EKONOMI

“Mjekët që bëjnë konsulta në spitale rajonale marrin 10 mijë lekë bonus”

08:37 - 15.04.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Ola MITRE

 

Mjekët e spitaleve Universitare që do të kryejnë konsulta apo ndërhyrje kirurgjikale në spitalet rajonale në ditë të caktuara, do të shpërblehen me bonus 10 mijë lekë të reja në ditë, ndërsa ata që do të japin shërbim nga njëri spital rajonal në tjetrin, do të kompensohen me 5 mijë lekë të reja në ditë”. Kjo është skema e re e financimit të stimulimit për mjekët, e cila është bërë me dije nga ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, gjatë kongresit mbarë shqiptar mbi “Kujdesin gjatë shtatzënisë dhe lindjes”. Sipas kreut të Shëndetësisë, kjo skemë synon fuqizimin e spitaleve rajonalë e bashkiakë. “Ky kompensim financiar është një hap përpara drejt rimodelimit të skemës së kompensimeve financiare për profesionistët e shëndetit, por ndërkohë i hap rrugën dhe zhvillimit të trajnimit të burimeve njerëzore dhe dhënies së shërbimit aty ku është nevoja. Pasi ne të gjithë e dimë që është shumë e rëndësishme që të fillojmë të mendojmë për një skemë të mbështetjes së burimeve njerëzore aty ku shërbimet duhet të jenë të aksesueshëm. Jo të gjithë shërbimet duhet të ofrohen në Tiranë. Tirana, në spitalet Universitare duhet të ofrojë shërbime terciare. Synimi ynë është të fuqizojmë spitalet rajonale, të fuqizojmë spitalet bashkiake, të fuqizojmë Qendrat e Kujdesit Parësor”, u shpreh Manastirliu. Sipas ministres, investimet e bëra në shëndetësi, nuk kanë asnjë vlerë pa mbështetur burimet njerëzore. “Dua të përmend këtu një element, pa të cilin investimet nuk do të kishin vlerë. Ato janë burimet njerëzore. A kemi ne nevojë për burime njerëzore të kualifikuara? Patjetër që po. Ndaj dhe vakumi që politika e vjetër la katër vite pa specializime, ne në bashkëpunim me stafet mjekësore, përmes proceseve transparente rikthyem specializimet në të gjithë specialitetet për t’i hapur rrugë zhvillimit të burimeve njerëzore aty ku është nevoja”,- u shpreh Manastirliu. Po ashtu, ajo e vuri theksin te rritja e pagave për të gjithë personelin e sistemit shëndetësor, si një nga pikat më të rëndësishme të qeverisë. “Kur flasim për burime njerëzore s’dua të le pa përmendur politikën e re të qeverisë për rritjen e pagave për 20.000 mjekët dhe infermierët në sistemin shëndetësor. Rritje 10% e pagës si dhe përfshirja e kushtit për vështirësi të veçantë pune, 18.000 mijë lekë për mjekët që punojnë në shërbime të urgjencës dhe reanimacioneve, 12.000 për infermierët dhe laborantët po në këto shërbime si dhe dyfishimi i pagesës për shërbimin roje”,- tha ministrja. Gjatë zhvillimit të punimeve të këtij kongresi, u ofrua një qasje e re shkencore për realizimin e protokolleve bashkëkohore, të qëndrueshme dhe kosto-efektive për kujdesin gjatë shtatzënisë. Në kongres morën pjesë mjekë obsetër-gjinekologë e profesionistë të shëndetit nga Shqipëria si dhe të zonës shqipfolëse të Rajonit (Kosovë, Maqedoni dhe Mal i Zi).


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.