EKONOMI

Ish-të përndjekurit, rihapet procesi i aplikimit për ata që humbën shansin në ‘09

09:25 - 13.04.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




 

Ornela MANJANI

 

Ish-të përndjekurit politikë që nuk kanë dorëzuar dokumentet brenda afateve ligjore, do të kenë një shans të dytë për të përfituar dëmshpërblimin. Bëhet fjalë për ish-të dënuarit politikë ose trashë-gimtarët e tyre që nuk kanë dorëzuar dokumentet në vitin 2009, të cilët do të kenë 6 muaj kohë për plotësimin e tyre. Ndryshimi ligjor do t’u japë mundësi të gjithë ish-të dënuarve politikë, dosjet e të cilëve kanë mbetur të bllokuara në Ministrinë e Drejtësisë, të riaplikojnë nga e para brenda afatit limit 31 dhjetor 2017. “Përmbushim detyrimin tonë madhor për këtë shtresë. Brenda qershorit 2017 do të mbyllim këstin e tetë për ish-të burgosurit politikë që janë ende në jetë”, thuhet në ndryshimet ligjore të botuara dje në Fletoren Zyrtare.

Ndryshimi në ligj

Në pikën 1 të ndryshimeve ligjore që do të hyjnë në fuqi në fillim të majit, parashikohet që brenda datës 31.12.2017, ish-të dënuarit politikë, të cilët bëjnë pjesë në kategorinë e subjekteve përfituese parësore dhe plotësojnë kriteret e neneve 4 dhe 5 të këtij ligji, drejtpërdrejt apo nëpërmjet kujdestarit ligjor, paraqesin në Ministrinë e Drejtësisë kërkesën me shkrim për përfitimin e dëmshpërblimit financiar për dënimin penal të padrejtë, sipas formularit të paraqitur në aneksin “A”, që i bashkëlidhet këtij ligji. “Mosparaqitja e kërkesës brenda afatit të përcaktuar në pikën 1, të këtij neni, sjell humbjen e së drejtës së dëmshpërblimit për ish-të dënuarin politik, i cili bën pjesë në kategorinë e subjekteve përfituese parësore. Sipas këtij ligji, ish-i dënuari politik i regjimit komunist, që bën pjesë në kategorinë parësore, personi i autorizuar apo kujdestari i tij ligjor, nuk mund të rivendosen në afat për paraqitjen e kërkesës pas datës 31.12.2017”, thuhet në pikën 2 të vendimit të botuar në Fletoren Zyrtare.

Bllokimi

Bllokimi për më shumë se 8 vite i 320 dosjeve të dorëzuara me vonesë në Ministrinë e Drejtësisë, si dhe mosamendimi i ligjit ekzistues të miratuar nga qeveria e djathtë në vitin 2007 për dëmshpërblimin e ish-të dënuarve politikë, shkaktoi një valë të madhe protestash të ish-të përndjekurve që humbën mundësinë për të përfituar dëmshpërblim financiar për vuajtjet në burgjet dhe kampet e diktaturës. Protestat erdhën duke u përshkallëzuar deri në grevën e urisë të vitit 2012, ku njëri nga grevistët, Lirak Bejko u vetëflijua duke u djegur me benzinë brenda çadrës së grevës në shenjë revolte për premtimet e pambajtura nga ish-qeveria e djathtë. Të njëjtin akt kreu edhe grevisti tjetër Gjergj Ndreca, i cili mundi t’u mbijetojë plagëve dhe aktualisht ndodhet në azil politik në Suedi. Protestat nuk janë ndalur edhe gjatë 4 viteve të fundit që qeverisin të majtët, periudhë në të cilën ish-të përndjekurit politikë realizuan shumë tubime paqësore, si dhe një grevë të dytë urie para Parlamentit të Shqipërisë.

Kategoritë parësore

Të parat në listë janë gratë ish-të dënuara që jetojnë në momentin e pagesës. Sipas urdhrit të Ministrisë së Financave, në kategorinë e dytë me prioritet janë persona ish-të dënuar mbi 75 vjeç në datën e hyrjes në fuqi të ligjit që vazhdojnë të jenë gjallë. Ndërsa në kategorinë e tretë me prioritet janë persona ish-të dënuar politikë të gjallë që vuajnë nga sëmundje të rënda. Në kategorinë e katërt me prioritet janë personat ish-të dënuar që janë gjallë të cilët, pavarësisht moshës, në momentin e pagesës kanë fëmijë të mitur nën moshën 18 vjeç. Ndërsa në kategorinë e pestë me prioritet janë personat ish-të dënuar që nuk jetojnë, por në momentin e pagesës kanë trashë-gimtarë të radhës së parë në moshë të mitur nën 18 vjeç. Në kategorinë e gjashtë me prioritet janë personat ish-të dënuar që janë gjallë dhe në momentin e pagesës nuk kanë mbushur 75 vjeç, të cilët duhet të dorëzojnë certifikatë personale jo më të vjetër se një javë nga data e dorëzimit, dhe numër llogarie.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.