SPORT

Bakaj i “shkel syrin” Partizanit: Kurrë mos thuaj kurrë! Cungu më ka befasuar, Flamurtari 70% i rënë

12:52 - 12.04.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 




Elis Bakaj ka befasuar me deklaratën e dhënë mbrëmë në studion e “RTSH Sport”. Ndonëse është folur për një kontradiktë me Partizanin, ish-sulmuesi i shikon “demat” si favoritë për titull, por njëkohësisht ai i ka “shkelur syrin” për një rikthim të mundshëm. Bakaj ka folur për komoditetin që ka gjetur te Vllaznia dhe punën e trajnerit Cungu, si dhe ka zbërthyer ngërçin që po kalon Tirana. Ja rrëfimi i Bakajt:

AMBIENTIMI ME VLLAZNINË

“Te Vllaznia jam integruar mirë dhe besoj se këtë gjë e tregojnë më së mirë arritjet e mia dhe të ekipit. Nuk mund të flas unë për kontributin tim te Vllaznia, pasi janë të tjerët ata që e bëjnë këtë punë. E kam thënë edhe më herët se Vllaznia ka lojtarë të talentuar dhe më përpara, thjesht u ka munguar besimi.

Me kalimin e kohës, edhe ata e kanë kuptuar se në futbollin shqiptar nuk ka shumë diferenca. Kështu që ne lojtarët me eksperiencë mundohemi që t’i motivojmë të rinjtë që ata i kanë mundësitë që të ballafaqohen me çdo kundërshtar, gjë të cilën e kemi treguar deri tani.

Ambienti? Nuk e mendoja që të më prisnin kaq mirë dhe të ambientohesha kaq shpejt me ekipin. Të gjithë, pa përjashtim, më patën pritur mirë dhe kjo ka shumë rëndësi për një lojtar që të përshtatet shpejt në një ambient të ri. Unë them se lojtari i përshtatet ekipit dhe jo skuadra futbollistit. Jam munduar që t’i përshtatem Vllaznisë dhe kjo nuk ka qenë e lehtë.

Raporti me trajnerin Cungu? Me trajnerin Cungu kam marrëdhënie shumë të mirë, ndonëse nuk kisha punuar më përpara me atë. Jam befasuar nga ai, pasi është një profesionist dhe jeton 24 orë me futbollin dhe ia bën hyzmetin një ndeshje në çfarëdolloj aspekti. Ai ka besim tek unë dhe jam munduar që t’ia justifikoj besimin e dhënë deri në fund”.

PROBLEMI I TIRANËS

“Nuk mund të bëj krahasime se kush është më e fortë, Vllaznia e këtij sezoni apo Tirana. Them kështu, pasi mund të kesh lojtarë shumë të mirë në përbërje, por nuk ecin gjërat për mbarë. Tirana ka lojtarë cilësorë, ndonëse nuk ka ecuri të mirë së fundmi. Futbolli ndaj është i bukur, pasi ka edhe ekipe të tjera që ndoshta nuk mund të jenë aty ku mendojnë të tjerët, por në fund arrijnë që të renditen më lart se skuadrat që kanë lojtarë më cilësorë në përbërje.

Unë u riktheva te Tirana në janar, jo se nuk kam pasur oferta të tjera, siç mund të aludojnë njerëzit, por nuk më kanë leverdisur ofertat që më kanë ardhur nga jashtë, apo klube të tjera në Shqipëri. Nuk dua të përmend emra klubesh, pasi të tilla ishin rrethanat, që besoj më kanë dhënë të drejtë tani. Unë veten e kam treguar edhe te Vllaznia, por po të isha në një ekip pretendent për kampion do të kisha shënuar më shumë.

Gjendja te Tirana? Nuk më takon mua të them se pse ka ardhur kjo gjendje te Tirana, pasi të them të drejtën edhe nuk e di mirë, duke qenë se nuk më ka interesuar shumë për problemet financiare që kanë pasur të tjerët. Tirana është ekipi me më shumë trofe në Shqipëri dhe nuk është e mirë kjo situatë që po kalon. Por, me sa kam lexuar dhe dëgjuar, borxhet po shkojnë drejt eliminimit dhe në të ardhmen pritet që të ketë një ngritje.

Merkato e Tiranës? Kur një ekip nuk ecën, nuk mund t’ua vësh fajin lojtarëve të veçantë. Kur nuk ecën një ekip, unë mendoj se faji është i të gjithëve, kështu edhe meritat u shkojnë të gjithëve. Mund të ishte bërë një merkato më e mirë, por mund të kishin përfunduar edhe më keq. Tirana ka edhe disa të rinj të talentuar, por tifozët kërkojnë trofe dhe jo që të nxjerrin lojtarë.

Mungesa e rezultateve? Besimi ka ndikuar te rezultatet e Tiranës, pasi u bë gati një fazë që ata nuk marrin fitore. Lojtarët e Tiranës, jo se nuk kanë kualitet, por kanë humbur besimin dhe kur humbet besimin është shumë e vështirë të marrësh rezultate nga një lojtar. Tirana mund të ndryshojë vetëm duke gjetur besimin, gjë e cila vjen nëse arrin të fitosh. Tiranën nuk e shikoj të rrezikuar për mbijetesën. Më të rrezikuar shikoj Flamurtarin, i cili për mua me 70% është i rënë”.

TITULLI DHE PARTIZANI

“Janë tri ekipe që luftojnë për titull. Janë ekipe të ndryshme, por që kanë lojtarë cilësorë në përbërje dhe jo më kot janë aty. Të tre ekipet e kreut janë të vështirë për t’u mundur. Duke parë edhe javën e fundit, ku Vllaznia arriti të barazonte në Kukës, shikoj që Partizani është më afër titullit. Skënderbeun e shikoj më shumë si ekip teknik, Kukësi është shumë i fortë në goditjet standarde, ndërsa Partizani ka përgatitjen fizike shumë të mirë.

E ardhmja e Bakajt? Sa herë kam bërë plane në vitet e fundit nuk më kanë dalë, kështu që çdo gjë do ta vendos pas përfundimit të sezonit.

Rikthimi te Partizani? Në jetë nuk duhet të thuash asnjëherë se nuk do shkoj te filan ekip. Jetës nuk i dihet, aq më shumë jetës së një futbollisti profesionist. Kam qenë lojtar i Partizanit dhe kam shkuar te Tirana, që kurrë s’e kisha menduar, por përsëri atje më pritën shumë mirë. Nuk mund të jap parashikime, por çdo gjë është e mundur në jetë. Jam profesionist dhe kurrë nuk mund të them se te ky ekip nuk do të luaj asnjëherë, aq më tepër kur bëhet fjalë për një klub ku ti je formuar si lojtar”.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.