BLUETOOTH

Bluetooth – Nostalgji/ Paparaci në Kuvend, çfarë i bezdis deputetët?

15:00 - 12.04.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Në lajmet tona të “show-bizz”-it, në rubrikën “nostalgji” mund të gjeni fotografi, lajme apo intervista të veçanta, të publikuara gjatë viteve në suplementin “Bluetooth” të “Gazetës Shqiptare”. Në GSH.al, sot po ju sjellim: Paparaci në Kuvend, çfarë i bezdis deputetët?





Blushi tregon që nuk mban më
Siç dihet, e gjatë ka qenë seanca e diskutimit të buxhetit të shtetit për vitin 2008. Seancë kjo e mbushur me plot debate, replika dhe kundër-replika. E gjatë po kështu ishte edhe dita e votimit nen për nen të projektbuxhetit, ku maxhoranca ka hedhur plot propozime, nga të cilat nuk u pranua asnjë për disa nene të ndryshme. E pikërisht në këtë ditë, Blushi duket se është ndjerë më i lodhur se kurrë gjatë një seance kuvendore. Sapo ajo ka përfunduar, me padurim është ngritur nga vendi dhe ka bërë përpara. Por nuk ka harruar të ‘shtriqet’ nga orët e gjata të qëndrimit ulur. Afër tij qëndronte Majko, i cili pasi e sheh që kolegut të tij por edhe vetë atij i duhej pak pushim, e ka ftuar të ecnin bashkë, së paku për të marrë pak ajër jashtë ambienteve të mbyllura, brenda të cilave u zhvillua seanca maratonë..


Ministri Pango bezdiset nga paparacët
Detyra i kërkon të jetë shpesh herë i pranishëm në media nëpërmjet intervistave apo mbledhjeve të ndryshme, por kur kapet në mënyrë të befasishme ai tregon se bezdiset. Siç vihet re edhe në këtë foto ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve Ylli Pango ndërsa po dilte nga salla e parlamentit i ka kërkuar në largësi paparacit të mos e fotografojë. Mos ndoshta Pango nuk i ka qejf fotot apo thjesht nuk dëshiron të fokusohet në momente të befasishme?! Gjithsesi ajo që të lë të kuptosh në pamje të parë ky imazh është sikur ministri i kulturës Pango dëshiron të realizojë një foto me celularin që mban në dorë.

Doklen gjithmonë e kënaqin seancat e gjata
E kemi parë shpesh të jetë aktiv ndaj debateve të shumta që zhvillohen gjatë seancave të ndryshme parlamentare, aq më tepër kur këto janë në ditë shumë të rëndësishme, sidomos kur është fjala për ato ditë kur votohen projektligje të rëndësishme. Replikon shpesh me kolegët e kampit tjetër politik, madje debaton dhe i tërheq shpeshherë vëmendjen kryetares së Parlamentit, për radhën për të folur apo për programin e rendit të ditës në Parlament. Por ja që nuk është dhe aq i vështirë për deputetin e Partisë Socialiste, qëndrimi i gjatë në seancë. Gjithmonë prej tyre del duke buzëqeshur, njësoj sikur t’i linte të gjitha debatet dhe diskutimet brenda mureve të Parlamentit, pa i risjellë më në vëmendje. Ja tek e shohim edhe në këtë foto, të qetë e pa stres, në ndryshim nga shumë kolegë të tij që këtë e reflektojnë qartë.


Strazimiri lë Patozin të presë
Kot nuk thonë, që kur fiton një post sidomos në dikasteret e ndryshme të qeverisë, bëhesh edhe më ‘i rëndësishëm’ duke anashkaluar paksa edhe të tjerët, qofshin këta miq të vjetër. Në fakt, gjithçka është në kuadër të punës. Me t’u bërë zv/ministër i Brendshëm, Gent Strazimiri ka një fluks të madh pune që e ndjek çdo ditë. Siç shihet edhe në këtë foto, ai është i shoqëruar me kryetarin e grupit parlamentar të Partisë Demokratike, njëkohësisht dhe nënkryetar i selisë blu, duke dalë nga një bar në qendër të kryeqytetit. Është një ditë normale pune, ku angazhimi është maksimal. Më kot kanë bërë disa metra rrugë bashkë Strazimiri dhe Patozi, pasi ky i fundit nuk e ka ndjerë fare dialogun e mikut të tij të vjetër. Zv/ministri i Brendshëm ka qenë përgjatë gjithë kohës duke folur në telefon dhe i është dashur që për minuta të tëra Patozin ta lërë të presë. Në fund të fundit, çfarë t’i bësh? Puna i ka këto!

Ruçit s’i intereson ç’thonë të tjerët
Nuk dihet se çfarë kanë qenë duke diskutuar në këtë moment të kapur nga paparaci ynë deputetët socialistë Namik Dokle dhe Kastriot Islami, por ajo që shihet qartë është se nuk kanë patur vëmendjen e kolegut të tyre. Gramoz Ruçi ka preferuar të ‘zhytet’ në rreshtat e shtypit të shkruar për t’u informuar me lajmet e ditës përsa i takon zhvillimeve politike. Nuk ka komunikuar shumë me ta, vetëm ndonjë ndërhyrje e vogël tek-tuk kur i tërhiqej vëmendja apo i bëhej ndonjë pyetje. Me sytë tek gazeta ndërkohë që shijonte dhe çajin me limon të porositur, Gramoz Ruçi ka kaluar kështu momentet i gjendur në lokal ndërsa dy miqtë e tij vijonin të bisedonin me njëri-tjetrin.

Leskaj i kërkon Finos të mos e ‘shqetësojë’
Të dy janë kolegë dhe miq shumë të mirë njëkohësisht dhe shpesh zhvillimet më të fundit në kampin rozë e më gjërë i diskutojnë me njëri-tjetrin. Në këtë foto të kapur nga paparaci ynë, Fino është afruar tek kryetarja e grupit parlamentar në Partinë Socialiste Valentina Leskaj dhe diçka dëshiron me ngulm t’i tregojë. Ajo që vihet re nga Leskaj është përcjellja e tij për në një moment tjetër ndërsa për pak do të merrte fjalën duke iu drejtuar poltronës së kuvendit. Fino nuk ka reaguar keq ndaj kësaj kërkese duke vijuar për në vendin e tij. Duke qenë se është në krye të grupit parlamentar të PS zonjës Leskaj i takon të japë shumë ‘këshilla’ apo sugjerime ndaj kolegëve të saj në politikë.

Prifti i lodhur nga telefoni, preferon kufjet
Nuk ka dashur ta zgjasë më me telefonatat e gjata që i takon të presë dhe të marrë përgjatë gjithë ditës në telefonin e tij celular dhe problemin e ka zgjidhur. Një palë kufje komode që biseda të zhvillohet e qetë dhe pa probleme. Të njëjtën gjë bën edhe në parlament ndërsa i duhet të përdorë për raste të vecanta telefonin. E ndërsa seanca vazhdonte, Dritan Prifti, nënkryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim mbante në dorë kufjet e vendosura në celular, për t’i patur afër në çdo rast. Madje ato kanë shërbyer edhe si ‘englendisje’ për të. Mos ndoshta po dëgjonte edhe muzikë në momentet që nuk i kanë interesuar komentet, replikat apo diskutimet? Kësaj nuk i dihet!
Ky shkrim u botua më 1 dhjetor 2007


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.