POLITIKË

Shqipëri-Kosovë, mbledhja e përbashkët e qeverive do mbahet më 24 prill në Vlorë

14:59 - 12.04.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 




24 prill. Kjo është data kur qeveria shqiptare dhe ajo e Kosovës do të mbajnë në Vlorë mbledhjen e përbashkët.

Një lajm i tillë është bërë i ditur nga Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, gjatë një konference për shtyp me homologun e Kosovës, Enver Hoxhaj, i cili po zhvillon një vizitë zyrtare në vendin tonë.

Në fjalën e tij, Ministri Bushati vlerësoi se marrëdhëniet mes dy vendeve kanë shënuar hapa pozitivë, ndërsa homologu i Kosovës, Hoxhaj tha se dy shtetet shqiptare janë faktori dominant në rajon që ka treguar në mënyrë të qartë frymën pro- perëndimore.

“Koordinimi mes nesh ka qenë efikas për disa prej sfidave me të cilat përballet sot Shqipëria dhe Kosova, por edhe mjedisi i sigurisë në rajon, ku Shqipëria dhe Kosova kanë një kontribut të çmuar” – nënvizoi më tej, ministri Bushati.

Ndërsa Hoxhaj tha: “Shqiptarët në vitin 2017 janë faktori më prodominues që ekziston në rajon. Shtetet tona janë dy vendet me qartësinë më të kristaltë për lidhjen e tyre me Perëndimin. Ka jo pak faktorë në rajon që janë jo pro Perëndimit”.

Ministrat diskutuan edhe hapat që po ndërmerr Kosova në drejtim të përmbushjes së disa prej anagazhimeve të saj kryesore sa i përket procesit të integrimit europian por edhe të një marrëdhënieje më të institucionalizuar me NATO-n, siç përcaktohet edhe nga Samitit i Varshavës.“Shqipëria mbështet aspiratën legjitime të Kosovës në procësin e liberalizimit të vizave si edhe transformimin gradual të forcës së saj të sigurisë në një ushtri të vërtetë” – theksoi Ministri Bushati.

Pjesë e axhendës së diskutimeve ishte edhe Samiti i Triestes, takimi i katërt i vendeve të Ballkanit Perëndimor me vendet anëtare të BE-së, pjesë e Procesit të Berlinit, me synimin për njësinkronizim më të mirë pikëpamjesh në lidhje me projektet që do të miratohen, por edhe në lidhje me ecurinë e projekteve ekzistuese.

Në kuadër të përgatitjeve të këtij Samiti, Ministrat u shprehën se Shqipëria dhe Kosova kanë një qendrim të përbashkët për sa i përket përpjekjeve të krijimit të një tregu rajonal. Ata u shprehën dakord për një bashkëpunim rajonal, por procesi i uljes së barrierave tregtare nuk mund të zëvendësojë procesin e normalizimit të marrëdhënieve në rajon, duke harruar faktin që vende pjesmarrëse të këtij Samiti, si Bosnja dhe Serbia nuk e njohin Kosovën, kufirin dhe doganën e saj.

Gjithashtu, Ministrat ndanë të njëjtin vlerësim në lidhje me situatën e sigurisë në rajon, si edhe zhvillimet më të fundit në Maqedoni dhe Serbi.

Ministri Hoxhaj falënderoi Ministrin Bushati për finalizimin e procesit të krijimit të Fondit të Ballkanit Perëndimor dhe Zyrës Rajonale për Bashkëpunimin Rinor, të cilat përbëjnë një lajm të mirë për rajonin dhe një sukses të posaçëm të Qeverisë shqiptare.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.