Kryesore

Komisioni i vetingut, Erion Braçe: Po iku LSI? Gramoz Ruçi: E votojmë

08:16 - 11.04.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Deputetët e PS-së janë orientuar dje të votojnë në seancën e jashtëzakonshme parlamentare emrat për përbërjen e komisionit ad-hoc që do të verifikojë kandidatët e institucioneve të rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve shqiptarë. Kryetari i Grupit Parlamentar të PS-së, Gramoz Ruçi u ka thënë deputetëve se PS-ja përfaqësohet në këtë komision me Vasilika Hysin dhe Ulsi Manjën, ndërsa i është lënë LSI-së një vend bosh. Në këtë komision nuk do të ketë përfaqësim PDIU-ja, e cila pak javë më parë propozoi emrin e Shpëtim Idrizit. Edhe kryeministri Edi Rama, i cili erdhi pothuaj në fund të mbledhjes së grupit, porositi që emrat për komisionin të votohen sot pasdite dhe opozitës t’i lihen vendet bosh derisa t’i plotësojë.

Ndërkohë, kjo pjesë nuk kaloi pa debate, pasi ishte deputeti Erjon Braçe që tha se në këtë komision PS-ja po i lë një vend LSI-së si aleati i tyre aktual, por nëse ajo del nga koalicioni, siç ka lajmëruar, kush e garanton balancën në të? “Puna është se po shkojmë pa ditur se ku po shkojmë. Sot e kemi aleat, nesër nuk e dimë do ta kemi apo jo. Si na garantohet balanca e komisionit të vetingut pastaj, nëse LSI-ja nuk vijon të jetë pjesë e koalicionit?” – mësohet të jetë shprehur Braçe.

Ndërsa Ruçi i ka shpjeguar se vlerësimi i situatës duhet bërë në këto rrethana që janë aktualisht dhe koalicioni me LSI-në vijon. “Në rrethana të tjera, flasim prapë”, – mësohet të jetë shprehur Ruçi.

Ligjet

Ndërkohë, në mbledhjen e djeshme të grupit parlamentar, deputetët Piro Lutaj e Xhemal Qefalia kanë ngritur debatin që u bë më herët edhe te Komisioni i Ligjeve për projektligjin e ardhur nga ministria që drejtohet nga Sokol Dervishaj i LSI-së, ku për një rrugë 4 km në Ibë janë kërkuar 35 milionë dollarë. “Nga gjenden gjithë këto lekë, kur neve nuk na jepen për investime në zonat tona”, – mësohet të jetë shprehur Lutaj, sipas të cilit, “janë dhjetëra rrugë të cilat i kemi premtuar e nuk i kemi bërë, na doli boja para njerëzve”. Erjon Braçe kërkoi shpjegime nga ministri i Financave se si lejohet ratifikimi i një marrëveshjeje të tillë për t’u harxhuar para për një projekt që duhej të ishte bërë nga qeveria e mëparshme “Berisha”. Por ka qenë ministri Ahmetaj i cili ka thënë se ministria që drejton nuk ka kompetencë të hetojë në projekt, por vetëm të vlerësojë nëse i ka këto burime financiare.

Më pas, kreu i grupit parlamentar, Gramoz Ruçi ka kërkuar që diskutimi të mbyllet. Edhe deputeti Xhemal Qefalia, njësoj si Lutaj, u shpreh: “Janë 35 milionë euro për 4 kilometra autostradë. Kjo nuk ka logjikë. Kjo ia bën muu. As në kohën e Berishës nuk janë bërë të tilla gjëra. Na vjen turp të dalim përpara njerëzve”. Ruçi kërkoi nga ministrat që të sjellin në kohë projektligjet dhe të mos kërkojnë që ata të kalojnë me procedurë të përshpejtuar.

 

Diskutimet në grupin e PS Komisionet

Gramoz Ruçi: Seanca nesër është e rëndësishme. Ne duhet të votojmë emrat për komisionin ad-hoc. Kemi propozuar deputetët Vasilika Hysi dhe Ulsi Manja, ndërsa vendi tjetër i takon LSI-së.

Erjon Braçe: Po nëse LSI-ja nuk vijon të jetë më pjesë e koalicionit, si garantohet balanca në këtë komision, kryetar? Puna është se po e votojmë emrin e LSI-së, pa ditur se ku po shkojmë. Sot e kemi aleat, nesër nuk e dimë do ta kemi apo jo.

Gramoz Ruçi: Ne duhet të flasim sot për sot, dhe sot jemi në këtë koalicion. Pra në seancë do të votojmë tre emra. Për ndryshim të rrethanave flasim kur ato të ndryshojnë, nëse ndryshojnë. Në rrethana të tjera, flasim prapë.

Edi Rama (erdhi me vonesë në mbledhje): Të votohen emrat për komisionin ad-hoc, nesër (sot) në seancë.

Pirro Lutaj: Në Komisionin e Ligjeve, nga Ministria e Transporteve erdhi një projektligj absurd, ku përcaktohet të shpenzohen 35 milionë euro për 4 kilometra rrugë. Nga gjenden gjithë këto lekë, kur ne nuk na jepen për investime në zonat tona?! Janë dhjetëra rrugë të cilat i kemi premtuar e nuk i kemi bërë, na doli boja para njerëzve.

Erjon Braçe: Përse Ministria e Financave e lejon ratifikimin e një marrëveshjeje të tillë, pasi kjo rrugë do të duhej të ishte bërë nga qeveria “Berisha”. Dhe, me gjithë këtë shpenzim të madh, thuhet se ajo mund të rrëshqasë përsëri.

Arben Ahmetaj: Nuk është përgjegjësi e Ministrisë së Financave, pasi puna e saj është vetëm të vlerësojë i ka apo jo aq para për të financuar. Nuk mund të merremi me projektin.

Gramoz Ruçi: Atëherë e mbyllim këtë diskutim.

Xhemal Qefalia: Po si ta mbyllim! Nuk është sqaruar asgjë. As në kohën e Berishës nuk janë bërë të tilla gjëra. Na vjen turp të dalim përpara njerëzve.

Taulant Balla: Kjo çështje duhet diskutuan në komision.

 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.