Show-Bizz

Alban Dudushi: Si e priti vajza ime e madhe, lajmin se Bieta është shtatzënë

10:20 - 18.04.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Mes të bardhës dhe bojëqiellit, Bieta dhe Albani përçojnë dritë. Është një dritë që buron së brendshmi me gjithë fuqinë e një jete të re që rritet. Anës detit, çifti që është në pritje të një fëmije, shfaqet më i lumtur se kurrë. “Është si një pranverë e dytë për ne”, – thotë Bieta, që veç nurit të shtatzënisë, hiret ia shton buzëqeshja. Ajo ka gjithçka veç nazeve të një shtatzëne. “Kam gjithnjë parasysh gjinekologen time që më tha në fillim: je shtatzënë, jo sëmurë”, thotë ajo në këtë rrëfim ekskluziv për “RevistaWho.Com“.

Si hapat në rërë, numërimi mbrapsht drejt lindjes së Dudushit të parë, i afrohet fundit. Në gjithë vitet e tyre së bashku, ata i kishin refuzuar kopertinat. Qe vendosur që dalja në kopertinë do të ishte për diçka më të madhe se ata, një unazë si premtim i përjetshëm, ose një fëmijë si premtim i disa jetëve. Gjurmët e tyre në breg, të kapur përdore, i ngjajnë një vallëzimi, ndërsa imazhet e ndalura në kohë janë më shumë se “imazhe reklamash”, me to, hedh hapat në një botë përrallash.

Joelle, vajza e Albanit, është një ‘konsulente’ befasuese, ajo sugjeron pozat për të atin e Bietën. “Vogëlushi është 50% yni e 50% i Joelle”, – thotë Albani, që ka përfshirë në çdo hap të vetin edhe të bijën. Marrëdhënia mes të treve jep sigurinë e një familjeje, plot dashuri…

Nuk kishim dyshime që kjo do të na dilte një kopertinë fantastike, sepse i ka të gjithë elementët për të qenë e tillë: një çifti i bukur, të lumtur, të dashuruar, krahë tyre deti, dielli… Por gjithsesi nuk e prisnim që të emocionoheshim kaq shumë me videon dhe fotot realizuara gjatë setit. Blerti xhiroi çastet më të bukura të çiftit e kur na dërgoi pamjet, u mblodhëm të gjithë si redaksi mbi një ipad për t’i parë. Do të na kuptoni kur t’i shikoni edhe ju. Por përpara ju ftojmë të lexoni intervistën e Alban Dudushit dhe Bieta Sulos, për herë të parë bashkë në një kopertinë, vetëm në “RevistaWho.Com“. Në fakt ata janë tre dhe absolutisht qendra e mendimeve, bisedave, vëmendjes është ai, vogëlushi të cilit ende nuk i kanë gjetur një emër. Kështu ndryshoi jeta e Albanit dhe Bietës prej asaj dite kur ajo, e paduruar për t’i dhënë lajmin, i ndaloi makinën dhe…

Së shpejti bëheni 4… Kush po fluturon më shumë nga ju të dy?

Bieta: Krah për krah jemi… tashmë ka filluar numërimi mbrapsht, i cili kryhet njëzëri nga të dy ne. Ndoshta mund të them, që Albani për shkak se bëhet prind për herë të dytë është më i ndërgjegjshëm dhe i përgjegjshëm përballë kësaj situate. Unë jam në ëndërr ende.

Hera e parë në kaq vite që Albani pranon të dalë në një kopertinë. Meritë e çunit apo e Bietës?

Albani: Meritë e të dyve.

Albani tha me shaka se lajmin e shtatzënisë e mori vesh nga portalet… Ne duam shumë ta dimë si e mori vesh, si reagoi, a qau njeri nga emocionet?

Bieta: Albani me makinën e tij, une në timen, rrugës nga “Top Channel” për në Bllok. I jap sinjal me dritat e gjata dhe hapim krahun, pa mundur dot të prisja deri sa të mbërrinim në destinacionin për tek i cili ishim nisur. Ndërkohë që mendja dhe zemra prej mëngjesit ishin pushtuar. Pavarësisht se kisha marrë vendimin të sigurohesha fillimisht  me një analizë gjaku, parkoj makinën time dhe hipi në të tijën. “Çfarë ka mi”, më tha i hutuar për atë ndalim të papritur. “Dëgjo” i thashë  “më duhet të të jap këtë” dhe i zgjas një kuti stërgjatëshe. Duke e hapur nuk po kuptonte asgjë. “Termometër?”, më tha. “Shikoji dy vizat”, i thashë. Dhe aty u bë i qartë dhe për të lajmi që unë kisha marrë që në mëngjes.

Po Joelle-it kush ja tha? Si e priti ajo?

