EKONOMI

Kriteret/ Master e doktoraturë, MAS ndryshon testet për njohjen e gjuhës së huaj

13:00 - 13.04.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Ola MITRE

Ministria e Arsimit dhe Sportit ka ndryshuar testet e gjuhës së huaj, të cilët do të jenë të vlefshëm për të gjithë ata kandidatë që do të aplikojnë për studimet e nivelit master dhe doktoraturë. Sipas udhëzimit të firmosur nga ministrja Lindita Nikolla, më datë 10 prill, tabela e mëparshme është zëvendësuar, ndërsa ndryshimi konsiston te testet e gjuhës gjermane, të cilët janë rishikuar. “Gazeta Shqiptare” publikon sot tabelën e re, të cilën e gjeni bashkëngjitur shkrimit, sipas të cilës përcaktohen teste dhe nivelet përkatëse për gjuhën angleze, italiane, gjermane, spanjolle dhe franceze. Në vitin 2015 Ministria e Arsimit dhe Sportit përcaktoi nivelet dhe testet ndërkombëtare të 5 gjuhëve të huaja, ndërkohë që kandidatët, të cilët aplikojnë për t’u pranuar në programe studimi të ciklit të dytë apo të tretë në institucionet e arsimit të lartë janë të detyruar të kenë nivel të njohjes së njërës prej këtyre gjuhëve. Për pranimin në programet e studimit të ciklit të dytë, kandidati duhet të ketë njohje të gjuhës së huaj ndërmjet nivelit B1 dhe nivelit C1. Ndërkohë që për pranimin në programin e studimeve të ciklit të tretë, kandidati duhet të ketë njohje të gjuhës së huaj, të nivelit C1.
Udhëzimi i ri
Ky është ndryshimi i dytë i këtij udhëzimi, pas atij të tri javëve më parë, ku rishikoheshin disa kritere të vlefshmërisë së certifikatës. Sipas këtyre ndryshimeve, “kandidati që aplikon për t’u pranuar në programe studimi të ciklit të dytë apo të tretë në Institucionin e Arsimit të Lartë duhet të ketë certifikime dhe rezultate të testimeve ndërkombëtare për nivelet e njohjes së gjuhëve, brenda afateve të vlefshmërisë së certifikatave të lëshuara”. Kjo do të thotë se ata persona, që synojnë të vazhdojnë këto studime, por iu ka “skaduar” vlefshmëria e certifikatës që vërteton njohjen e gjuhës së huaj, do të duhet të rifuten në provim, në mënyrë që të rimarrin dokumentin e vlefshëm. Ky ndryshim duket se do të rritë kostot për të gjithë këta kandidatë, pasi do t’u duhet të paguajnë njohjen e gjuhës së huaj. Për shembull për gjuhën angleze, testi amerikan i TOEFL ka një kosto duke filluar nga 170 dollarë, të cilat duhet të paguhen nga kandidati. Ndërkohë që, sipas udhëzimit të deritanishëm këto certifikata kishin një vlefshmëri deri në 2 vite pas lëshimit të tyre. Më konkretisht, në këtë udhëzim thuhej: “Kandidati që aplikon për t’u pranuar në programe studimi të ciklit të dytë apo të tretë në Institucionin e Arsimit të Lartë duhet të ketë certifikime dhe rezultate të testimeve ndërkombëtare për nivelet e njohjes së gjuhëve, të cilat i përkasin një periudhe jo më vonë se 2 vjet nga momenti i lëshimit të tyre”. Ajo që vlen të theksohet është fakti se këta kandidatë duhet të disponojnë dokumente të njohjes së gjuhës së huaj vetëm nga testet e certifikuar nga MAS, ku në asnjë rast nuk bëjnë pjesë certifikatat e lëshuara nga Fakulteti i Gjuhëve të Huaja në Universitetin e Tiranës. Në kohën e miratimit të udhëzimit, ky fakt u kundërshtua nga zyrtarë të këtij fakulteti, por ministria u kundërpërgjigj me argumentin se përcaktimi i testeve u bë “në mbështetje të Kuadrit të Referencave për Gjuhët të krijuar nga Këshilli i Europës (2001), Kuadrit të Përbashkët Europian të Referencave për Gjuhët, si dhe në bashkëpunim me Ambasadat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Britanisë së Madhe, Gjermanisë, Francës, Italisë dhe Spanjës të akredituara në Republikën e Shqipërisë”.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.