EKONOMI

Skualifikohen nga ALUIZNI, strehim në banesat sociale. 30 ditë afat për zhvendosjen

12:27 - 14.04.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




 

Ornela MANJANI

 

Pronarët e shtëpive që janë në proces legalizimi, por nuk mund të kualifikohen nga ALUIZNI do të sistemohen në ndërtesa sociale. Bëhet fjalë për ato ndërtime, shtëpi banimi, që preken nga investimet publike ose private. Familjet nuk do të lëvizen nga shtëpitë e tyre pa iu siguruar strehimi dhe do të njoftohen 30 ditë para zhvendosjes në ambientin e ri. Detajet janë përcaktuar në projektligjin e ri për strehimin social, i cili është miratuar dje në mbledhjen e qeverisë. “Vendndodhjen dhe profilin e familjeve që jetojnë në banesa, që nuk mund të legalizohen dhe që preken nga investime publike ose private, sipas planeve rregulluese”, – thuhet në projektligj.

Procedurat e zhvendosjes

Sipas draftit, njësia e vetëqeverisjes vendore në bashkëpunim me ministrinë që realizon investimin publik dhe ministrinë përgjegjëse për zhvillimin urban, ushtron kompetencat për të lehtësuar zhvendosjen e individëve/familjeve dhe për të siguruar strehim alternativ të përshtatshëm.

“Në rast se qëndrimi në një vendbanim, ose strehim bëhet i pamundur për shkak të investimeve me interes publik, prishje të objektit për shkak të përjashtimit nga procesi i legalizimit ose raste të tjera të përcaktuar në këtë ligj apo ligje të tjera, njësia e vetëqeverisjes vendore nxjerr aktin administrativ për zhvendosjen nga banesa, njofton individin/familjen 30 ditë para zhvendosjes, nuk kryen prishjen e objekteve pa siguruar sistemimin me strehim të përshtatshëm të individëve/familjeve që zhvendosen dhe nuk përfitojnë shpronësim”, – thuhet në draft.

Sipas projektligjit në çdo rast, individët/familjet që preken nga vendimi kanë të drejtë të kundërshtojnë zhvendosjen e tyre në Gjykatën Administrative. Nëse është e nevojshme, atyre u ofrohet ndihmë juridike nga institucionet shtetërore. Procedurat e zhvendosjes dhe bashkëpunimi ndërinstitucional përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

Strehimi social

Përparësi në përfitimin nga programi për zhvillimin e zonës me qëllim strehimin kanë familjet/individët e pastrehë, të cilët në zonën përkatëse e kanë siguruar strehimin në: a) ndërtime të palegalizuara, që nuk mund të legalizohen; b) zonat e vjetra industriale, jofunksionale, të zëna nga individë të pastrehë, pa autorizime përkatëse për strehim.

Kriteret për përfituesit nga programi për zhvillimin e zonës me qëllim strehimin, mënyra e sigurimit të strehimit të tyre gjatë periudhës së ndërtimit, forma e kalimit të pronësisë për kuota të përcaktuara për banesa sociale nga ndërtuesit ose pronarët, me qëllim strehimin e përfituesve që janë zhvendosur prej tyre përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

Relacioni

Projektligji i ri që do të miratohet në parlament dhe do të hyjë në fuqi gjashtë muaj pas botimit në Fletoren Zyrtare është në Këshillin e Ministrave nga ministri i Zhvillimit Urban. Për hartimin e projektligjit grupi i punës u mbështet përveç ekspertëve të UNDP, edhe nga ekspertë të Këshillit të Evropës. Drafti i parë i projektligjit për strehim social u është dërguar për mendim 125 subjekteve: ministrive, 61 bashkive të vendit, shoqatave/organizatave që operojnë në funksion të mbrojtjes së të drejtave dhe interesave të grupeve të ndryshme në pozita të pafavorizuara, institucioneve të pavarura, aktiviteti i të cilave ndërthuret ngushtësisht me politikat e strehimit dhe të institucioneve që zbatojnë këto politika, si dhe ekspertëve të fushave të ndryshme.

Në përfundim të afatit të pritjes së mendimeve, u përgjigjën Bashkitë Durrës, Fier, Pogradec, Berat, Gjirokastër, Pustec, Mallakastër, Finiq, Tepelenë, Shijak, Vau i Dejës. Një pjesë e tyre u shprehën dakord, ndërsa Bashkia Berat, Bashkia Vau i Dejës, Bashkia Durrës, Bashkia Fier bënë disa propozime, të cilat janë marrë parasysh në hartimin e draftit të dytë të projektligjit.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.