SPORT

Godelli: Bronzi i Erkandit nuk vlen sa medalja ime e artë. Qerimaj: O injorant, vlen dygarëshi!

14:07 - 10.04.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Rivaliteti mes dy peshëngritësve shqiptarë që garojnë në peshën 77 kg, Daniel Godelli dhe Erkand Qerimaj, është më i gjallë se kurrë. Pas përfundimit të Kampionatit Europian në Split të Kroacisë, ata nuk i kanë kursyer thumbimet ndaj njëri-tjetrit duke u munduar të tregojnë se cili rezultat i arritur është më i rëndësishëm.

Godelli fitoi medaljen e artë në stilin e shkëputjes, ndërkohë që Qerimaj fitoi medalje argjendi në stilin e shtytjes. Në dygarësh shkodrani arriti të renditet i treti duke fituar medaljen e bronztë dhe la pas peqinasin i cili zuri vendin e 4-t.

Në një prononcim për “Top Channel”, Godelli e cilësoi medaljen e tij të artë në shkëputje, si më të rëndësishme se dy medaljet e Qerimajt në shtytje dhe dygarësh. Ai gjithashtu foli për pezullimin 2-vjeçar pasi u kap me doping, duke përsëritur se ka qenë i pafajshëm.

“2-vjeçari që nuk kam bërë një garë ndërkombëtare, ndoshta ndikoi pak për keq. Gjithsesi, për mua është sukses, të paktën nuk rashë poshtë arit në një stil. Do kisha shumë më shumë mundësi në stilin e shtytjes, por nuk desh fati dhe kaq.

Unë vërtetë jam kapur me doping, por pasi mora këtë medalje, më vjen të pyes ku ishte faji i 2014-ës që u kapa me doping. Kjo do të më sqaronte të gjitha idetë për Botërorin e ardhshëm, që është në Amerikë. Të paktën të dija se çfarë ka ndodhur atë vit, e të vazhdoj përpara. Kjo më mban peng.

Për Erkandin suksesi në dygarësh quhet sukses, se të mundësh një sportist si Daniel Godelli është gjë e madhe. Normalisht duhet ta thotë me zë të lartë ‘e munda!’, por që bronzi dhe argjendi nuk besoj se vlen sa kjo (tregon medaljen e artë). Unë nuk kisha kundërshtar Erkandin në Europian. Këtë ai duhet ta ngulisë në mëndje dhe besoj e di shumë mirë. Unë kisha rival peshëngritësin rumun, që ishte me 200 kg në stilin e shtytjes.

Shteti mirë bën që pret përgjigjet e analizave të dopingut për ndarjen e shpërblimeve. Siç nuk e dija në 2014-ën se çfarë ndodhi, nuk e di as sot çfarë mund të ndodhë. Unë di vetëm që kam qenë i pastër në 2014-ën dhe jam i pastër sot”, tha Godelli.

Reagimi i Erkand Qerimajt

Peshëngritësi Erkand Qerimaj ka reaguar sërish në mbrojtje të suksesit të tij në Kampionatin Europian. Si përgjigje për Godellin, por edhe për opinionin sportiv që e konsideron medaljen e artë të peqinasit si më të rëndësishme se bronzi i tij në dygarësh, shkodrani ka bërë një status në rrjetin social “Facebook”, duke thënë se në peshëngritje ajo që vlen më shumë është rezultati i përgjithshëm.

Statusi i Erkand Qerimajt në “Facebook”

“Për spiunët, për injorantët, e për njerëzit mediokër pa palcë kurrizore që flasin idiotllëqe, dygarëshi është klasifikimi përfundimtar në peshëngritje. E keni më poshtë e kujt nuk i pëlqen s’më intereson. Unë jam ai i vetmi që ngriti flamurin në dygarësh”, shkruan Qerimaj.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.