MILOSAO

Umberto Eco me mini-esse

08:01 - 10.04.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Nga Ben ANDONI

Është mrekulli, por në këtë rast një zotësi, që të ngrihesh nga detaji dhe të organizosh një fabul. Duhet një mundim i stërmadh, por më shumë se kaq, të vlerësosh masën, të kuptosh indin, dhe ta plazmosh me idenë. Umberto Eco e bën të gjithë këtë me një lehtësi të jashtëzakonshme, por që në fund kupton se edhe të bën të mësosh pafund me përditmërinë përmes vëzhgimit të tij. Me auto-ironinë klasike të njeriut thellësisht të mprehtë, ai të cyt t’i bashkohesh në botën e vet, që jo vetëm të kureshton, por që të bën të xhelozohesh pikërisht çfarë pëlqen ky njeri. “Si të udhëtosh me një salmon”, ardhur mjeshtërisht në serinë e librave të autorit nga “Dituria”, është një si lloj almanaku për jetën dhe paradokset e saj me sytë e një mjeshtri, por edhe një qenie humane në moshën e pjekur.
Autori e ngre librin me parabola ose “Udhëzime” që rrokin një kohë të gjatë dhe përmes saj ti kupton dhe zhvillimin kapitalist të kohës sonë si edhe atë të zhvillimit social të jetës italiane, që ai e trajton në mënyrë të koncentruar, kurse  nga fabula ke mundësi të orientohesh në një arkitekturë sociale të tërë këtij zhvillimi.
Stili është tejet tërheqës, forma është e vendosur mes esesë dhe skicës, ku ai vetë si personazh kryesor më së shumti të ofron një botë që e ka parë vetë. Në një këndvështrim tjetër mund ta marrësh edhe si tregim. Në dukje përkthyesja s’ka pasur aq punë, por po ta shikosh me kujdes duhet vlerësuar përpjekja e Dhurata Shehrit që idhullin e saj e jep qartë përmes parabolës dhe thellësisë së vëzhgimit të tij, por edhe paradoksit që del zakonisht nga sintezat e veta. “I tronditur dola nga shtëpia për të shkuar në një restorant të famshëm për gatesat e tij alla nouvelle cuisine. Mbërrin kamerieri që më sjell tre fije sallatë dhe më thotë :”Kjo është një makedonia e latugës lombarde, e mbuluar me rukola nga Piedmoneti, e prerë hollë, kriposur me kripë deti, zbutur me uthullën tonë balsamime dhe lagështuar me pikat e para të ullirit të virgjër nga Umbria”.
Esseja për kohën përmes parashtrimeve logjike dhe përshkruese të kohës së harxhuar tregon punën intelektuale të një njeriu si ai, por edhe arsyetimin sesi duhet të vazhdojë jeta dhe e mbyll me një kontrapunkt që shërben si sintezë për duhanin, që edhe koha për të i merr kohë. Duhet ta lë duhanin, na shpotit.
Në morinë e esse-ve gjen shumë nga problematikave që po has dhe vendi ynë. “Si të mos thuash ‘saktë’” tregon problemin e sterotipeve. Ironia e tij në këtë pjesëz është e mrekullueshme, por edhe tejet shpotitëse. “Kështu, pra, o shkrimtarë, duhet të ruheni nga përdorimi që brezat e ardhshëm  do t’u bëjnë shkrimeve tuaja. Natyrisht, dot ishte ideale, të linit pas vetëm gjërat që në të gjallë do të kishit dashur t’i botonit, duke fshirë ditë pas dite çdo dëshmi tjetër përfshirë edhe kopjet e treta. Por dihet shënimet shërbejnë për punë dhe vdekja mund të vijë papandehur.
Ato trajtohen si udhëzime , por në fakt është një mori detajesh, që të bëjnë të mendosh sesi është jeta , të ashtuquajturat rëndomsi, problemat e vogla, por edhe si t’i shpëtojmë obsesioneve dhe shumë e gjëra të tjera”.
Nga ajo që thuhet, në kontributin e tij të vazhdueshëm, ai shpiku një zhanër që duhet thënë se i tregoi njerëzve të çoroditur bashkëkohës sesi duhej të ruheshim nga rëndomsia, por edhe duke këshilluar përmes mësimit natyror, vetëm, pa u përfshirë në diskurse të frikshme filozofike.
Duhet sqaruar se libri të ndih shumë edhe të mësosh për stilin e autorit por edhe mënyrën e qasjes së një argumenti. Mund të thuhet se libri është një bashkësi sinopsesh, sepse nga ato kushdo mund të zhvillojë tema interesante.  DITURIA, në morinë e botimeve me shumë klas, duhet vlerësuar për zgjedhjen e librit që është realisht shumë ndihës dhe Dhurata për punën.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.