MILOSAO

Vaj në kanavacë

08:05 - 10.04.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play


Nga Krenar ZEJNO




Këtu mund të ishte një tablo…
Porse, ja që nuk është! Nuk është fjala as për atë slogan publicitar në spaciot zgavra boshe që s’po munden dot të shiten: këtu mund të ishte reklamuar produkti juaj. Nuk është fjala as se na mungon vetë tabloja për ta vendosur imazhin e saj këtu. Në një farë mënyre, edhe tabloja ekziston faktikisht si objekt. Mu këtu afër, në një si punë salon recepsioni në rrugën “Komuna e Parisit”. Dhe nuk është se i mungon gjë objektivisht asaj. Megjithë grabitjet, nëpërkëmbjet në qarkullimet dorë më dorë, ajo prehet aty ku e gjetëm, kur me autorin e saj e tumirëm vitin e shkuar dhe e lamë po aty.
Vajza delikate, kokëmënjanë e puqur faqen te violina, duke luajtur një melodi, qe ende më këmbë. Po ajo. Siç qysh mbi tri dekada më parë. Kur për muaj të tërë e pata ndjekur e parë ndër seanca të gjata të ngrehej, nga kanavaca e shtrirë në parketin e dhomës së gjumit, e mëpastaj të shtriqej e t’ia niste të ngiste nën gishtat hollake muzikën e saj dhe të kohës kur ende nuk dinim për Pollok a Rihter dhe pikturimin me telajon shpaluar mbi dysheme, dhe ende pak për kapela sistine e gishta të zgjatur edhe mëshirë në tavan. Në shpinë të vajzës, po ai sfond peisazhi urban, me kullën e sahatit tek bën një hap përpara dhe e shpon tablonë pingul me shtrirjen horizontale të një teli që e përshkon atë, e në të cilin janë ndehur të flladiten nën kapëse gjyra-ngjyra partitura pentagramesh. Drama artistike përmbushet këtu, tragjedia pak më vonë…

