SPORT

Superkupë e blinduar pas dhunës, Tirana mposht Vllazninë me lehtësi

12:32 - 11.04.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Tirana e këtij sezoni konfirmon diktatin e tij në basketbollin e meshkujve. Skuadra kryeqytetase shtoi në “palmares”-in e saj një tjetër trofe, atë të Superkupës, të dytin sezonal pas Kupës së Shqipërisë.

Në finalen e luajtur dje përballë Vllaznisë, në një pallat sporti të boshatisur ai i “Asllan Rusi”- t, pas akteve të dhunës të pak ditëve më parë, bardheblutë e trajnerit Nikola Milatoviç mposhtën kuqeblutë me lehtësi me rezultatin 85-59 duke e fituar Superkupën për herë të tetë në historinë e tij dhe të parën pas pesë viteve pritjeje.

Ndeshja nis e ekuilibruar dhe në minutat e para herë udhëheq Tirana e herë Vllaznia. Por, të zotët e shtëpisë kanë një armë plus mbrojtjen e pakalueshme. Dy faulle të shpejtë për Arrën dhe tekniku Sharin e ul në stol në vend të amerikanit Oliver. Skuadra mike lëshon mjaft në lojën e saj në vazhdim dhe bardheblutë bëjnë presing në gjithë fushën, duke u shkëputur përkohësisht 15-8. Protagonist është amerikani Rame me tre sulme të finalizuar prej tij.

Dy minuta nga fundi i periodës së parë në parket flitet anglisht me pesë amerikanë në parket, 2 nga Tirana dhe 3 nga Vllaznia. Sharin kërkon pushimin e parë teknik. Aksioni i fundit është i Vllaznisë, por e shpërdoron. Xhonson përfiton dhe shënon në “frymën e fundit” dhe perioda e parë mbyllet 19-12 për kryeqytetasit.

Me nisjen e periodës së dytë janë miqtë nga Shkodra, të cilët rritin nivelin e lojës falë edhe performancës fantastike të Frilav që në mjaft sulme është fenomenal. Palmer ngushton shifrat në -1 pikë (23-24). Pikërisht lojtari me numër 19 është përcaktues edhe në topat në tabelë. Vllaznia barazon 25-25, madje del përpara 31-29.

Në këtë pjesë loje ka edhe pak spektakël si rasti i zhytjes në fluturim i Frilav. Por Shima, si gjithmonë një lider i denjë i skuadrës, barazon me dy gjuajtjet e lira. Pa harruar edhe Hysenagollin, një “blind” në qendër, por edhe në finalizim. Pjesa e parë mbyllet 35-31 për Tiranën.

Perioda e tretë vulos triumfin e Tiranës, ndonëse nis me shkëndijën e miqve pas trepikëshit të Arrës. Vllaznia pëson një shthurje totale, ndërkohë që Tirana shkëputet vazhdimisht 49-34, 53-35, 58-39, ku heroi i këtij 10-minutëshi është Rame apo edhe Karaj me specialitetin e tij të trepikëshave.

Përtej tentativave nga distanca nga shkodranët, disavantazhi i periodës së tretë e kthen në një “mision të pamundur” në vazhdim. Festa është e gjitha e Tiranës. Në fund, edhe një surprizë prej bardhebluve, ndërsa ironizojnë duke festuar nga sektori bosh ku të enjten e kaluar ishin pozicionuar grupimi “Fanatics”. Festë e “shpikur” nga Red Vogli pas realizimit të një koshi. /Panorama Sport/


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.