POLITIKË

15 pikat e marrëveshjes që Meta mbante në duar, para takimit me Ramën

11:25 - 15.04.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Duke hyrë në takimin final me Edi Ramën, Ilir Meta si kurrë ndonjëherë u pa me një dosje në dorë. Ky fakt u bëri përshtypje edhe gazetarëve të cilët pyetjen e parë që i bënë ishte; a ndodhet brenda saj marrëveshja e re mes PS-së dhe LSI-së?

Por Ilir Meta duke pretenduar për transparencë të plotë u përgjigj se ai po shkon në takim me marrëveshjen e Prillit 2013, e cila është akoma në fuqi. Jo pa qëllim ai hapi dosjen dhe lexoi prej saj kreun e këtij dokumenti të quajtur, “Karta e parimeve të bashkimit PS-LSI”, ku theksohet e zeza mbi të bardhë, që ky koalicion do të punojë edhe në funksion të;  “zgjerimit të konsensusit politik mbi bazën e vullnetit popullor, të shprehur me zgjedhje të lira e të ndershme”.

Ja marrëveshja e vjetër

Partia Socialiste e Shqipërise dhe Lëvizja Socialiste për Integrim, bien dakord që ky bashkim të jetësojë sa më poshtë vijon:

  1. Një bashkëpunim strategjik, programor dhe politik, bazuar në domosdoshmërinë e realizimit të objektivave afatgjatë dhe në nevojën e bashkëveprimit konstant mes PS e LSI, për të ndërtuar Shqipërinë Europiane si realitet i ri i në të ardhmen e afërt i Bashkimit Europian, përmes mirëqeverisjes së punëve të vendit çdo ditë;
  2. Një zhvillim konstruktiv të bashkëpunimit mes PS e LSI, mbi parimet e kushtetuetshmërisë e të ligjshmërisë, respektit të të gjithë faktorëve institucionalë, politikë e shoqërorë, garantimit të lirive e të drejtave të opozitës dhe kërkimit të konsensusit sa më të gjerë në procesin vendimmarrës, përmes gjithëpërfshirjes e vendosjes së prioriteteve të procesit të ndërtimit të Shqipërisë Europiane mbi çdo prioritet partiak.
  3. Një vullnet të palëkundur për të garantuar kohezion të brendshëm të koalicionit dhe konsensus për mirëqeverisjen, në funksion të reformave të dakordësuara bashkarisht, të emërimeve që janë përgjegjësi kushtetuese e Kuvendit për të garantuar pavarësinë e institucioneve, të depolitizimit dhe modernizimit të administratës publike përmes konkurencës e meritës.
  4. Një qasje të re publike të shumicës qoftë në parlament e qoftë në qeveri, për të garantuar mbi bazën e një Kodi Etik që do të hartojmë e miratojmë bashkarisht, shprehjen e respektit më të madh për opinionin publik dhe rritjen e transparences ne qeverisje në një shkallë të panjohur deri më sot.
  5. Një ndarje të re të punëve mes legjislativit dhe ekzekutivit, duke i dhënë një vlerë të re mandatit të popullit Sovran qoftë në pushtetin legjislativ qoftë në pushtetin ekzekutiv, me qëllim që kontrolli parlamentar të marrë vlerën e munguar në këto dy dekada dhe përgjegjësia qeverisëse të fitojë një cilësi të re.
  6. Një pozicionim të qartë në mbrojtjen e shtresave të nevojë dhe në mbështetjen e shtresës së mesme, përmes uljes së barrës së detyrimeve apo taksave të drejtëpërdrejta si edhe nxitjes së integrimit social përmes punës dhe rritjes së fuqisë blerëse.
  7. Një politikë vijimësisht mbështetëse për biznesin e vogël, për të rritur vetëpunësimin dhe fuqinë ekonomike të familjeve që merren me biznes të vogël si edhe për të filluar uljen e borxheve të familjeve të varfra ndaj biznesit të vogël.
  8. Një garanci të plotë për lirinë e biznesit të madh për të stimuluar një ekonomi prodhuese duke mbrojtur lirinë e konkurencës, duke e trajtuar punësimin si objektiv themelor të rritjes ekonomike, duke rritur përgjegjshmërinë e shtetit në raport me çdo potencial zhvillim dhe investitor vendas apo të huaj, si edhe duke rritur transparencën e cilësinë e marrëdhënieve mes qeverisë e sipërmarrjes në funksion të interesit madhor të zhvillimit ekonomik e social të vendit – çka për ne do të thotë përfshirje e sipërmarrjes në çdo vendimmarrje të rëndësishme për të dhe luftë pa kompromis arbitraritetit të organeve tatimore ndaj sipërmarrjes.