Adoleshenca e jonë e shkurtër, nisur vonë e mbyllur herët, ishte përmbushur tanimë, e nëse për piktorin e tablosë, ajo delegohej edhe te kjo liceiste e dashur e kompozimit të tij, për mua si prani miqësie dhe afërie ishte loja me partiturat, që i përktheja në letra dashurie, dhe tingujt. Dhe shpesh më pushtonte një ndjesi tejkalimi kufijsh gjer dhe invadimi, kur përballë tablosë vendosja vetë të përzgjidhja e dëgjoja atë melodi për të cilën ndjeja nevojën të më mveshnin fjalët.
Ja, pas mbi tridhjetë vitesh, ku gjendemi me autorin sërish përpara pothuajse të njëjtës tablo, ballë murit ku ia kanë gozhduar. Tablosë që është edhe s’është po ajo; që është edhe s’është më një vepër; ose-ose, që është dhe poaq nuk është vetëm një tablo; që është aq saç nuk është, gjithashtu, edhe instalacion, art konceptual, realitet real, kolazh, kumt ogurzi, epitaf, letër anonime, letërsi…
Në njërin kënd të saj, po ajo firmë e sigurtë e hershmërisë së autorit, shenjuar po njësoj në vijim nga veçantia e gërmave kapitale, jo lakore po thepa mprehtësie kubiste: ZINI VESHI
Kurse në këndin tjetër të tabosë, m’u faneps skiç një si felin i zbutur. Skandal! I panjohur prej meje, jo si specie por i pahasur në origjinalin e imazhit që ruaja kë kokë. Një mace! Po po, rrinte një mace e panjohur aty… brenda kornizës së tablosë… kishin shtënë një kafshë shtëpiake mu përbrenda pikturës. Për një çast s’po i besoja syve, mirëpo kujtoj se nuk i fërkova. Atypëraty i kërkova perceptimit se mos jeshë gjë në jerm. Pastaj i kryqëzova me sytë e Ziniut që, dhe në rastet e normales, sidomos në rastet e normales, shpesh i shqyhen për tej mase: O Zot i madh!
Një mace në paqe të perëndisë, pllaqisur djathtas tablosë, ngujuar mbi dy këmbët e veta të pasme në pozicion klasik të qëndrimit mbi orendi shtëpiake… një art-deko orrend. Mortjendjellës. Një skandal në realitetin real e ka fituar të drejtën që një ditë të prehet në paqe, ama në art mbetet skandal që s’ka ndal.
Reklama përmbyllet këtu, reklamimi me shkrim ndaj saj ndoshta pak më vonë, ose mbase askurrë.
As Macja e zezë e Poes nuk e kishte këtë hov statik tmerri, këtë hov tmerri statik, ndoshta vetëm kallja e Korbit në odën e poezisë. Pikë!
Ishte ekzekutuar kjo mynxyrë pa krim e mister dhe qe vënë macja të pasqyrohej në të katër anët e një holli të skuqur e përndezur, si një buduar markezi de Sade paksa më të ekzagjeruar; një mace e vënë në dëgjesë publike të tollovisë dhe tallavasë.
Në realitet, një përzierje trullosëse të tillë ma ka pas shkaktuar veçse rrëfimi real për macet e hordhive të Zervës lëshuar grave çame barqeçarë me barrë… Pikë e zezë!
Kjo mësymje idilike pacifike, edhe në kuptimin politik të fjalës, e maces në kanavacën që e kisha parë e ndjekur të mbushej me kompozicion dhe elementë një pas një…
Dhe ky pështjellim zorrësh që mpin çdolloj premise rebelimi posa përplasesh me qetinë e maces dhe paqen idiote të padronit, në kuptimin ekonomik të të zotit të tablosë.
Tha: po mirë, tha, s’ka problem, e heqim macen, e fshijmë fare, ose e presim komplet shiritin që nga bishti e sipër. A thua se do ta fshinte nga faqja e dheut megjithë problemin; a thua se me të korrigjuar emrin latinisht të shiritit të derrit në diagnozën mediko – legale, sikur t’i heq njeri me dorë edhe të therurat e vrimës në zorë! Pash autorin nën një lebeti të papipëtimë. Pastaj, do -s’do, me atë çka mbet, secili për në autorësinë e vet. Aty ku dhimbja rrjedh pa mbetje dhe vetë melhemin.
Jo, nuk është rasti normal i një mungese kjo tablo; nuk ishte rasti i modifikimit, montazhit me anë të fshirjes, censurimit, reduktimit; është radikimi dhe anullimi i saj përmes teprisë. Dhe është një tronditje aq topitëse ballë saj, saqë anullon dhe vetë reagimin e ashpër në mundësi, përballë ashpërsisë së squllur të banalitetit. Nuk ke çfarë tipologjie sulmi të ndërmarrësh për t’u mbrojtur ndaj këtij zulmi vulgariteti pothuajse të pafajshëm. Është alibia e vulgut të pafajësisë, që çarmatos teksa bëhet gati të thotë: aq di aq bëj… mirëpo as këtë nuk se e thotë dot.
