SPORT

Izmir Smajlaj tremb Shqipërinë: Kam ofertë nga Kroacia, mund ta pranoj!

10:11 - 17.04.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 




Shqipëria rrezikon të humbasë një tjetër “xhevahir” të sajën. Pas dy mundësive të kalibrit botëror si Elis Guri që zgjodhi Bullgarinë (e më pas u shpall kampion bote) dhe medalistit të bronztë të botës, Sahit Prizreni, i cili zgjodhi flamurin e Australisë, tashmë radha është për një tjetër medalisti ndërkombëtar.

Ai është kampioni i saposhpallur i Europës në atletikë, Izmir Smajlaj, dhe i vetmi në historinë e “Mbretëreshës së Sporteve” në Shqipëri. Mesazhin e jep vetë shkodrani Smajlaj në një intervistë për “Panorama Sport”. “Kam ofertë zyrtare nga Kroacia. Nëse shteti nuk më plotëson kushtet dhe kërkesat e mia nuk e përjashtoj mundësinë që të largohem pas Botërorit”.

Pas triumfit tuaj në Europian, si kanë qenë raportet juaj si kampion kontinental me autoritetet shtetërore në aspektin e mbështetjes?

Për momentin nuk mund të them se janë sjellë keq. Mirë janë sjellë, por vë theksin që pres më tepër mbështetje nga shteti. Një shpërblim 40 milionë lekë nuk është ndonjë shpërblim i madh. Në dijeninë time, të përfaqësosh një shtet tjetër të Europës dhe të shpallesh kampion, të sigurohet jeta. Ndërsa me 40 milionë lekë nuk sigurohet jeta. Por nuk mund ta mohoj faktin se autoritetet shtetërore më kanë mbështetur.

Në momentin që flasim a është çelur shpërblimi prej 40 milionë lekësh?

Po, ka dalë. Këtë javë është miratuar.

Nëse ju nuk shikoni një perspektivë për karrierën tuaj sportive, a rrezikon realisht Shqipëria të humbë një tjetër kampion?

Edhe unë si të tjerët. Ajo çka duhet të them, është se Shqipëria duhet të dijë si t’i mbajë këta sportistë më afër. Jo vetëm mua, por ka edhe mjaft sportistë të tjerë të talentuar që duhet të mbështeten dhe përkrahur për të mos u larguar nga Shqipëria. Mund të përmend rastin e Elis Gurit, nuk u mbështet dhe nuk i plotësuan kërkesat e tij dhe vendosi të përfaqësonte Bullgarinë.

Apo rasti i mundësit Sahit Prizreni me Australinë. Elisi e ngriti flamurin e Bullgarisë si kampion bote, por nëse do të vlerësohej këtu mund ta çonte me përfaqësuesen shqiptare. Kjo mund të ndodhë edhe mua nëse nuk do të më mbështetë. Do të veproj edhe unë si shokët e mi.

Pra, nuk e përjashton mundësinë e një largimi nga Shqipëria?

Po, po, ekziston si mundësi nëse nuk arrijnë të m’i plotësojnë kushtet. Gjithsesi, kam besim që shteti do të reflektojë duke na i plotësuar kushtet dhe nuk do të më lërë të largohem. Normalisht këtu kemi lindur, rritur, është vendlindja jonë. Për shpirt, nuk largohem kurrë nga Shqipëria, por e përsëris, nëse nuk plotësohen kërkesat, do ta rishikoj si mundësi.

Pas kurorëzimit si kampion Europe keni pasur oferta nga shtete të tjera?

Kam pasur oferta nga Kroacia. Kontaktet kanë qenë të shpeshta. Por, për momentin, do të qëndroj me Shqipërinë. Megjithatë, pas kampionatit botëror, do ta shoh nëse do të qëndroj apo jo. Në kampionatin botëror do të garoj me Shqipërinë, më mbrapa do ta shoh si opsion.

Si po vijon faza përgatitore duke qenë se jemi në prag të Botërorit?

Stërvitja ka vazhduar rregullisht. Prej muajit të ardhshëm do të zhvilloj një fazë përgatitore, me shumë mundësi në Mançester dhe do të qëndroj atje deri në fillimin e kampionatit botëror. Nuk mund të rri pa përmendur kontributin e Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar dhe Federatën Shqiptare të Atletikës, të cilët kanë shprehur angazhimin maksimal për të mbuluar çdo shpenzim për fazë përgatitore.

Këto kohë kam pasur mbështetje morale, përkrahjen dhe respektin e të gjithëve. Edhe ata njerëz që nuk i njoh më kanë ndalur dhe më kanë uruar për suksesin. Madje, edhe nga të panjohur kam marrë mesazhe dhe kanë shprehur gatishmërinë për të më mbështetur.

Nuk është gjë e vogël besoj të çosh lart flamurin shqiptar në Beograd. Kam pasur takim me kryerparlamentarin Ilir Meta, do të kisha shumë dëshirë të zhvilloja edhe një takim me kryeministrin Edi Rama, edhe pse ai e kishte publikuar në rrjetin social “Facebook” videon e garimit tim në Europian.

PUSHTETI LOKAL

“Më kanë premtuar një shpërblim 5 milionë lekë, por që kisha besim se mund të akordonin një shpërblim më të madh. Ndoshta e kanë me ligj në përcaktimin e një shpërblimi, këtë nuk di ta them. Por që nga bashkia pretendoj një rrogë më të lartë.

Aktualisht, përfitoj si pagesë mujore 500 mijë lekë. Një kampion Europe i trajtuar financiarisht me 500 mijë lekë në muaj?! Kurse futbollistët paguhen nga 4000, 5000, 7000 euro”, u shpreh medalisti i artë i Europës për trajtimin nga ana e Bashkisë së Shkodrës.

Ju vjen keq për këtë standard të dyfishtë të Bashkisë?

Një kampion Europe me 500 mijë lekë në muaj sikur nuk shkon. Plus kësaj, edhe shteti duhet të përpiqet të afrojë sponsorë. Ka plot sipërmarrje biznesi. Në një vend tjetër të Europës do të ndodhte ndryshe. Aktualisht sponsori im është “Sigal”, të cilin përfitoj nga rasti ta falënderoj për mbështetjen që më ka dhënë.

“PODIUMIN E SYNOJ EDHE NË BOTËROR”

Sfida e radhës për kampionin e Europës në kërcimin së gjati në sallat e mbyllura, Izmir Smajlaj, është kampionati botëror në muajin gusht që zhvillohet në Londër. Edhe në këtë event, talenti shkodran shkon me pretendime të mëdha, ku nuk përjashton edhe podiumin.

“Po, po nisem me ambicie të mëdha. Kam shumë besim te vetja. Impenjimi deri atë ditë do të jetë maksimal. E gjithë vëmendja është për kampionatin botëror, gjërat e tjera shkojnë në plan të dytë për mua. Objektivi im është që t’i sjell një tjetër medalje Shqipërisë. Nuk dua të premtoj gjë siç bën politika, por pretendimet janë të mëdha për kampionatin botëror”, theksoi Smajlaj.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.