SPORT

Demi: Aleancat? Bëhen kur je në lojë si në Kupë, ashtu edhe në kampionat

09:51 - 13.04.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Presidenti i skuadrës së Partizanit, Gazment Demi, ka shuar të gjithë zërat e ditëve të fundit që flasin për një aleancë mes ekipit të tij dhe atij të Vllaznisë. Në një prononcim për “RTSH Sport”, Demi ka thënë se aleanca mund të ketë në momentin që skuadrat janë në garë si në Kupë, ashtu edhe në kampionat.

“Vllaznia luan për veten e saj, lufton për vendin e 4-t që i mundëson pjesëmarrjen në Europa League. Të gjithë presidentët e skuadrave e dinë mirë çdo të thotë pjesëmarrje në Kupat e Europës, një buxhet jo i vogël për skuadrat tona, ndaj kjo më duket si ajo shprehja ime ‘barsoleta’ dhe është për të qeshur kur dëgjoj për aleanca.

Ato mund t’i bësh kur je në lojë si në Kupë, ashtu edhe në kampionat, ndaj për çfarë aleance flitet mes nesh dhe Vllaznisë?! Të mos harrojmë që pikërisht Vllaznia sezonin e kaluar na hoqi kampionatin dhe këtë e dinë të gjithë dhe ka luajtur deri në javën e fundit ashtu siç i takon këtij klubi, ka respektuar ndershmërisht kampionatin karshi Partizanit. Ndoshta këto gjëra i bëjnë të tjerët, por nuk mund të flas, pasi nuk di asgjë.

Ne u eliminuam nga ekipi i Kategorisë së Parë, Besëlidhja e Lezhës në Kupën e Shqipërisë përpara 3 muajsh, ndaj nuk e kuptoj për çfarë aleancash flitet. Aleancat bëhen kur ka interesa, si në politikë, ndaj s’e kuptoj se çfarë interesi ka Shkodra të bëjë aleancë me ne. Në Shkodër unë pres një ekip të fortë, dinjitoz, i cili luan me shpirt siç i takon Partizanit, dhe të gjithë lojtarët të hyjnë në fushë për të marrë 3 pikët”, ka thënë Demi.

TITULLI

Partizani kryeson Kategorinë Superiore, por për Demin një gjë e tillë nuk do të thotë asgjë. Kjo, pasi diferenca prej dy pikësh e lë çështjen e titullit kampion të hapur. “Mendoj se nuk ka ndodhur ndonjë çudi që jemi në vend të parë. Diferenca prej 2 pikësh nga Kukësi nuk do të thotë asgjë, pasi jemi aty me pikë.

Siç gabojnë të tjerët, mund të gabojmë edhe ne në ndeshjet në vazhdim, por shpresoj që ekipi im është kompakt, i fortë dhe shpresoj shumë që të mos gabojmë. Me respektin që kam për kolegun tim, z. Gjici, unë nuk e di se si janë vendosur gjërat në ndeshjen e tyre të fundit. Unë kam parë ndeshjen time ndaj Luftëtarit dhe nuk është vendosur as nga arbitri, as nga njeri, por fitorja është arritur falë djersës së lojtarëve në fushë dhe të gjithë stafit teknik.

Ndërsa ndeshjen e Kukësit, të jem korrekt, nuk e kam parë. Nga sfida e radhës që do të luajmë me Vllazninë e deri në takimin e fundit që luajmë me ekipin kampion, do të jenë të gjitha finale, edhe me Korabin do të jetë finale, nuk ka ndeshje të lehta”, ka përfunduar Demi.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.