Kësaj ish-tabloje që mbet te “ Komuna e Parisit” si një ish-etyd i adoleshencës sonë i mbetet veç të riciklohet në etyd të kësokohe. Fjalë më shumë do të ishin pa voli, gjestet aq më pak, përveçse si një pantomimë e një vajtojce tullace që bën të shkulë leshërat e rolit të vet, po pa nxjerrë vaj e pa bërë zë. Është një dashjepadashje, njëherit aq strukturale, saç dhe t’i lypje pak mëshirë sahatit të kullës që, tok me xhinsin e sahatave të katedraleve të Parisit të Hygoit dhe kambanat e rëniet e orëve, sikur bëzajnë atë shpërfillje prej përjetësie që duket se thotë: aq më bën!
Ato orë të liga që mund t’i ndjellësh, zbusësh e t’i kthesh gati-gati të mira, veç kur çdo mynxyrë bëhet lëndë për të ushqyer fjalë, nota, ngjyra… E vetmja mënyrë! Përsa, ende pa na grisur dot krejt me thonjtë e tyre, edhe ne me tanët s’na mbetet veç të gërmojmë e gërmëzojmë rrënojën për art e për të mos e lënë ta zaptojë tejetej gërmadha.
Dhe këtu, në këtë pikë, shkrimi për tablonë në fjalë, përfundon.
Gjithë çka vijon edhe pak, pak më poshtë, është sigurisht e tepërt, nëmos e rëndomtë; një copë tepri që nuk po i bindet shkruesit; një kërcim delli hakmarrjeje dhe kërkimi poplash në dhe’ për t’ia vërvitur teprisë, me kuç e me maç, si të njëjtën monedhë:
Sa kohë ka që e keni vajzën në motel? – e pyes padronin. Ka ca, qyshkur ia pata blerë një grumbulluesi pikturash të humbura në 91-shin a  97-ën, e kur erdhëm me qera këtu e solla në hotel… dhe atypëraty nxitoi edhe të më korrigjonte se, për hir të së vërtetës, nuk qe motel. Nja tre-katër muaj ma mbajti pikturisti që i porosita macen; hakën e punës ia lashë parapagim, ngaqë qe njeri që e mban llafin; si ju duket, bukur rri këtu, ë… mua më pëlqen për vete… për hir të së vërtetës i pata kërkuar një dac, por ai u tregua i ndershëm: macen e qaj, tha, kurse mashkullit, me thënë të vërtetën, akoma nuk ia kam marrë dorën.
Pikturën e kam blerë shtrenjtë, vijoi, dhe me akt-noterial, po deshe. Dhe shtoi se dhe ai vetë qe i ndershëm dhe taksapagues i rregullt me tvsh.
Dhe, në fakt, në daç besoni, mund të mos ishte njeri i keq.
Mirëpo, si i bëhet që edhe të duash vërtet të teprosh me pahir, edhe të mos biesh pre e teprimit, si në sferën e qarkullimit të mallrave ku paguhet ai haraçi taksë e vlerës së shtuar të qarkullimit. Si i bëhet që të mos jesh haraçi i Katerinës kur për Jeruzalemin e bregut tjetër të lumit, u desh t’i autorizonte trupit që t’i jepej varkarit për të shpaguar shërbesën e trapit. Si i bëhet kur, ndërsa të kallin datën thonjtë e maces, që rriten e zgjaten brenda tablosë e të kaplon tmerri mos kushedi grisin kanavacën e tërë, të mos të të kaplojë, ashtu siç dhe nuk të kaplon faktikisht, raptusi për t’ia hedhur thonjtë në fyt qetisë vrastare të zotit të tablosë për ta fshishë nga faqja e dheut! Amen! Pa le, kur tha se ju artistët vetë thoni që piktura për këtë është bërë, të qarkullojë… prandaj mos na e mohoni hakun as neve që me djersën e ballit e kemi ndonjë grosh mënjanë dhe grumbullojmë edhe gjëra artistike, përndryshe si do t’ia bënit ju, aman!
Ikëm… dhe e qarkulluam pa folur tërë “Komunën e Parisit”, me kokën unjur mbi kalesat e gropat e hapura të pusetave dhe gjirizive, për të dalë në Lanë, në hyrje të ish-bllokut.
Nuk po më vinte as ndonjë fishkëllimë në buzë, nga ato të gatëshmet shpërfillëse e ngushëlluese, që si zakonisht në orë të caktuara të ditës më shoqërojnë problemin e rradhës plus refuzimin konstant rrethanor. Dhe, si të mos qe e mjaftë kjo, tani më ishin fshirë nga memoria edhe ato variacione melodi me të cilat dikur shoqëroja kundrimin e ish-tablosë. Për hir të së vërtetës, edhe kësi tingujsh qarjeje harqesh violine që tani dolën si në majë të gishtave nga sfondi dhe harkimi i këtij shkrimi, vetëm pak çaste më parë vendosa t’ua ngre paksa volumin; pak më parë se të ndërmendesha që diç kanë të ngjashme me atë zakon teprie alla Kubrik në filmat ku, pas suspanse, nis gjithmonë po ai vaj violine në skenat me pllanga gjaku kur, si zakonisht, vrasja ka ngjarë natën dhe, si gjithëherë, në një nevojtore.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.