëtare: Po bashkohet me kundërshtarët e Europës!

19:00 - 09.04.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Në komunikimin javor në Facebook, kryeministri Edi Rama nuk la asnjë shteg për negociim të shtyrjes së zgjedhjeve. Ai akuzoi ata që nuk duan 18 qershorin, se nuk e duan bashkimin e Shqipërisë me Europën por me kundërshtarë të saj.

“Pse mendoj që në Shqipëri po merr pak formë një qasje e re politike ndaj BE-së. Një qasje që i bie ndesh përpjekjes së hershme të shqiptarëve mendjendritur, rilindësve tanë, martirëve tanë, heronjve të luftës dhe punës apo atyre që u torturuan e sakatuan  në burgjet e diktaturës. Një qasje që i bie ndesh edhe përpjekjes popullore që mori hov në lëvizjen e dhjetorit ’90 e që përcaktoi politikën e këtyre 27 viteve për një Shqipëri si gjithë Europa. Është një qasje që merr formë përditë si pasojë e frikës nga zbatimi i reformës në Drejtësi. Atëherë nuk ka asnjë shans që BE të na pranojë si të denjë në tryezën e negociatave për anëtarësim.   Frika nga drejtësia që do të rilindë patjetër sapo të nisë spastrimi i prokurorëve e gjykatësve të korruptuar përmes Vettingu-t i dha jetë çadrës ku është ngujuar PD. Frika nga drejtësia po i jep jetë qasjes destruktive të PD-së ndaj procesit demokratik në Shqipëri e ndaj procesit të integrimit të plotë evropian të Shqipërisë. Frika nga drejtësia e ka kthyer ditën e gjykimit të popullit më 18 qershor në një ditë që politikanët e korruptuar në çadër nuk duan të vijë kurrë. Nuk e duan 18 qershorin sepse kjo datë ndan Shqipërinë që lufton për drejtësi e për punë të ndershme, për shtet e për mirëqënie për njerëzit e zakonshëm të këtij vendi, nga Shqipëria e drejtësisë se kapur, pa shtet e pa barazi para ligjit.

Janë gati ta sakrifikojnë Shqipërinë, nuk e duan 18 qershorin sepse në këtë datë populli do të vendosë jo për qeverinë e 4 viteve të ardhshme por për Shqipërinë që duam për fëmijët e të moshuarit.  Janë gati ta marrin peng popullin e Shqipërisë. Nuk e duan 18 qershorin, ditën e gjykimit të popullit sovran për t’i dhënë një mesazh shumë të qartë edhe partnerëve tanë të mëdhenj: Nëse Shqipëria do të vazhdojë në rrugën e reformave që bëjnë shtet apo të rikthehet në rrugën e paligjshmërisë dhe rrëmujës. Kemi humbur shumë kohë e energji për njerëzit e këtij vendi dhe janë gati ta hedhin në erë urën që me zorr kemi ngritur për 27 vite me radhë për të shkuar në Europë. Ata që nuk e duan 18 qershorin dhe që duan të dalin mbi popullin janë gati të dalin me interesat kombëtare të Shqipërisë dhe besomëni janë gati të na ndajnë edhe një herë për së gjalli nga Europa e lirisë, demokracisë dhe zhvillimit ekonomik e shoqëror. Janë gati të bashkohen me kundërshtarët e BE-së, në rajon e Europë, në Perëndim e Lindje se e duan Shqipërinë si çiflig pandëshkushmërie, e duan Republikën me një Kushtetutë si libër pa kuptim. I duan ligjet si letra pa vlerë.

Ata që nuk e duan 18 qershorin dhe që zgjedhjet i kanë vetëm këngë në gojë për të fshehur boshllëkun që kanë në mendje. Ata që nuk e duan 18 qershorin dhe që kujtojnë se mund të marrin peng parlamentin, qeverinë dhe Shqipërinë duan të shpëtojnë veten nga drejtësia dhe gjykimi i drejtë për krime e grabitje të së kaluarës së mbushur me pardrejtësi.  Ata e dinë se Shqipëria që duam është një Shqipëri moderne, demokratike, evropiane ku shteti nuk është biznes familjar. Ata e dinë se Shqipëria që duam është një shtet ku drejtësia nuk është pazar politikanësh e gjykatësish që shkëmbejnë favore me njëro-tjetrin që pijnë nga gjaku i popullit.

Ne e dimë që Shqipëria që duam nuk është një slogan por një qëllim i madh kombëtar, një ambicje e madhe shoqërore, një obligim qytetar. Shqipëria që duam është shumë më e mirë se Shqipëria që kemi dhe e dimë që duhet të bëjmë shumë më shumë akoma. Kjo është një betejë që Shqipëria nuk mund ta humbasë përsëri siç ka bërë më parë. Është një ndarje e errësirës së politikës së vjetër të një katundi politik e mediatik që kërkon të mbajë peng Shqipërinë dhe shqiptarët dhe dritës së vlerave, parimeve dhe lirive të drejta demokratike të Shqipërisë evropiane që nuk do ta negociojmë kurrë që është detyrim ndaj fëmijëve tanë. 18 qershori do sjellë një vendim të qartë: O me Europën, o me frikën nga Europën, o me drejtësinë, o me tmerrin nga drejtësia, o me reformat për të bërë shtet, o me pallavrat që çojnë në rrëmujë, o me rritjen ekonomike, o me zhytjen në batak, o me një qeveri që lufton çdo ditë, ose me një qeveri që na kthen në të shkuarën, o me Shqipërinë që duam, o me Shqipërinë që kishim” tha Rama.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.