SPORT

Gjyqtari rrëfen tmerrin në Tepelenë: Nuk dëgjoj më nga veshi i djathtë

10:21 - 17.04.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Një penallti e akorduar dhe më pas një goditje fatale në kokë. Dhuna në Kategorinë e Dytë rikthehet në formën më të shëmtuar të mundshme. Një ngjarje që mund të kishte rezultuar fatale për arbitrin nga Vlora, Ardit Merdanaj, i cili ra pre e dhunës së lojtarit të Domosdovës, Altin Lleshi. Në një rrëfim për “Panorama Sport”, gjyqtari i dhunuar Merdanaj tregon gjithçka ndodhi në sfidën e Tepelenës.

“Në një moment, akordoj penallti për Tepelenën dhe ndëshkoj me karton të verdhë lojtarin që e shkaktoi atë. Dhe ai lojtar nuk reagoi duke pranuar vendimin. Në këtë moment vjen futbollisti tjetër i Domosdovës Altin Lleshi dhe më shtyn duke protestuar për penalltinë. Unë i nxjerr kartonin e kuq dhe më pyet se pse e ndëshkoj. Unë ia argumentoj këtë për veprimin që bëri dhe e pranoi.

Lojtari largohet dhe unë shkoj në zonë për të pritur ekzekutimin e 11-metërshit. Në këtë moment, Lleshi merr vrull dhe vjen e më godet me grusht nga mbrapa kokës duke më kërcënuar njëkohësisht. Unë isha në gjendje të lirë dhe nuk e prisja këtë goditje, madje as delegati, vëzhguesi apo lojtarët e tjerë. Të gjithë u habitën se si e bëri atë veprim, pasi futbollisti po dilte nga fusha.

M’u krijua një gjendje të fikti dhe isha i turbulluar. Më pas ndërhyri policia që më ndihmoi dhe u qetësua situata. E gjithë kjo histori ishte pa arsye. Më pas, delegati dhe vëzhguesi kontaktuan me zyrtarët e FSHF-së dhe vendosa ta ndërpres takimin. Rregullorja e thotë qartë që nëse arbitri dëmtohet nga faktorë të jashtëm, takimi ndërpritet automatikisht. U thirrën kapitenët dhe përfaqësuesit e klubeve dhe iu komunikua vendimi dhe u pranua ajo që ndodhi”, rrëfen gjithçka ndodhi në fushë gjyqtari vlonjat.

“Më pas shkova në komisariat dhe bëra denoncimin sipas rregullave dhe lojtari që më dhunoi Lleshi u shoqërua në polici dhe do mbahej aty gjatë natës. Ai ishte i papërmbajtshëm, pasi, përveçse më goditi mua, pati përplasje edhe me forcat e rendit. Ndërsa, lojtari tjetër Ardit Facja më shau dhe ofendoi”, tha arbitri vlonjat. Më tej vijon: “Kam dhimbje në kokë dhe nuk dëgjoj fare nga veshi i djathtë. Tani jam rrugës dhe do të shkoj menjëherë në spitalin e Vlorës për të bërë kontrolle më të imtësishme me skaner. Nuk e kuptoj një veprim të tillë. Edhe pse ishte një ngjarje e rëndë, nuk do të tërhiqem”.

 

 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.