SPORT

Vllaznia ndal Partizanin, kreu ngjeshet sërish

09:35 - 17.04.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Jeton SELIMI

Vllaznia luan me fatet e titullit. Një javë pasi ndali Kukësin në “Zeqir Ymeri”, skuadra më e vjetër në vend ndali dhe Partizanin në “Loro Boriçi” në një barazim 1-1, duke bërë që të kuqtë të ndajnë kreun me Kukësin, ndërsa u rikthye në garë edhe Skënderbeu, që falë Vllaznisë e sheh veten vetëm 3 pikë larg.

Fati thonë që ndihmon përgjithësisht më të mirët, por në fakt në “Loro Boriçi”, të dyja ekipet patën momentet e tyre fatlume, të kuqtë me një goditje të Ekubanit, që u devijua te Bicaj duke sjellë golin e barazimit, ndërsa shkodranët në pjesën e parë kur Ekuban i përplasi topin në shtyllë dhe kur nuk arriti gjithashtu të shtynte për në rrjetë një top që dukej i sigurt për gol. Gjithsesi, në ndeshjen e “Loro Boriçit”, Vllaznia tregoi se vendin e katërt në klasifikim e meriton mbi të gjitha ajo, pasi edhe mungesa të rëndësishme si ato të Bakajt, Krymit apo Bardullës bëri një lojë shumë të mirë, duke qenë që në fillim këmbëngulëse si në rastet e Cinarit në kufijtë e pjesës së parë, në të 5-tën dhe në të 42-tën.

Ndërkohë që në pjesën e dytë, Partizani në ndryshim nga e para e la Vllazninë të fitonte shumë të terren dhe rrezikoi jo pak të pësonte, me Tafilin që rrezikoi në të 64′-tën, ndërsa në të 70′-tën ishte fati që i mohoi Vllaznisë golin me topin që u përplas në shtyllë dhe më pas mbi vijën fatale. Përsëritja tregoi se nuk ishte gol. Golin megjithatë, Vllaznia e gjeti 6 minuta më vonë me talentin e saj Hebaj, që futi kokë për golin e epërsisë, ndonëse sulmuesi kuqeblu ishte në pozicion jashtë loje. Festa e fitores për Vllazninë gjati shumë pak, megjithatë pasi në të 80′-tën Ekuban vendosi barazpeshën. 1-1 u mbyll në “Loro Boriçi” dhe për faktin se Sukaj nuk mundi dot të mposhte Selimin në të 92′-tën. Vllaznia që një javë më parë i dha kreun e vetmuar të kuqve, sërish ia mori atë duke bërë një ndeshje prej një skuadre të madhe, siç i ka hije.

Starova

Sulejman Starova është shfaqur i zhgënjyer pas barazimit të sotëm ndaj Vllaznisë. Trajneri i Partizanit deklaroi për emisionin “Gol pas Goli” se arbitri ka qenë totalisht kundër tyre, si edhe shton faktin se mungesat ndikuan: “E prisnin një ndeshje të tillë, e dinim që Vllaznia është një skuadër shumë e fortë dhe do të luante shumë mirë. Kishim edhe ne mungesa të rëndësishme, si ajo e Ramadanit, që për ne është një lojtar me shumë peshë. Shpërdoruam shumë raste për shënim, ndërsa kam pretendime ndaj gjykimit, që ishte totalisht kundër nesh.

Kam parë shumë gabime të arbitrit, jam shumë i pakënaqur. Nuk na falet që pësuam gol nga goditja e dënimit, sepse nuk pësojmë zakonisht gola të tillë dhe punojmë shumë për goditjet standarde. Bëmë një gabim fatal, gabuam më tepër se herë të tjera, lojtarët nuk dhanë gjithçka në aspektin taktik, kishim edhe mungesa, duke lëvizur disa gjëra në formacion”.

Cungu

Pas ndeshjes me Partizanin, trajneri Armando Cungu gjen kohën për të kundërsulmuar ata që e akuzuan për aleancë me të kuqtë. Trajneri i Vllaznisë për emisionin “Gol pas Goli” deklaroi se kjo gjë e dëmtoi shumë skuadrën e tij, por se kuqeblutë e ngritën lartë emrin e tyre: “Kjo skuadër tregoi se ka dinjitet dhe nder, luan për vete, përkundër gjithë sulmeve e aludimeve gjatë javës. Mendoj se e dominuam lojën, si në sulm, ashtu edhe në mbrojtje.

Mund të shënonim më tepër, me pak kujdes, ndërsa në një pakujdesi kundërshtari barazoi, por nuk kam asnjë keqardhje, ishte një ndeshje e shkëlqyer”.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.