EKONOMI

Klasat e pesta do testohen në 3 lëndë, Nikolla: Ja kur zhvillohet

09:46 - 14.04.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Ola MITRE

 

Vlerësimi i arritjeve të nxënësve për klasat e pesta do të zhvillohet në datën 23 maj”. Gjithçka përcaktohet në një udhëzim të ministres së Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla, që mban datën 7 prill. Testimit do i nënshtrohen të gjithë nxënësit e klasave të pesta, ndërkohë që ai do të zhvillohet në tri lëndë: Gjuhë Shqipe, Matematikë dhe lëndë shkencore. Sipas udhëzimit, vlerësimi i arritjeve do të fillojë në orën 10:00 dhe do të zgjasë 1 orë e 30 minuta. Sa u takon nxënësve me aftësi të kufizuara, sipas dokumentit të firmosur nga ministrja, do të zhvillojnë vlerësimin e arritjeve në përshtatje me programin mësimor me të cilin punojnë, veçoritë dhe standardin e tyre. I gjithë procesi do të monitorohet nga Inspektorati Shtetëror i Arsimit si dhe do të ketë përgjegjësinë për raportimin e çdo parregullsie të vërejtur gjatë tij.

Testimi

Sipas urdhrit të mëparshëm të Nikollës, i cili mban datën 11 prill 2016, dhe rregullores që e shoqëron, nxënësit do të vlerësohen me anë të një testi me shkrim për njohuritë e tyre në lëndët: Gjuhë Shqipe, Matematikë dhe Shkenca. Gjithashtu, ai saktëson edhe kriteret që duhet të plotësojnë mjediset ku do të zhvillohet mjedisi, e sipas nenit 16 të rregullores, largësia ndërmjet nxënësve duhet të jetë jo më pak se 120 cm, mjedisi nuk duhet të ketë postera, tabela apo materiale të tjera që kanë lidhje me lëndët që vlerësohen, nxënësit duhet të ulen me fytyrë në të njëjtin drejtim, ndërsa sipërfaqja që ai duhet të ketë në dispozicion për të shkruar është të paktën 40 cm x 60 cm. Sipas rregullores, nxënësi duhet të paraqitet në qendrën ku zhvillohet testimi 1 orë përpara, ndërkohë që kur vëren ndonjë shkelje të rregullave dhe procedurave të vlerësimit, ka të drejtë të informojë administratorin e procesit të testimit, përgjegjësin e administrimit të procesit të testimit dhe përfaqësuesin e Inspektoratit Shtetëror të Arsimit. Sipas të njëjtit dokument, vlerësimi i përgjigjeve të nxënësve do të bëhet me pikë, sipas formatit të përgatitur nga Agjencia Kombëtare e Provimeve. Pikët maksimale që mund të marrë një nxënës janë 50, ndërkohë që dokumenti nuk saktëson masa penalizuese në bazë të rezultatit të arritur.

Paligjshmëria

Vlerësimi i arritjeve të nxënësve të klasës së pestë të arsimit fillor, është cilësuar si i kundërligjshëm. Përmes një prononcimi, dhënë për ‘Gazeta Shqiptare’, në maj të vitit të kaluar, analisti pranë Platformës Shqiptare për Advokim Politikash, Rigels Xhemollari, i referohej nenit 49 të ligjit “Për arsimin parauniversitar”, ku nuk parashikohet ndonjë testim i tillë. “Përveç eksperimentimit dhe paqartësisë për efektet dhe pasojat që ka ky testim mbi nxënësit, udhëzimi i ministres mbart në vetvete një kundërshti ligjore të paprecedentë. Në udhëzim thuhet se baza ligjore i referohet nenit 49 të ligjit të arsimit parauniversitar, nen që parashikon hartimin e testit nga mësues të certifikuar, kompetencë të cilën udhëzimi ia ka deleguar AKP-së. Ky nen parashikon vetëm dy provime kombëtare: provimin e arsimit bazë dhe atë të maturës shtetërore. Provimi i ndërmjetëm kombëtar nuk është i parashikuar, dhe nëse realizohet një i tillë sipas pikës 1 të këtij neni, kjo bëhet për një numër të caktuar nxënësish”, – tha Xhemollari. Gjithashtu, ai shtoi se “ky udhëzim shpreh qartë mungesën e vizionit, të profesionalizmit dhe të përgjegjësisë për të nxjerrë akte të studiuara dhe për të realizuar procese në interes të qytetarëve, të cilët i kanë besuar të ardhmen e fëmijëve këtij institucioni”.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.