BOTA

Erdogan shpall fitoren, pushteti në dorën e tij

08:25 - 17.04.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 




Gerilina KODHELI

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan ka shpallur fitoren në referendumin e zhvilluar për ndryshime kushtetuese, të cilat do t’i zgjerojnë atij kompetencat. Me anë të këtij votimi, turqit kanë aprovuar ndryshimin më radikal të Kushtetutës së vendit, që prej themelimit të republikës së tyre 93 vjet më parë. Sipas 98 për qind të votave të numëruara, 52.7 për qind janë pro dhe votat kundër janë në kuotën e rreth 47.3 për qind, por sidoqoftë, rezultatet mund të mos jenë përfaqësuese për të gjithë vendin. Mbështetësit e Erdoganit thonë se zëvendësimi i sistemit parlamentar me një presidencë ekzekutive do të modernizojë vendin, por kundërshtarët druajnë se kjo mund të çojë në autoritarizëm më të madh. Nëse rezultati konfirmohet, Erdogan do të mbetet në detyrë deri në vitin 2029.

Kështu, sipas “The Telegraph”, presidenti kthehet tani në liderin e qeverisë së vendit dhe ka të drejtë të caktojë ministrat. Ndryshimet kushtetuese që ishin në lojë në referendum, përfaqësojnë programin më të madh të ndryshimeve kushtetuese që kur Turqia u bë republikë, thuajse një shekull më parë. Erdogan do të mund të lëshojë dekrete, të përzgjedhë gjykatësit dhe të shpërndajë parlamentin. Sistemi i ri anashkalon rolin e kryeministrit dhe e përqendron pushtetin në duart e presidentit, duke vendosur të gjithë burokracinë nën kontrollin e tij. Erdogan thotë se ndryshimet ishin të domosdoshme për të përballuar sfidat e sigurisë në Turqi, nëntë muaj pas një grushti të dështuar shteti dhe për të evituar koalicionet e brishta të së shkuarës. “Ky votim i popullit kishte të bënte me një sistem të ri qeverisës në Turqi dhe ishte një zgjidhje për ndryshim”, – tha Erdogan. Megjithatë, parlamenti do të humbasë pushtetin që ka, përfshi këtu edhe fuqinë për të thirrur ministrat e kabinetit të paraqiten para komisioneve. Por, si i ka justifikuar Erdogan këto ndryshime që forcojnë pushtetin e tij? Presidenti Erdogan është shprehur se sistemi parlamentar turk shpeshherë e dërgon vendin në koalicione të dobëta qeveritare, që nuk janë të afta të marrin vendime të rëndësishme. Ai thotë se sistemi i ri do ta bënte qeverinë turke më të fortë, më decizive dhe më të aftë për të mbrojtur vendin nga kërcënime të jashtme, si terrorizmi, apo kërcënime të brendshme, si kryengritjet kurde dhe grushtet e shtetit.

Erdogan thekson se sistemi që po propozon është i ngjashëm me atë të SHBA-ve dhe Francës, që kanë presidentë ekzekutivë. Sidoqoftë, gjatë ditës së votimit nuk munguan as incidentet. Tre persona u qëlluan për vdekje afër një qendre votimi, në provincën juglindore të Diarbakirit. Rreth 55 milionë njerëz kishin të drejtë të votonin në 167 mijë qendra votimi në të gjithë vendin. Pas fitores së Erdogan, disa nga qytetet më të mëdha si Ankaraja, Stambolli, Diarbakir dhe Antalia që votuan kundër protestuan. Mijëra qytetarë të revoltuar në Stamboll kanë dalë në dritaret e shtëpive të tyre duke kërcitur tenxheret, një formë proteste e përdorur edhe më parë.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.