SPORT

Tavo kërcënon: Po na shkatërrojnë arbitrat, do tërhiqemi nga gara!

08:33 - 17.04.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Luftëtari është një nga skuadrat më të penalizuara në këtë sezon futbollisik dhe një gjë e tillë ka ndikuar edhe në rezultatet e bluzinjve, të cilëve u janë mohuar shumë pikë.

Por, pas ndeshjes së djeshme ku gjirokastritëve u është mohuar një 11-metërsh në pjesën e parë dhe u është akorduar një kundër në të dytën, duket se situata ka arritur kulmin, pasi trajneri Mlladen Milinkoviç dhe shefi i klubit, Gentian Nora, i kanë paraqitur dorëheqjen presidentit Grigor Tavo. Në një prononcim për “Panorama Sport”, numri një i bluzinjve në lidhje me situatën është shprehur:

“Nuk jam i mërzitur, jam i pikëlluar. Është hera e dytë që investoj në futboll. Unë jam biznesmen dhe shes produkte, nuk shes ndeshje. Më kanë paraqitur dorëheqjen trajneri dhe shefi i klubit me arsyetimin që nuk po e mbroj dot punën e tyre nga padrejtësitë dhe turpet në vendimmarrjen kundër Luftëtarit. Po si mund ta mbroj unë vallë, ç’fuqi kam? Me dhunë si disa të tjerë? Me presione, me telefonata arbitrash? Unë nuk jam i tillë. Gjirokastra nuk është e tillë.

Unë doja vetëm të mos më ndalonin në punën e nisur. Të pranojë skuadra ime nënshtrim ndaj një sulmi të tillë? Skuadra, për të cilën unë kam investuar 1 000 000 euro këto dy vjet, nuk do ulë kokën të pranojë këto absurde. Nuk po shkatërrohet një skuadër, po shkatërrohet një familje dhe tani që po flas jam me lot në sy”, është shprehur Tavo, nën drejtimin e të cilit Luftëtari arriti të ngjitej në Superiore dhe tashmë ka një pozicion komod, madje lufton edhe për vendin e katërt.

Trajneri

Por, një nga çështjet të cilat Tavo duhet të zgjidhë në vijim është ajo e trajnerit. Nuk dihet nëse presidenti do të pranojë dorëheqjen e Milinkoviçit, i cili ka bërë një punë mjaft të mirë në krye të gjirokastritëve në këtë sezon futbollistik. Por, Tavo ka shkuar edhe më tej, duke bërë me dije se do ta tërheqë skuadrën nga kampionati në rast se trajneri nuk rikthehet në krye të ekipit.

“Do komunikoj nesër me trajnerin dhe shefin e klubit. Unë nuk mund të ndikoj dot tek arbitrat. Por, nëse ata brenda javës nuk kthehen, atëherë unë do ta tërheq ekipin nga gara. Kësaj radhe jam me të vërtetë i pikëlluar. Po e theksoj, sepse nuk është vetëm lek i humbur ky që hodha, por u shkatërrua një punë e shkëlqyer të cilën e vlerësoi gjithë Shqipëria”, ka mbyllur Tavo.

 

 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.