SPORT

Lekë nga emigrantët për gjyqin e Gjokës, Sinan Idrizi i refuzon

14:51 - 14.04.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Në një kohë që kanë mbetur 6 ditë nga skadimi i ultimatumit prej 21 ditësh të vendosur nga FSHF për Flamurtarin për pagesën e ish-trajnerit Ernest Gjoka, disa tifozë nga Marseja ofrohen për të sponsorizuar për hapjen e gjyqit në KAS. Ata kanë vendosur 1000 franga në dispozicion për hapjen e gjyqit. Por administratori Sinan Idrizi, për “Panorama Sport”, është shprehur dje se nuk ka ndër mend të merret me këtë çështje dhe se nuk do të shkojë në KAS.

“Disa tifozë nga Marseja kanë dorëzuar në bankë në llogari të Klubit të Futbollit Flamurtari 1000 franga për fillimin e gjyqit në KAS, me qëllim që ne të hapim gjyqin për çështjen ‘Gjoka’. I falënderoj këta tifozë për ndjeshmërinë e treguar, por e them qartë dhe prerë, nuk shkoj në gjyq.

Ata kanë hequr bukën e gojës vetëm për këtë çështje, ndaj i falënderoj pa masë. Unë nuk merrem me këtë çështje. Le të shkojë Bashkia dhe zotëria që ka hedhur Flamurtarin në gjyq, bashkë me atë që ka firmosur kontratën. Për mua ky kapitull është mbyllur. Ata që duan të merren, paratë i kanë në bankë, ndaj bujrum”, u shpreh fillimisht Idrizi.

POLICIA DHE PROTESTA

Administratori i Flamurtarit tha se mbështet çdo protestë të tifozëve, por shprehet kundër bllokimit të rrugëve. Idrizi denoncon edhe një incident mes tifozëve dhe policisë pas ndeshjes me Skënderbeun, ndërsa kërkon takim urgjent me drejtorin e Policisë së Vlorës.

“Protesta le të zhvillohet, por brenda masës. Më duket se është e ekzagjeruar që të bllokohen rrugët, pasi ato janë për të gjithë komunitetin. Kam rezerva për Policinë e Vlorës dhe kërkoj takim urgjent me drejtorin e policisë Jaeld Çela. Në ndeshjen me Skënderbeun, një polic ka sharë tifozët vlonjatë me libër shtëpie. Ai nuk është vlonjat, por i ardhur në Vlorë, por të mos i acarojë njerëzit se boll të acaruar janë.

Disponojmë video për këtë polic që ka sharë e ka ofenduar tifozët me një sjellje arrogante. Unë i mirëkuptoj njerëzit që duan të protestojnë dhe i mbështes, por bllokimi i rrugës është larg filozofisë sime. Në Shqipëri është e modës që blloko rrugën, të marrësh pikët. Tek ne nuk do të ketë as çadër në mes të bulevardit dhe as bllokim rrugësh, por të protestohet me të gjitha mënyrat e tjera demokratike. Tifozëria ka të drejtë që të acarohet, jam gati për çdo protestë, por me mënyra demokratike”, tha Idrizi.

 

GJYQTARËT E HUAJ

Edhe një herë ai përsërit se kërkon që 8 ndeshjet e mbetura të gjykohen nga arbitër të huaj. “Të heqim dorë nga keqkuptimet. Unë di që ka kontestime gjithmonë. Nuk ka president klubi të thotë se jam i kënaqur me gjykimin. Ndaj ne kërkojmë gjyqtarë të huaj në këto ndeshje të mbetura. I paguajmë vetë.

Unë po pres me shumë kureshtje mbledhjen e Komisionit të Etikës. E mbani mend ndeshjen e vjetshme ku Flamurtari humbi në Korçë me rezultatin 1-0? Jemi sharë e jemi ofenduar nga tifozët korçarë, na kanë hedhur edhe sende në fushë dhe Skënderbeu nuk ka marrë asnjë dënim. Por pres çfarë do të ndodhë me ne kësaj here”, shtoi Idrizi.

MBLEDHJE URGJENTE

Flamurtari dorëzon sot në Këshillin Bashkiak kërkesën për mbledhje urgjente. Një fakt të tillë e konfirmon vetë Idrizi, i cili thotë se Këshilli Bashkiak duhet të gjejë një zgjidhje për problemin e Flamurtarit. “Nesër (sot) zyrtarizojmë kërkesën për mbledhje urgjente të Këshillit Bashkiak. Do të kërkojmë që këshilli t’i japë zgjidhje këtij problemi, pasi nuk janë borxhet tona dhe nuk duhet t’i paguajmë ne. Mua të më kthejnë lekët. Nuk doja të shkoja deri këtu, por jam i detyruar”, përfundoi administratori.

 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.