SPORT

Vllaznia ndal Kukësin, Partizani ngjitet i pari

10:49 - 10.04.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 




Jeton SELIMI

13 javë udhëheqjeje radhazi dhe Kukësi lë vendin e parë. Kampionët e dimrit dorëzojnë kreun e renditjes pas barazimit në shtëpi 0-0 me Vllazninë, ndërsa tanimë duhet të bëjnë ndjekësin të paktën deri në javën e ardhshme, kur të jetë Partizani ai që do të udhëtojë në “Loro Boriçi” për t’u ndeshur me Vllazninë, e cila nga ana e saj ëndërron Kupat e Europës nëpërmjet vendit të katërt. Në sfidën e “Zeqir Ymerit” Gjoka hedh në fushë formacionin më të mirë të mundshëm, ndërsa Cungu ka mungesa, ku më e ndjera është ajo e Alsid Tafilit.

Kukësi e nis ndeshjen në ofensivë dhe në minutën e 5-të Emini ka në këmbët e tij një penallti në lëvizje, por e gjuan topin mbi traversë. Loja është e fortë dhe në minutën e 22-të, teksa Koliçi qetësoi zonën e tij nga një rrezik kuqeblu, Kukësi niset në kundërsulm dhe Izair Emini që futet në zonë dhe rrëzohet pas një dyluftimi me portierin Selimaj. Arbitri Koçi vërshëllen dhe tregon me dorë nga vija e rivënies fundore, mirëpo tifozët kujtojnë se gjyqtari dhe penallti. Në minutën e 27-të është Vllaznia që kërcënon të zotët e shtëpisë, por gjuajtja me kokë e Shtubinës nuk ka forcën e duhur dhe Koliçi devijon topin. Situata përsëritet një minutë më pas, por Gurishta gjuan ngjitur me shtyllën. Në minutën e 36-të shfaqet sërish Kukësi, me Pejiçin që gjen shtyllën në një pozicion të vështirë, ndërsa një minutë më pas është Emini, që nuk arrin të koordinohet në zonën e vogël të portierit.

Tre minuta nga fundi i pjesës së parë është Bakaj që fton në hyrje të zonës Çinarin, që gjuan shumë keq, duke shpërdoruar një mundësi ideale për avantazhin. Pjesa e parë mbyllet pa gola, ndërsa e dyta do të jetë edhe më e luftuar. Në minutën e 50-të Koliçi i mohon një gol të sigurt Bakajt ndërsa 7 minuta më pas Selimaj do të ndalë brazilianin Kale. Në minutën e 66-të Karioka fiton një goditje dënimi në hyrje të zonës, Kukësi kërkon penallti, por për Koçin ndërhyrja ka ndodhur jashtë zonës. Do të gjuajë Pejiç, por do ta bëjë keq, ndërsa në goditjen pasardhëse të këndit, Ylli Shameti nuk do të arrijë të gjejë kuadratin. Në minutën e 82-të provon Lena të ndëshkojë Selimajn, por ky i fundit zgjatet mjaft mirë duke i mohuar golin mesfushorit.

Momentin e fundit të ndeshjes do ta ketë braziliani Rangel, që shton emrin e tij në listën e gjatë të mundësive të shpërdoruara, me të djathtën që shkon sipër traut të Selimajt, me Kukësin që mbetet i pamposhtur në këtë kampionat, por që tashmë ka lëshuar vendin e parë në renditje, i cili do t’i takojë për të paktën një javë Partizanit.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.