Albani: Joelle-it natyrisht që ia thashë unë. Ne vendosëm, jo për çështje bestytnie, por  për çështje sigurie, që deri në muajin e tretë të shtatzënisë, të mos ia tregonim askujt, deri sa të kalonte faza e parë e rrezikshme dhe fëmija të lidhej mirë. Kështu që sekretin e ne të dyve, e ndava unë me Joelle. Ajo u bë personi i tretë që e dinte. Ishte një pasdite e ditës së dielë dhe unë me vajzën po ktheheshim nga kinemaja. Bieta ishte në shtëpi. Rrugës, në makinë, i thashë: “Joelle, shumë shpejt do të bëhesh me vëlla.” Edhe vetë u befasova nga entuziazmi i saj. Joelle deri tani ka qenë vajza e vetme dhe mbesa e parë në familjen time të ngushtë dhe kjo natyrisht që e ka bërë të përkëdhelurën e të gjithëve, kështu që unë, megjithëse ajo tani është e rritur, kisha një lloj ndroje se mos një vëlla do e bënte xheloze. Ajo jo vetëm që nuk është e tillë, por që tani ka filluar na vë kufij në lidhje me atë se sa është vëllai i saj dhe sa është djali ynë. Në ndarjen e Joelle, ai është 50% i saji dhe vetëm 50% i ne të dyve. Praktikisht ne kemi nga 25% dhe ajo ka paketën e kontrollit (buzëqesh).

Sa ka ndryshuar jeta juaj pas këtij lajmi? Sa ka ndryshuar përditshmëria, ushqyerja, oraret, punët?

Bieta: Me thënë të drejtën, ende jemi në ritmin që kemi patur. Shumë pak kufizime kanë ndodhur. Jeta e natës është një nga këto, sidomos për mua. Oraret e punës vazhdojnë të jenë të njëjtë, ndërsa ushqyerja këto muaj sigurisht ka qenë më e shëndetshme, por duke respektuar të gjitha vaktet.

Meqë ra fjala, Bieta nga ç‘kemi parë në foto nuk të duket shumë barku, po i ruan linjat… Të gëzon ky fakt?

Bieta: Nuk kam ndjekur parimin “duhet të hash për dy”. Jam ushqyer shëndetshëm, 4-5 vakte në ditë dhe jam munduar, pa e sforcuar veten sigurisht, të bëj nga pak stërvitje. Ushtrime të lehta në palestër, ndërsa tani që ka ardhur pranvera, ecje rreth e qark Liqenit Artificial. Kam mbajtur vath në vesh, porosinë që më dha gjinekologia qysh në vizitën e parë “je shtatzënë, jo sëmurë”. Natyrisht, që fakti që kam marrë pak kilogramë, (9 kg në përfundim të muajit të tetë) më kënaq kur shoh një bark te bukur çdo mëngjes përpara pasqyrës, por nga ana tjetër mund të them që prioritet ka qenë ushqyerja dhe rritja shëndetshëm e bebit.

Tani që po ndodh, sa i kishte munguar marrëdhënies tuaj një fëmijë?

Bieta: Ndihem e lumtur dhe e realizuar nga gjithë sa kemi jetuar deri më tani. Kemi udhëtuar shumë, brenda e jashtë Shqipërisë, kemi shijuar orë e orë të tëra me njëri-tjetrin dhe miqësinë tonë, në dreka që kanë përfunduar darka dhe sot, ndihem gati për këtë jetë të re. Nuk kam asnjë pishman për veten time, e dedikuar për ardhjen në jetë të djalit tonë.

Në fillim dëshironit djalë apo vajzë?

Bieta: Unë vetë, isha neutrale… Albani, si baba i një vajze tashmë prej 13 vjetësh, donte djalë. Të realizuara dëshirat e tij. Fëmijën e parë e ka dashur vajzë, ashtu e patën, tani e dëshironte djalë, t’i ndjente të dyja kënaqësitë, ashtu ndodhi. Në këtë kuptim, unë jam dyfish e lumtur.

Po emrin si do e ketë vogëlushi Dudushi?

Bieta: (Qesh) Pyetja 1 milionë dollarëshe. Jo thjesht për të ruajtur surprizën, por vertetë që ky duket të jetë, për momentin, vendimi më i vështirë. Kemi preferenca, anojmë nga emrat shqiptarë, të shkurtër e me kuptim, por ende nuk kemi një fitues.

Albani: Deri tani unë kam propozuar emra, por Bieta dhe Joelle i kanë rrëzuar. Në fakt dhe Joelle ka propozuar, por ato i kam rrëzuar unë (qesh).

Bieta si po kujdesesh për veten në këtë periudhë? Këshillat e kujt po ndjek? Ke filluar të bësh nga ato lëngjet e çuditshme me vlera ushqimore të çuditshme?

Bieta: “Dëgjo trupin” ky është parimi që më udhëheq si në ushqyerje, ashtu edhe në përkujdesjen fizike. Sigurisht, këshillat e gjinekologes kanë kryesuar, por po ashtu edhe eksperiencat e shoqeve të mia, leximet në internet kanë ndikuar medoemos. Lëngjet e frutave pastaj, janë shoqëruesit e mi, jo thjesht dhe vetëm në këtë etapë të jetës. Për mua, të ushqyerit pa fruta, nuk do të kishte kuptim. Ananasi dhe mango janë dy shokët e ngushtë.