  9. Një angazhim të fuqishëm për zgjidhjen e çështjes së pronës, duke siguruar transparencën e domosdoshme të procesit të kthim-kompensimit të pronave në funksion të së drejtës së mohuar të pronarëve që pas dy dekadash liri janë ende shumë që nuk gëzojnë asnjë të drejtë mbi pronën e tyre. Duke siguruar përmes një procesi të mirëorganizuar e transparent dhënien e çertifikatës së tokës për të gjithë fermerët që prej dy dekadash punojnë një tokë që e kanë de facto po nuk e gëzojnë de jure. Duke realizuar me transparencë procesin e zvarritur të legalizimeve që në dy dekada ka sjellë vetëm rritjen e numrit të ndërtimeve pa leje dhe shkatërrime të mëdha të territorit.
  10. Një trajtim me prioritet të sigurisë publike dhe të garantimit të paprekshmërisë së individit e të pronës, duke i shpallur një luftë të pashoqe krimit të çdo natyre dhe korrupsionit. Në këtë kontekst e shohim të pandashme edhe sigurinë juridike për çdo qytetar, në mënyrë të barabartë, eficente dhe të përgjegjshme duke organizuar drejtësinë si një shërbim publik të sigurtë e të aksesueshëm nga te gjithë sipas nevojës. Për ne një Shqipëri e drejtë me të gjithë fillon nga mirëqeverisja për të gjithë.
  11. Një politikë të re për rininë shqiptare si kontributore e pazëvendësueshme per projektin e Shqipërisë Europiane dhe integrimin e vendit ne Bashkimin Europian. Kjo vetëkupton arsimimin e nje brezi me mentalitet dhe profesionalizem europian, krijimin e mundesive reale për punësim, si dhe çdo kontribut tjeter për të përballuar sfidën e lirisë në mjedisin e një ekonomie gjithnjë e më globale.
  12. Një vëmendje të posaçme ndaj barazisë gjinore duke synuar rritjen e vazhdueshme të pjesëmarrjes së gruas në përfaqësimin e popullit Sovran në nivel qendror e vendor, në mirëqeverisjen e punëve të vendit apo komunitetit në administratën publike, në biznes apo shoqërinë civile. Aleanca për Shqipërinë Europiane do të ketë objektiv të palëvizshëm të përpjekjes së saj zhdukjen e dhunës kundër gruas si edhe luftën kundër papunësisë femërore.
  13. Një vendosmëri të palëkundur për të mbrojtur pasuritë natyrore të vendit, burimet nëntokësore, trashëgiminë kulturore, përmes politikash zhvillimi me një përmasë të gjelbër në kuadrin e një zhvillimi ekonomik të qëndrueshëm.
  14. Një vizion europianizues që të lerë pas përgjithmonë fantazmën e nacionalizmit primitiv e të promovojë atdhedashurinë si shprehje të krenarisë kombëtare dhe të

respektit për historinë si burim frymëzimi për të ardhmen, jo si gjenerator dasish e konfliktesh të së shkuarës.

  1. Një objektiv madhor: Anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian brenda harkut të dy mandateve qeverisëse, ku të bashkuar në emër të shumicës së shqiptarëve dhe me dorën e bashkëpunimit të shtrirë ndaj përfaqësuesve të pakicës në emër të Shqipërisë Europiane, do t’i shërbejmë besnikërisht popullit shqiptar.

Karta e Parimeve të bashkimit PS – LSI në kuadrin e koalicionit Aleanca për Shqipërinë Europiane do të shtjellohet me detaje në programin qeverisës të koalicionit. Këto parime do të kihen parasysh edhe në hartimin e marrëveshjes së veçantë që PS dhe LSI do të bëjnë për zgjedhjet vendore të vitit 2015. Çdo ndryshim në Kartën e Parimeve mund të bëhet vetëm me konsensus përmes një amendamenti me shkrim të firmosur nga kryetarët e PS dhe LSI.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.