Po kontributi i Albanit në të gjithë këtë cili është?

Bieta: Më mban të angazhuar (buzëqesh).

Albani ka dhe një vajzë, pra ka më shumë eksperiencë në orarin e qumështit, ndërrimin e pelenave etj. Apo i ka harruar?

Albani: Po i kthehem librave të vjetër (domethënë kujtimeve). Janë disa gjëra që nguliten shumë mirë në kokë dhe besoj që do më rikthehen shumë shpejt instiktet, megjithëse kanë kaluar pothuaj trembëdhjetë vjet.

Si janë raportet e Joelle me Bietën? A jeni ju shoqe? A i ndani ju sekretet?

Bieta: Mendoj se të qenurit shoqe është marrëdhënia më e shëndetshme e mundshme në këtë raport. Për shkak edhe të një afërsie më të madhe moshë, komunikimi vjen natyrshëm, bisedat tregohen me më pak ndrojë. A i ndajmë sekretet? Do ishin më të tillë po t’jua rrëfenim këtë fakt?

Ajo tani po bëhet një zonjushë? Si do e presësh Alban kur të të prezantojë të dashurin? E ke menduar?

Alban: Kjo pyetje është një thikë e ngulur në mishin tim (qesh). Kam idenë që nënat janë ato që gëzohen për rritjen e bijave të tyre, ndërsa baballarët do të donin t’i kishin gjithmonë të vogla dhe për vete. Kështu që mos mendoni se rri një mendim i tillë më shumë se dhjetë sekonda tek unë.

Me dhomën e bebit deri në ç‘fazë jeni? Bashkë po i bëni blerjet? Do e mbani në dhomën tuaj djalin apo do e vendosni që në fillim në dhomën e tij si të “jashtmit”?

Bieta: Duke u përgjigjur në linjën e pyetjes, mund të them se në këtë pikë do të jemi “shqiptarë”, edhe krenarë madje. Pavarësisht se shtëpia është e madhe, pra nuk është çështje dhomash, por sensi përkujdesjeje. Fillimisht krevati i djalit do qëndrojë përkrahë tonit, anës sime për të qenë më konkrete.

Sa kohë do qëndrojë larg “Top Channel” dhe “Top Show” Bieta pas lindjes, e keni menduar?

Bieta: Duke ururar që gjithçka të shkojë mbarë, besoj se sezoni i ri televiziv do të më gjejë në top formë.

Alban, a bën dot pa Bietën në punë?

Albani: Ky është ankthi im në këto muaj. Janë bërë vite e vite të tëra që Bieta është në krahun tim dhe në krye të punëve të redaksisë. Kjo është hera e parë pas kaq vitesh që do të detyrohemi të mos jemi bashkë për përgatitjen e emisionit. Sidomos për “Magazinën” ku ajo nuk është thjesht kryeredaktorja, por edhe në rolin e producentit të emisionit. Është njeriu që mbikqyr dhe drejton “Magazinën” prej regjisë. E imagjinoni se sa qetësi humbas unë, në kohën që Bieta do të jetë e detyruar të shkëputet.

Bietës i pëlqen më shumë ta thërrasin Bieta e “Top Channel” apo e fejuara e Alban Dudushit?

Bieta: Varësisht vendit…por në rradhë të parë unë jam Bieta Sulo. Si e tillë kam nisur punën në “Top”, ndërsa kisha pak muaj që kisha mbushur 20 vjeç dhe sot numëroj 12 vite pranë televizonit dhe njërit prej emisioneve më cilësorë në vend. Të qenurit sot, përkrah Albanit, si krahu i djathtë i tij, në jetë e në punë, është një nga ndjenjat, mbështjetjet dhe siguritë më të mëdha të jetës sime.

Bieta nuk je tërhequr nga jeta publike apo fotot në Insta gjatë pritjes së ëmbël. Madje po del në kopertinë. Nuk thotë mami ose vjehrra, kujdes se do të marrin mësysh?

Bieta: (Qesh) Ja paragjykimi për moshën më të madhe… Ma kanë thënë shoqet më parë… Por nuk u besoj këtyre gjërave. Çfarë ka për të ndodhur, do të ndodhë pavarësisht postimeve në rrjetet sociale apo kësaj kopertine.

A kanë nisur ëndrrat për djalin? Për shembull kujt do të donit t’i ngjante?

Të dy: Më të mirat e të dyve.

A është kjo periudha më e lumtur e jetës suaj?

Bieta: Besoj jemi në prag të saj.

Albani: Më të mirat pas kësaj vijnë.

Do të bëni dasmë?

Bieta: Të presim ç’do na thonë fëmijët (qesh).

Nga RevistaWho.Com / Fotot: Pirro Beati / Video: Blerti Talelli / Hair & Make Up: Elona Balaj / Styling: Miranda Dupi / Veshjet: BSB Tiranë


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.